Ju mund të keni informacion mbi lindjen e virgjëreshës Mari, dishepujt, kryqëzimin dhe ringjalljen. Por ka disa aspekte të historisë së Jezu Krishtit, të cilat kanë mbetur shumë të paqarta, enigmatike dhe misterioze përgjatë mijëvjeçarëve…
1- Vitet e humbura
Bibla është e qartë mbi rrethanat e lindjes së Krishtit dhe periudhën e tij si një mësues dhe mrekullibërës. Por nuk thotë absolutisht asgjë për vitet midis. Herën e fundit që Jezusi i ri shfaqet në Dhiatën e Re, është kur ai ishte 12 vjeç. Pastaj krejt papritur, ai është rreth të 30-ave dhe e fillon misionin e tij.
Kjo ngre pyetjen, çfarë bëri Jezusi si adoleshent dhe i ri? Përgjigja më e mundshme (dhe më pak e bujshme), është se ai thjesht ka punuar si marangoz përkrah babait të tij tokësor, Jozefit. Në fakt, pasazhet në Bibël i referohen në mënyrë të hapur dëshmitarëve të kohës, që habiten se si një ‘zdrukthtar’ dhe një ‘djalë marangoz’ shfaq fuqi hyjnore.
Por përgjatë shekujve janë shfaqur teori të ndryshme rreth viteve të hershme të Krishtit. Njëra është se ai shkoi në Indi, eksploroi Himalajet, dhe madje studioi Hinduizmin dhe Budizmin. Një tjetër është se ai mbërriti në Britani, në shoqërinë e një mbrojtësi të tij të pasur (dhe pasuesit të ardhshëm), Jozefit nga Arimatea. Por skenarë të tillë hidhen poshtë nga historianët seriozë. Dhe mund të argumentohet se nëse gjatë këtyre viteve do të kishte ndodhur ndonjë gjë domethënëse, ato do të ishin rrëfyer në Bibël.
2- Statusi civil i Jezusit
Nga Bibla e dimë se Jezusi kishte një nënë, një baba (tokësor) dhe disa gjysmë-vëllezër dhe motra. Por a kishte grua? Në shkrimet kanonike nuk ka asnjë që ta sugjerojë diçka të tillë. Megjithatë kjo nuk i ka penguar brezat e lexuesve që të reflektojnë mbi këtë pyetje.
Kandidatja kryesore si një bashkëshorte e mundshme e tij, ka qenë gjithmonë Maria Magdalena, një nga ndjekëset më të devotshme të Jezusit. Tek e fundit, ajo ishte e pranishme në momentin e kryqëzimit dhe në varrimin e tij. Dhe ishte ajo ishte personi i parë që e vizitoi pas ringjalljes së tij. Po ashtu, Maria Magdalena përmendet më shumë herë në ungjij se çdo apostull.
Libra si Gjaku i Shenjtë, Grali i Shenjtë dhe Kodi i Da Vinçit, e kanë bërë shumë popullore teorinë se Maria ishte gruaja e fshehtë e Jezusit. Në vitin 2012, bota u trondit nga lajmet mbi një copëz të lashtë papirusi që përmbante fjalët:”Dhe Jezusi u tha atyre: Ja gruaja ime!”.
Në fillim u mendua të ishte pjesë e një ungjilli apokrif, ndërsa tani fragmenti konsiderohet si një falsifikim shumë i zgjuar. Megjithatë spekulimet rreth jetës personale të Jezusit, ka të ngjarë që të vazhdojnë për aq kohë sa lexohet Bibla.
3- Kryqi i vërtetë
Reliket kanë qenë gjithmonë një tërheqje e madhe për pelegrinët e krishterë. Ato janë po aq të nderuara sa ‘kryqi i vërtetë’, pra druri mbi të cilin vuajti dhe vdiq Krishti. Sipas historisë së vërtetë të kryqit, ky objekt i nderuar u ri-zbulua në Jerusalem në shekullin IV-të pasi Shën Helena, nëna e perandorit romak Konstandinit të Madh, urdhëroi të shkatërrohej një tempull pagan në Jerusalem dhe të gërmohej toka nën të.
