Emisioni “Kronos”
Në mandatin e parë të saj, qeveria socialiste e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, depozitoi në Kuvend projektligjin për investimet strategjike.
E ndarë që në fushatën e vitit 2013 me klientelizmin qeveritar të asaj që prodhoi nisma “Shqipëria 1 euro”, ligji i ri i argumentoi favorizimet që jepeshin për një grup biznesesh me thithjen e investimeve të huaja, zhvillimin e sektorëve të rëndësishëm që do të sillnin ndikim në ekonomi dhe kualifikimin e fuqisë punëtore nga grupe me eksperiencë në këtë fushë.
Që nga viti 2015 kur ligji për “Investimet Strategjike” hyri në fuqi dhe deri më sot, nisma ka prodhuar më shumë skandale se investime, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pambarimisht shtyrjen e afatit të ligjit.
Nisma supozohej të përfundonte efektet në dhjetorin e vitit 2018, por është shtyrë katër herë duke lënë së fundi përfundimin e fuqisë së tij në dhjetor të vitit 2024.
Shtyrja e ligjit për investimet strategjike dhe ndryshimi i atij për zonat e mbrojtura u dukën një koiçidencë rastësore deri në publikimin e planeve të dhëndrit të ish -presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili lançoi në një intervistë në Bloomberg, planin për të ndërtuar resorte turistike në ishullin e Sazanit dhe në plazhin e Zvërnecit.
“Ky është një ligj që nuk e kanë bërë me porosi, por e kanë qepur për veten e tyre. Shumë nga investimet strategjike janë përfituar nga ministrat e qeverisë Rama.” thotë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Agron Shehaj.
“Nuk ka në zona të mbrojtura resorte me 5 yje, në asnjë vend të botës. Do ishte më e ndershme që krahas qëllimit të shpallur për zhvillimin e tyre, të pranohet që ne nuk do të kemi më zona të mbrojtura.” thotë Olsi Nika nga ‘Eco Albania’.
Kushner njoftoi planin për të investuar afro 1 miliard euro në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, disa orë përpara publikimit të artikullit të të përditshmes amerikane Neë York Times, e cila e kishte kontaktuar disa herë për të komentuar mbi një artikull që po shkruante për këtë investim.
Sipas New York Times, dhëndri i ish presidentit Trump ka vizituar dy herë Shqipërinë bashkë me gruan e tij Ivanka, të shoqëruar nga ish-ambasadori e SHBA-ve në Gjermani në vitet 2018-2020 Richard Grenell, i cili ka qënë dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për marrëveshjen e paqes mes Serbisë e Kosovës. Në këto takime çifti Kushner janë shoqëruar dhe nga Asher Abehsera, një invetitor në fushën e pasurive të patundhshme me bazë në Kaliforni.
“Zhvillimi i një zone si Sazani dhe pjesa e Zvërnecit duhet t’i ishte nënshtruar një debati. Ka njerëz që i shohin si asete mjedisore që duhet të ruhen dhe ka që mendojnë që duhen zhvilluar dhe duhet të përfitojmë nga ana ekonomike. Unë jam për zhvillimin e tyre, por ndahem te mënyra se si po tentohet të zhvillohen.” thotë Pano Soko, ekspert ekonomie.
Jared Kushner zotëron një kompani në investimesh, Affinity Partners, ku 2 miliard dollarë janë para të investuara nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite dhe qindra miliona dollarë nga fondet e familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe në Katar. Grupi është në bisedime me një nga kompanitë më të mëdha shqiptare, Kastrati, për të asistuar për ndërtimin e projektit në nivel lokal, ndërsa në tetor 2022, Shefqet Kastrati bleu një shtëpi në Indian Creek në Florida me vlerë 7.5 milion dollarëm në afërsi të vendit ku jetojnë Ivanka Trump dhe Jerad Kushner. Vitin e shkuar kompania Kastrati bleu gjithashtu një hotel në Miami me vlerë 55 milion dollarë, që zotërohej nga familja mbretërore e Katarit.
