Nga Gjeneral Piro Ahmetaj
I privilegjuar për ftesën si dhe mundësinë për tu mbledhur/bashkëbiseduar rreth VATRËS së shenjtë Shqiptare me Autoritetet drejtuese, personalitete dhe patriotë mendjehapur në selinë e saj në New York, ShBA.
Në pamundësi për të shprehur të gjithë mirënjohjen jo vetëm për mikëpritjen fisnike, para se gjithash për VATRËN, që në memorjen e familjes time, besoj edhe të mbarëshqiptarëve mbetet si Institucion i shenjtëruar për orientimin Euroatlantik jo vetëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në USA, por edhe për lobing-un (Shtepia e Bardhë, Senati, Kongresi dhe DASh), përpjekjet si dhe kontrubutet elitare për zhvillimin e interesave mbarëkombëtare.
Prandaj në këtë datë-ngjarje të historisë kombëtare (112 vjetori), përulemi ndaj themeluesve, dy ikonave mëndjendritur Noli dhe Konica si dhe të shprehim nderimin më të thellë për kontributorët me peshë, një liste të gjatë patriotësh mendjehapur të mbledhur rreth misionit kombëtar të VATRËS;
Me këtë rast përsëris publikisht konsideratat më të larta për vizionin Euroatlantik, përulësinë fisnike, përkushtimin shembullor si dhe përpjekjet gjithëpërfshirëse të Kryetarit, Zotit Elmi Berisha, sekretarit Dr. Pashko Camaj, kryetari i degës së Vatrës në Queens Dr.Skënder Murtezani, si dhe ndaj Editorit të gazetës Dielli, z. Sokol Paja.
Nga ana tjetër, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s” në vijim mund/do të gjeni një përmbledhje jo vetëm mbi impresionet personale por rreth rrethanave historike, misionit, përpjekjeve, vlerave, kontributeve përgjatë 112 viteve si dhe tre rekomandime vllazërore për ta mbajtur të ndezuar në shekuj jo vetem në ShBA dritën e shënjtëruar të VATRËS.
***
Siç besoj është e mirënjohur në mbarëshqiptarinë, Federata Panshqiptare VATRA është themeluar në 28 Prill 1912. Misioni i VATRËS në 112 vjet mbetet: “garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe lobimi në Washingtonin zyrtar për njohjen, mbrojtjen, promovimin dhe zhvillimin e interesave mbarëKombëtare”.
Takimi i parë që i bashkoi pothuaj të gjitha shoqatat e shqiptarëve në USA, për të themeluar një federatë të vetme (VATRA) u zhvillua pothuaj një vitë para pavarësisë (në 24 dhjetor 1911) në Boston, ku mori pjesë edhe shoqata me “Besa-Besën”. Në këtë takim ishin të pranishëm patriotët: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams, Paskal Aleksi dhe Vait Mira .
Përpjekjet dhe takimet vijuan deri në datën 28 prill 1912, datë kur VATRA u regjistrua, pra që shënon edhe datën zyrtare të themelimit të saj. Në proçes-verbalin e takimit thuhet: “Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u themelua prej Shoqërive “Besa-Besën”, “”Flamuri i Krujës”, “Shoqërisë Kombëtare”, “Mirëbërësja” dhe “Skënderbeu”, ndërsa shoqatat “Dallëndyshja” dhe “Malli i Mëmëdheut” nuk ishin të pranishme por konfirmuan anëtarësinë e tyre në këtë federatë/Vatra.
Në këtë takim historik, u ngrit një bord i përkohshëm me patriot të shquar që mbeten të skalitur edhe si bashkë-themelues në memorjen institucionale të VATRËS, si: Fan S. Noli, Llambi Çikozi, Faik Konica, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere, Kosta Kota. Kostandin Çekrezi si dhe vëllezërit Pani nga Dardha. Ndërsa drejtues të gazetës Dielli (nga Fan Noli në 15 shkurt 1909) ishin Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe Paskal Aleksi.
Duke konsideruar konfuzionin dhe vakumin politik në Shqipëri gjatë Luftës së I-rë Botërore, VATRA funksionoi në formën e një qeverie shqiptare në mërgim. Në këto momente kritike për kombin, VATRA delegoi/dërgoi Nolin e madh dhe Konicën mendjendritur në Europë për të avokatuar dhe mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë. Ata qëndruan në Europë derisa lufta përfundoi, ndërsa në këtë periudhë VATRËN e drejtoi patrioti i mirënjohur, Z. Kol Tromara.