Që nga ai moment, fragmente të supozuara të kryqit të vërtetë u shfaqën kudo. Ato shkaktuan madje edhe luftëra, u shfaqën me krenari në objekte të veçanta të njohur si relikare, dhe madje u mbajtën në trup si stoli. Siç e tha me hidhërim teologu i shekullit XVI-të, John Calvin “nëse të gjitha pjesët do të mund të gjendeshin dhe mblidheshin bashkë, do të përbënin një ngarkesë të madhe anijeje”.
Ndërsa autenticiteti i fragmenteve të vërteta të kryqit, do të jetë një çështje gjithmonë e hapur për debat, joshja ndaj tyre është po aq e fortë. Madje Papa aktual, i dhuroi disa pjesë të tij mbretit të Britanisë së Madhe Charles III me rastin e kurorëzimit të tij.
4- Pamja e jashtme
Imazhi ikonik i Jezusit, një burrë me lëkurë të bardhë, me mjekër, me flokë të gjatë kaçurrelë, nuk vjen nga Ungjijtë, të cilët nuk na japin asnjë të dhënë mbi pamjen fizike të Krishtit. Në fakt, përshkrimet më të hershme të Jezusit në art, e shfaqnin shpesh atë si të rruar, pra pa mjekër dhe me flokë të shkurtër.
Por pamja ‘standarde’ e Krishtit, evoluoi ngadalë gjatë disa shekujve. Vetëm në fillim të viteve 2000 i udhëhequr nga Richard Neave – një ekspert në rindërtimin mjeko-ligjor të fytyrës së viktimave – përdori një qasje më shkencore ndaj enigmës.
Duke përdorur të dhëna kulturore dhe arkeologjike, përfshirë kafkat e popullit semit të shekullit I-të, ata ishin në gjendje që të rindërtonin fytyrën që mund të kishte një njeri tipik i asaj kohe dhe vendi. Imazhi që doli ishte ai i burri trupmadh, me lëkurë ngjyrë ulliri, me një fytyrë të gjerë, dhe me një hundë të spikatur, që është shumë larg përshkrimeve stereotipike në artin dhe kinematografinë perëndimore. Por debati mbi pamjen e vërtetë të Jezusit, ka prirjen të vazhdojë, dhe askush nuk do të mund t’i japë një përgjigje shteruese.
5- Graali i Shenjtë
Objekti i njohur si “Graali”, ishte fillimisht një pjatë kuzhine e cila u shfaq në një romancë mesjetare arturiane. Por më vonë ky term u bë sinonim i kupës që përdori Jezusi në Darkën e Fundit, dhe të cilën Jozefi i Arimateas e përdori më vonë për të mbledhur disa pika të gjakut të Krishtit në momentin e kryqëzimit të tij.
Vetë Bibla nuk i jep ndonjë rëndësi të veçantë enës ku pihej vera. Ajo është përmendur nga shkrimtarët e ungjijve në tregimet e Darkës së Fundit dhe kaq. Sigurisht, nuk ka asnjë sugjerim që ky objekt mund të dhurojë fuqi të veçanta si jeta e përjetshme.
Në fakt e gjithë historia e Jozefit të Arimateas që mori gjakun e Krishtit, u krijua në fakt nga poeti francez mesjetar Robert de Boron. Ndërsa legjenda e Graalit mund të gjurmohet përfundimisht në veprat e letërsisë kalorësiake, kupa e Krishtit nuk ka pushuar kurrë së qeni një objekt frike dhe magjepsjeje midis besimtarëve dhe jobesimtarëve. Madje edhe nazisti famëkeq Heinrich Himmler, u përpoq më kot që ta gjente atë në vitin 1940.
Burimi: Sky History.co.uk