“Këto janë vendime politike dhe ndalohen vetëm me votë dhe duhet thënë që dhe ndalimi me votë po bëhet gjithnjë dhe më i vështirë dhe të gjitha këto që po ndodhin bëhen që rotacioni politik të bëhet i pamundur.” thotë deputeti Agron Shehaj.
Vetë ambasadori i mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë ka shpallur planin për të investuar vlera me 200-300 milion dollarë në fushën e infrastrukturës në zonën e qarkut të Vlorës. Ndërsa në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, në janar të vitit 2021, presidenca e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta akuzoi Ministrinë e Financave se kishte shkelur Kushtetuën pasi nuk kishte marrë plotfuqishmërinë e Presidentit për të ndryshuar marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim. Huaja me vlerë 30 milion dollarë, kishte fillimisht si qëllim financimin e rrugës së Lumit të Vlorës, por fondet më pas u orientuan për të financuar rehabilitimin e rrugës Vlorë -Orikum.
“Unë nuk besoj se në Amerikë presidenti apo kushdo tjetër do i falte mnjë ishull dikujt në konflikt interesi kujtdo qoftë ai.” shton Shehaj.
“Ne një ishull kemi dhe duhet të marrim më të mirën, jo vetëm nga ana ekonomike por dhe fiskale. Mos të harrojmë që urbanizimi i asaj zone do të kërkojë shifra marramandëse në infrastrukturë, drita, ujë, kanalizime dhe këto do t’i paguajmë ne.” sqaron Soko.
Më shumë se për pikëpyetjet që lidhen me interesat financiarë, ekspertët shtrojnë për diskutim çështjen e ligjeve të bëra me porosi, duke e trajtuar të tillë shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike dhe lënien në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit për të vendosur nëse duhet ose jo të ndërtohet në zonat e mbrojtura. Ishulli i Sazanit është pjesë e Parkut Kombëtar Sazan- Karaburun dhe zona detare përreth tij është zonë e mbrojtur bashkë me pjesën e brigjeve të Zvërnecit.
“Delta e lumit Vjosa është një nga më të ruajtuarat në kuptimin ekologjik sepse ka një vijësimi të ekonsistemit dhe vazhdon në pjesën ranore. Vetëm në këtë pjesë ne kemi dunat e pastabilizuara ranore, kemi ekosistemit e zhvendosjes së lumenjëve dhe deri në laguna siç është ajo e Nartës.” shpjegon Olsi Nika.
Projekti potencial për të marrë statusin ‘strategjik’ i dhëndrit të ish Presidentit amerikan Donald Trump nuk është i vetmi që prek zonat e mbrojtura. Komiteti i Investimeve Strategjike, një strukturë e posaçme e cila vlerëson aplikimet e bizneseve në sektorë të përzgjedhur, i ka hapur rrugë ndërtimeve të hoteleve dhe komplekseve me vila brenda këtyre zonave ose shumë afër tyre, duke shkaktuar dëme të parikuperueshme në ekosisteme, mjedis dhe bukuritë historike që njhen si trashëgimi kulturore.
Në këtë hartë duken zonat e investimeve strategjike të dhëna në turizëm. Shumica janë në vijën e parë dhe zenë në total një sipërfaqe prej 20 milion metra katrorë.
Edhe pse këto zona janë klasifikuara të mbrojtura dhe Komiteti i Investimeve Strategjike është vënë në dijeni, ai ka dhënë dritën jeshile për të nisur ndërtimin duke i dhuruar dhe statusin e veçantë strategjik.
Komiteti është shprehur në vendime që koordinatat duhet të përcaktohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe është mjaftuar me një raport të vlerësimit në mjedis që kanë dorëzuar vetë sipërmarrësit e interesuar.