Gjatë këtyre viteve me trazira, VATRA shkëlqeu me fushatën lobuese gjatë Konferencës së Paqes në Paris në 1919, duke influencuar vendimin e delegacionit amerikan. Patrioti Kristo Dako iu bashkua delegacionit në 1919, ndërsa Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica u aktivizuan në negociatat me Italianët për krijimin e qeverisë provizore shqiptare si dhe përgatitën Kongresin e 1918-s. Po ashtu, në dhjetor 1918, Vatra mbajti fushatën për mbledhjen e fondeve në mbështetje të delegacionit në Konferencën e Paqes, kur shqiptarët në SHBA mblidhën rreth 150.000 dollarë.
Janë të skalitura në memorjen e historisë kombëtare mbështetja kritike në luftën e Vlorës 1920 kundër pushtuesve Italianë (reth 300 paqtriot-luftëtarë nga VATRA u vunë nën komandën e mikut të Nolit, Baba Ahmet Turanit) si dhe pavarësisht oponencës me mbretërinë apo qasjes së Partisë Komuniste, Vatrabët kontribuan edhe në luftën për çlirimin nga okupatoret nazi-fashist.
Mbas vendosjes së regjimit Hoxhës, VATRA e shqiptarëve në USA u kthye në një tempull shprese për kundërshtarët e regjimit, të afërmit e tyre dhe mbarëshqiptarët. Gjenden në arkivat e DASh/CIA, përpjekjet dhe sakrificat e VATRËS dhe shqiptarëve në USA për shkëputjen nga blloku Stalinist, rrëzimin e regjimit si dhe orientimin e Shqiptarisë në kampin e vlerave euroatlantike.
Për këdo të interesuar, mund të gjejë informacione/prova zyrtare (tashmë të de-klasifikuara) dhe të përmbledhura mjeshtërisht në librin e z. Albert Lulushi “Operation Valuable Friend = the CIA’s First Paramilitary Strike against Iron Curtain”, të cilat provojnë përpjekjet e VATRA-s në bashkëpunim me ShBA-të për të rrëzuar regjimin komunist si dhe ndryshuar rreshtimin gjeopolitik të kombit Shqiptar.
Në vitet 1990, VATRA dhe zëri Amerikës u shndërruan në oksigjen shprese të levizjes demokratike të vendit që për 45 vjet ishte vrarë, burgosur, varfëruar dhe rraskapitur nga regjimi komunist. Ndërsa nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vitin 1999, kur grumbullimet në Washington, New York, etj, pra flamuri kombëtar, zëri dhe kontributet e VATRËS për çlirimin nga pushtimi gjakatar i Millosheviçit do mbeten përjetësisht të skalitura në memorjen e CNN si dhe historisë së mirënjohjes së kombit Shqiptar.
***
Në pamundësi për të përmendur kontributet e jashtëzakonshme në 112 vite, sigurisht mund të themi që në 112 vjet, VATRA mbetet organizimi më gjithëpërfshirës (mbarëkombëtar) dhe me jetëgjatë i shqiptarëve në të dyja anët e atlantikut dhe mbarë kombin shqiptar. Kështu kontributi i Vartës në dobi të mbrojtjes, lobimit dhe promovimit të interesave kombëtare e ka kthyer VATRËN në një tempull të shentëruar të nacionalizmit, patriotizmit dhe shpresës së mbarëshqiptarëve.
Në shtesë, nuk mund të mos e përmendim, (sigurisht me keqardhje) që krahas imazhit, përpjekjeve dhe arritjeve, përgjatë historisë 112 vjeçare, veçanërisht pas viteve 1990, ka patur problematika, ndasi dhe kundërshti, deri përleshje të padenja (demostrim i dhunshëm para godinës së shenjtë të Vatrës në blv. Bronx, NY) duke transferuar edhe në New York, etj klimën dhe paranojat egocentrike, sekserët si dhe konfliktualitetin politik të Tiranës, Prishtinës, etj për sa orientimin, qasjen dhe drejtimin e VATRËS.
