Klevis Alla, i cili akuzohet për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, është dënuar me 25 vite burg.
Ndërkohë gjykata ka vendosur pafajësinë për Altin Ndocin. Gjykata e Posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Ndocit, i dyshuar për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija. Ka qenë rrëfimi i Dumanit, ai që ka shpëtuar Ndocin, që sipas tij nuk ishte i përfshirë në vrasjen e Shkozës dhe Avdijas.
Alla kishte marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por më pas ju hoq pasi dëshmitë e tij binin ndesh me ato të Nuredin Dumanit.
Klevis Alla u vu në pranga dhe pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke treguar se ku ishin fshehur armët që u përdorën në vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe të Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdias, ngjarje të ndodhura njëra pas tjetër në vitin 2020, në Durrës. Ai ka rrëfyer se ka qenë shofer në vrasjen e vëllezërve Haxhia, ndërsa për ekzekutimin e dy të tjerëve ka marrë informacione nga grupi. Ishte dëshmia e Allës që nxorri në dritë përfshirjen e Talo Çelës dhe të Nuredin Dumani në këto krime, ngjarje që dyshohet se kanë si bazë prishjen e pavareve për paratë e grabitura në Rinas.