Një nga sipërfaqet më të mëdha që do të zhvillohen është ajo e kompanisë “Jonian Heaven” në Sarandë. 1.28 milion metra katrorë pritet të preken nga ndërtimet në zonën e mbrojtur të Kepit të Stillos që është njëkohësisht dhe Trashëgimi Kulturore. Projekti shtrihet në një pjesë Parkut Kombëtar të Butrintit dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Edhe projekti Manastri Resort prek Parkun Kombëtar të Butrintit.
“Edhe Parku i Butrinit është më kompleks, se nuk është vetëm pjesa arkeolgojike dhe pjesa tjetër trajtohet ‘si pika të vogla’ por që në territor nuk janë aq të vogla.” tregon Nika.
4 projekte strategjike në turizëm vendosen mbi Deltën e Përroit të Palasës, i shpallur Monument Natyre për bimësinë unike në botë që mban. Një tjetër ndërtim pritet të nisë afër Shpellës së Piratëve, zonë e cila jo vetëm që ka bukuri vizuale, por jetojnë fokat, gjitarët e detit.
Projektet hyjnë edhe në brendësi të fshatit Dhërmi në afërsi të objekteve të shpallura Trashëgimi Kulturore. Një prej tyre po ndërtohet në afërsi të Kishës së Ipapandisë.
Një nga vendet më të pazbuluara të Shqipërisë, të cilën mungesa e infrastrukturës e ka mbajtur larg syve të ndërtuesve është bregdeti i Kavajës. Peisazhet natyrore në këtë zonë janë mahnitëse, ndërsa Plazhi i Gjeneralit njihet si një nga më të bukurit e Adriatikut. Së fundi, investitorët strategjikë kanë vendosur flamujt edhe në këtë zonë.
Dy projekte: një në afërsi të Kalasë së Turrës e klasifikuar si Monument Natyre dhe një tjetër afër plazhit të Gjeneralit kanë marrë vulën për të nisur ndërtimin e komplekseve turistikë me vila dhe hotele. Në këto zona ndodhet Monumenti Natyror i njohur si “Foleza e Bardhorit dhe masivi bimor me dafina.
Sot dukuria e golemizimit po përfshin dhe bimësinë në gjirin e Lalëzit. Lalëzi po humbet jo vetëm pyjet me pisha por dhe dunat ranore të shpallura prej vitesh Monument Natyre.
Ndërtimet kanë marrë dritën jeshile edhe në Kepin e Rodonit, në bimësinë pyjore të Velipojës dhe Fushë-Arrëzit e së fundi dhe përgjatë lumit Vjosa, i cili është shpallur “Park Kombëtar”.
Depërtimi i dorës njerëzore në këto zona rrezikon prishjen e ekosistemeve dhe përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Por a do t’ia vlejë dhe a do të justifikojë sakrificën me zhvillim ekonomik? A është ky modeli i duhur?
Thithja e kapitaleve të huaja përmes ligjit të investimeve strategjike, mbeti e shkruar vetëm në relacionin shoqërues të projektligjit gjatë miratimit dhe ashtu duket se mbetën dhe efektet që do të prodhonte kjo nisëm.
Shumica e projekteve që janë miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike janë në fushën e turizmit, 31 projekte nga 42 që kanë marrë statusin special ‘strategjik’ në total. 6 të tjera janë në sektorin e bujqësisë, 2 në industri dhe 3 në energji.
Ligji për investimet strategjike, nuk ka vetëm turizimin sektor prioritar
Sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen: sektori energjetik dhe minerar, sektori transport, infrastructure, komunikime elektronike dhe mbetjet urbane, sektori turizëm, sektori bujqësi dhe peshkim, sektori zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zona me përparësi zhvillimin.” thuhet në Ligjin për Investimet Strategjike.