Nuk kam kurrësësi dëshirë dhe sigurisht asnjë tagër/status të përfshihen në këtë debat, por vetëm në përulje ndaj imazhit të shenjtëruar të VATRËS, j’u bëj thirrje vëllazërore arsyes fisnike për tu ulur në gjunjë para flamurit dhe interesave kombëtare si dhe menaxhuar mosmarrëveshjet, apo qofshin kundërshtitë vetëm me mekanizma demokratike, në krye të së cilave mbetet vota. Kjo pasi siç të gjithë besoj ta dimë, VOTA ishte ilaçi që i bashkoi kundërshtitë (në ndonje rast deri ekstreme) të Nolit të Shenjtë dhe Konicës mëndjendritur.
Thënë këtë, besoj edhe më fortë se përtej rreshtimeve apo kundërshtive politike (=VATRA u krijua si organizatë jo-politike, ndërsa kujtojmë se Noli dhe Konica kishin pothuaj katërciprisht të kundërt në pikpamjet politike) që mund edhe të ketë dhe që mundet t’ju ndajnë, mbeten ende 1001 arsye të forta që ju/na bashkojnë rreth interesave të mbarë-shqiptarëve si dhe perspektivës Euroatlantike të dy shteteve sovrane (RSh dhe R.Kosovës) si dhe kombit tonë të bekuar. Historia na ka mësuar se nga urrejtja për njëri tjetrin ose kemi dalë të gjithë të humbur ose nuk na ka çuar asgjëkundi, ndërsa mbetet shumë për të bëre me dashuri për ardhmërinë e kombit tonë të përbashkët.
***
Për ta përmbyllur, në kapacitetin e një ndër ekspertëve me eksperiencë, besoj më shumë se modeste në proçesin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare si dhe udhëtimin drejt/pas anëtarësimit në NATO, do të dëshiroja të adresoja edhe tre keshilla vllazërore për Drejtuesit, Protagonistët si dhe gjithë VATRA-nët:
Këshilla nr. 1: duke ruajtur mesazhin e rilindasit Pashko Vasa, të mishëruar në misionin e VATRËS: “Feja (+Partia nga ky kontekst) e Shqiptarit është Shqiptaria”, mbetet domosdoshmëri kritike për ta përditësuar, transformuar, ose me mirë modernizuar konceptin, qasjen, statusin zyrtar, strukturën e organizimit, vendimarrjen, metodologjinë e angazhimeve si dhe cilësinë e përfaqësimit të Shqiptarëve dhe të lobimit interesave kombëtare në USA.
Ndërsa për këdo që mendon, që sigurisht ka ambicie dhe mund të ketë edhe një projekt ndryshe, zgjidhjen e gjen në kombin që mbetet model i lirisë (USA) dhe simbol i demokracisë në mbarë botën. Pra zgjidhjen e gjen vetem te vota e lirë. Me fjalë të tjera të përballen/t me VOTË për t’u bërë shumicë, pra ose të marrë përgjegjësite e drejtimit ose integrohet me integritet dhe vlera komplementare në projektet për zhvillimin dhe modernizimin e VATRES. Zgjidhje tjetër më të mirë nuk ka gjetur gjerëzimi, SHBA/BE dhe shoqëritë demokratike deri më sot për të tejkaluar mosmarrëveshjet në lidhje me sipërmarrjet me peshë kombëtare.
Këshilla nr. 2: Institucionalizimin e përpjekjeve të VATRËS duke nënshkruar Marrëveshje Mirëbesimi (MoU) me respektivisht të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse në Tiranë Prishtinë, Shkup, Podgoricë si dhe faktorët shqiptarë në Preshevë dhe Medvegjë.
Këshilla nr. 3: Ngritja e një bordi të urtësh ose të mënçurish (Wise Group) me personalitete të spikatura, gjithëpërfshirëse, mundësisht sa më të gjithëpranuar në mbarë-Kombin, si një mekanizëm që kurrësesi nuk rivalizon dhe as dublikon, por vetëm do të këshillojë dhe komplementojë përpjekjet lobuese të Autoriteteve drejtuese të VATRËS në Washington si dhe respektivisht kryeqytetet e Shqiptarisë.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që jetojnë, mirënjohje mbarë kombëtare për VATRËN e shenjtë si dhe partneritetin strategjik me ShBA dhe NATO-n.