Një pyetësor është hartuar së fundmi mbi vlerat tek të cilat besojnë më shumë shqiptarët. Ata janë vendosur këtë herë përballë pyetjeve për veprime apo fenomene si prostitucioni, homoseksualiteti, aborti, marrëdheniet seksuale, divorci e të tjera.
Për të kuptuar tolerancën ose jo të shoqërisë sonë në raport me këto vlera, 1000 persona mbi 18 vjeç janë pyetur ballë për ballë si në çdo studim tjetër. Vlerat e përgjigjes tregojnë se shoqëria jonë ka një mungesë tolerance për fenomene nga prostitucioni tek homoseksualiteti apo aborti dhe divorci, por në vlera të ndryshme për secilën nga ato.
Në listën e fenomeneve të mësipërme dallohet se vlerat më të larta të mospranimit apo mosjustifikimit janë për prostitucionin. Rezultatet e anketimit tregojnë se 91,2% nuk e justifikojnë prostitucionin, 85,5% nuk justifikojnë homoseksualitetin, 77,2% nuk e justifikojnë abortin.
Po kështu përqindje e lartë e mosjustifikimit është edhe për marrëdhëniet seksuale spontane 64.8%, divorci mbetet ende në vlera të larta me gjithë shifrat në rritje me 47,8 % të të anketuarve që shprehen se nuk e justifikojnë atë, dhe vlerën më të ulët në përqindje për mospranimin si veprim shqiptarët e kanë për marrëdhëniet seksuale para martese.
Dënimi me vdekje, një tjetër çështje që ndan vlerat dhe pozicionimin e një shoqërie në raport me jetën, vdekjen dhe legjislacionin, është vënë në fokus të mendimit të qytetarëve. Pyetjes “A është tërësisht i justifikuar apo aspak i justifikuar dënimi me vdekje?”, qytetarët i janë përgjigjur në 63,4 % me mosjustifikim.
Pjesa tjetër e të intervistuarve e justifikojnë dënimin me vdekje, por gjithsesi janë pakica në raport me ata që e konsiderojnë tërësisht të pajustifikuar dënimin me vdekje. Barometri i ka pyetur qytetarët edhe për disa veprime për të cilat edhe në vende dhe shoqëri më të zhvilluara ka ende debat. Vetëvrasja dhe eutanazia, janë disa argumente të cilat edhe në shoqërinë tonë janë të vështira për t’u pranuar.
Mes 1000 qytetarëve të intervistuar ballë për ballë, pyetjes: Cili nga veprimet e mëposhtme si vetëvrasja dhe eutanazia është tërësisht e pajustifikuar, 93.3 % përgjigjen se vetëvrasja është tërësisht një veprim i pajustifikuar dhe 89% mendojnë se eutanazia është gjithashtu një veprim i pajustifikueshëm./EuroNews