Devijimi i sektorëve prioritarë, jo vetëm ka deformuar parimet kryesore të ligjit por është duke u përdorur nga grupet e bizneseve si një mundësi e artë për të përfituar tokë falas. Investitorët që marrin statusin ‘strategjik’ përfitojnë tokë në këmbim të vlerës simbolike 1 euro, por po ashtu kanë fuqi që të shpronësojnë me çmimet e referencës dhe jo vlerën e tregut tokat private. Raste të tilla janë konstatuar me investimet strategjike në qarkun e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës.
“Ligji në Shqipëri e ka bërë kryeministrin pronar të zonave të mbrojtura dhe tokave. Ai thotë kur të dojë dhe si të dojë, këtu në këtë zonë të mbrojtur do të ndërtohet dhe këtu nuk do të ndërtohet. Ai vendos fatin e pronarit të tokës. Po të shohim nuk ka asnjë investitor të huaj që vjen në Shqipëri dhe jo se i kemi frikësuar, por as nuk guxojnë të vijnë për shkak të shklejeve të parimeve të konkurrencës.” thotë deputeti Agron Shehaj.
Përveç sektorit të turizmit, i cili de facto mbështetet te industria e ndërtimit, qëllimi kryesor i ligjit të pompuar me të madhe ishte thithja e sa më shumë kompanive të huaja për të ardhur në Shqipëri. Në 8 vjet të funksionimit të këtij ligji në Shqipëri, investimi i vetëm i huaj që ka përfunduar dhe ka dhënë efekte në punësim dhe rritje të fuqisë së industrisë në vend është fabrika e prodhimit të pjesëve të makinave e firmës koreane Yura Corporation e vendosur në qarkun e Fierit.
Së fundi, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar këtë status për dy kompani të huaja për të investuar në fushën e energjisë, njërin për parqe me erë ne Balldren të Lezhës dhe një tjetër nga kompania Eralb Invest në Tropojë, investime që janë në fazën fillestare të tyre.
Një tjetër në fushën e bujqësisë nuk dihet se në cilën fazë investimi është, ndërsa kanë nisur dy investime të huaja, njëra në zonën e gjirit të Lalzit nga Omnix Albania që është me kapital shqiptar dhe të huaj dhe po ashtu investimi në Durrës Marina nga kompania Eagle Hills Real Estate dhe shteti shqiptar. Investimet janë gjithashtu në fazën fillestare dhe mbështetin modelin ekonomik në parashitjet.
Projekti ‘Jonian Heaven’ nuk ka ecur dhe i ka përfunduar afati për pajisjen me statusin përfundimtar strategjik. Edhe projekti Cape of Rodon faza 1, i cili ka paraqitur një plan ambicioz për të investuar 51 milion euro ka mbetur në letër, ndërsa statusi si investitor strategjik i përfundon në korrik të këtij viti.
Një tjetër investitor shqiptar i bashkuar me një grup me bazë në Zvicër Finsec, kanë arritur të marrin statusin investitor strategjik për projektin Marina Hills në bashkinë e Kavajës.
Kompania investitore nga Zvicra ka një historik problematik në përfundimin brenda afateve të marinës turistike në Kalanë e Turrës dhe kontrata për atë projekt është në shkelje të përsëritura të afateve.
Një tjetër projekt strategjik ishte ai ndërtimit të Termocentralit të qymyrit në Korçë, investim që më pas u revokua nga autoritetet vendore për shkak të ndotjes që shkaktonte në mjedis dhe sot po përball Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Së fundi, Komiteti i Investimeve Strategjike revokoi të drejtën ëpr të dnërtuar një hotel bulevardin e ri të kryeqytetit grupit nga Arabia Saudite Al Shiddi dhe i dha statusin strategjik për një projekt të ngjashëm me kazino projektit The Cliffs, kompani me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përfaqësues shqiptaro – amerikanë.
Në total janë 11 grupe shqiptaro – të huaja që kanë marrë këtë status, prej të cilëve vetëm 2 firma janë tërësisht të huaja dhe vetëm 1 ka përfunduar.
