Nga kontrollet që forcat RENEA kanë bërë për të gjetur të shumëkërkuarin e policisë Eljon Haton janë zbuluar disa detaje të reja.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve në zonën e Saukut është gjetur një makinë e blinduar e cila dyshohet se i përket kushëririt të Ervis Martinajt, Emiljano Ninës.
Kujtojmë se Emiliano Nina ndodhet në paraburgim pasi u arrestua në tetor të vitit të kaluar si personi që shkaktoi aksidentin e frikshëm te Diga e Liqenit të Tiranës në 22 gusht të 2023-it.
Makina e gjetur nga forcat RENEA përdorej nga një person me emrin Olsi Gjoshi, i cili është shpallur në kërkim së bashku me kushëririn e Martinajt.
Brenda makinës kishte armë zjarri tip pistoletë dhe automatik, municion luftarak si dhe një bllokues valësh.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:
Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.
Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.”- thuhet në njoftimin e policisë.