“Misioni i këtij ligji ishte që të thërrësinim sa më shumë investitorë të huaj dhe t’ia bënim jetën më të lehtë nga pikëpamja fiskale dhe proceduriale, çfarë pamë pas kaq vitesh të zbatimit të ligjit ishte që u përdor gjerësisht nga njerëz të lidhur me pushtetin për të grabitur prona shtetërore dhe private në zonat më të mira dhe shohim që as 10% e investitorëve nuk janë të huaj.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Sot pyetja që ngrihet është se çfarë zhvillimi i kanë sjellë ekonomisë së Shqipërisë projektet që zyrtarët e lartë i kanë dhuruar këtyre bizneseve?
Në total, vlera e projekteve të miratuara në fushën e turizimit është 4 miliard euro, ku 2 miliard janë vetëm nga projekti Durrës Yacht Marina dhe 784 milion euro janë në qarkun e Vlorës.
Nga këto projekte, janë 10 investime që kanë nisur të zbatohen që në vitin 2016 dhe kanë përfunduar ose janë drejt fundit të tyre, ndërsa 6 të tjera nuk kanë filluar ende dhe një pjese të tyre i ka përfunduar afati.
Ekonomia nominale për qarkun e Vlorës duhet të ishte rritur minimalisht me 150 milion euro në vit, nëse projektet do të kishin ecur sipas planit, por sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ekonomia në këtë rajon nga viti 2016 deri më sot është rritur me 45 milion euro në vit.
“Angazhimi i qeverisë shqiptare përballë Bashkimit Europian është që ne do të sjellim në BE 20% të territorit zonë të mbrojtur. Por nuk mund të jetë e mbrojtur Delta e Palasës me gjithë atë masiv ndërtimi aty.” thotë Olsi Nika nga ‘Eco Albania’.
Një tjetër aspekt që duhet të shihet është edhe kriteri ligjor i numrit të vendeve të punës që hapin këto projekte. Që të marrësh statusin strategjik në turizëm, ligji kërkon që të hapësh mbi 80 vende pune. Por po të shohësh në detaje, projektet strategjike kanë vendosur shifra kontradiktore.
Për shembull, projekti i kompanisë Delta në Dhërmi, tregon se do të investojë 155 milion euro dhe do të hapë 200 vende pune. Një tjetër projekt është Dhërmi Resort, në pronësi të Gazmend Pajës dhe Lulzim Mehmetaj. Këta të dy kanë dërguar në Komitetin e Investimeve Strategjike një projekt me vlerë investimi 13 milion euro dhe do të hapin po 200 vende pune. Vlera e investimit është 140 milion euro më pak, por premtojnë se do të punësojnë të njëjtin numër.
Sipas dokumentave, vetëm projektet e dhëna në turizëm, duhet të sillnin punësimin e 20.623 personave. Kronos iu drejtua zyrtarisht përmes një kërkese për informim Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve për të pyetur për numrin e personave të punësuar, ecurinë e projekteve dhe revokimet e statusit të investitorit strategjik. Por në përgjigje thuhet se nuk është kjo agjenci që bën monitorimin, dhe këto të dhëna merren nëse kompanitë kanë lidhur marrëveshje me autoritetet, nëse ka një të tillë.
“Për çdo projekt investimi për të cilat me vendim të Këshillit të Investimeve Strategjike është miratuar një nga masat mbështetëse që parashikon legjislacioni në fuqi, ekzekutimi i masës realizohet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave dhe një kontrate të lidhur me autoritetin kompetent. Në këtë rast kontrata e lidhur i nënshtrohet monitorimit nga autoriteti kompetent sipas kushteve të miratuara dhe dakordësuara mes palëve. Referuar të gjitha projekteve strategjike të miratuara, numri i atyre projekteve për të cilat është lidhur kontratë me autoritetin është 11.” thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve
Agjencia për Zhvillimin e Investimeve që asiston këtë proces, pranon se vetë ligji le të hapur hapësirën për të abuzuar me vlerën e investimit dhe numrin e të punësuarve dhe monitorimi ndodh vetëm për kontratat që lidhen me institucione të tjera, por për angazhimet që merren në kontratë.
“Është lënë e paqartë se cili është autoriteti që duhet të monitorojë investimet strategjike. Plani i investimit dhe numri i punësimit është i rëndësishëm. I kemi dhënë këto lehtësira por ne çfarë kemi përfituar?” konstaton eksperti Soko.
Për ekspertët dhe komunitetin e biznesit, ligji për investimet strategjike nuk duhet të veprojë më, pasi ka përfunduar duke deformuar konkurrencën. Projektet nuk kanë vetëm mangësi në përmbushjen e detyrimit për të zbatuar afatet e ndërtimit dhe numrin e punësimeve, por janë miratuar në kushtet kur shumë kompani nuk justifikojnë kapacitetet financiare.
Gjysma e investitorëve strategjikë në fushën e turizimit, kanë dorëzuar si kapacitet financiar një letër interesi kredie nga bankat e nivelit të dytë, ose kontratë sigurimi nga kompanitë e siguracioneve.
Bilancet e tyre sa u takon kapitalit apo të ardhurave, janë në vlera modeste, duke ngritur pikëpyetje të mëdha se ku do të gjenden qindra miliona euro për të bërë këto investime? Për ekspertët, vetë ligji ka hapësira që lejojnë depërtimin e parave të pista, pasi ka si kusht që firma të ketë vetëm 10% të vlerës së investimit.
“Fakti që investimet strategjike janë të drejtuara më shumë drejt turizimit është për shkak të dumpimit që i ëhstë bërë në Shqipëri sektorit të pasurive të patundshme nga një para me burim të paqartë ku brenda janë dhe aktivitetet kriminale droga dhe trafiku, por dhe korrupsioni.” thotë Soko.
Përveç përfitimit të benefiteve në natyrë siç është toka dhe shfrytëzimi i plazhit, investitorët strategjikë kanë të drejtë të kërkojnë vendime administrative që prodhojnë pasoja sociale si prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimin e moslegalizimit të shtëpive nga autoritet duke prodhuar edhe pasoja sociale.
Një nga shembujt më konkretë është rasti i kompanisë Imperial Group për projektin “Silver Sand” në Velipojë, ku kërkohet prishja e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimi i moslegalizimit të shtëpive të ndërtuara pa leje nga autoritet, ndërsa një nga aksionerët e këtij investimi Pëllumb Gjoka është në masën e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal.
Raste të ngjashme janë denoncuar nga opozita për dhënien e favoreve përmes statusit strategjik njerzve të afërt të ministrave në qeverinë Rama.
“Ligji ka patur si qëllim të qartë: moslejimi i garës për të vjedhur pa shkelur ligjin dhe marrja e pronave shtetërore dhe private. Me firmën e kryeministirit është shapllur ministrja e kabinetit të tij në atë kohë Olta Xhaçka investitore strategjike. Kërkuam heqjen e mandatit sepse kishte shkelur Kushtetëtuën e çuam në Gjykatë Kushtetuese për t’i hequr mandatin asgjë nuk u bë. Kemi rastin e ‘Manastiri Resort ku përfitues janë të afërt të ish ministrit Damian Gjiknuri dhe kjo zonë u hoq dhe nga zona e mbrojtur. Kemi rastin e aktorit të humorit që është antar i PS në Këshillin Bashkiak…” tregon deputeti Agron Shehaj.
Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar shtyrjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, ndërsa mbetet për të parë nëse do të vazhdojnë deri në fund betejën për ta dërguar këtë nisëm në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm për shkeljen e parimit të barazisë dhe të drejtës së pronës, të cilën në të shkuarën kjo gjykatë e ka konsideruar legjitime, por për të dërguar raporte të efekteve të ligjit dhe fuqinë paravepruese të tij që në janar të këtij viti dhe pse shtyrja u miratua më 4 mars të këtij viti.