Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka prezantuar sot në konferencën për mediat ndryshimet e fundit në listën e futbollistëve kuqezinj për miqësoret e marsit ndaj Kilit dhe Suedisë.
Trajneri ka shpjeguar se këto ndeshje do të shërbejnë për të bërë disa testime të rëndësishme për grupin kuqezi, në funksion të Europianit. Silvinho i pyetur për listën përfundimtare me futbollistët që do të marrin pjesë në Europian, shtoi se do të jetë një zgjedhje e vështirë, por për këtë duhet pritur muaji maj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, Silvinho gjithashtu deklaroi se dera e Kombëtares është gjithmonë e hapur për këdo dhe këtë e provoi afrimi i Arbër Hoxhës pas paraqitjeve të mira me Dinamo Zagreb.
Mungesat e Dakut, Mujës dhe Gjasulës – Kanë bërë një rrugëtim të rëndësishëm te ne, kanë bërë mirë, janë lojtarë që i kam në konsideratë, padyshim. Nuk janë këtu jo për zgjedhje teknike, kam nevojë që të shoh lojtarë. Ajo dhimbje koke për zgjedhjen është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një trajneri. Dua ta kem këtë dhimbje koke. E persërit që janë lojtarë të rëndësishëm, janë në konsideratë. Janë pjesë e planeve, por sot nuk mund të marr 30-35 lojtarë, por duhet të shohim lojtarë si Manaj që vjen për herë të parë e Broja për të dytën, por u largua për dëmtim herën e parë. Apo Hoxha të cilin ne e ndjekim prej tre muajsh. Ai është i djathtë që luan majtas, më pas do të flas me të po ai është 100% në krahun e majtë. Të shohim pastaj a mund të luajë edhe në krah tjetër, duhet të vëzhgojmë lojtarë. Nuk është i lehtë vëzhgimi.
Sa i përket ekuilibrit të skuadrës, jam i kënaqur. Edhe ana ofensive dhe mbrojtëse, kemi mbyllur një kualifikuese të rëndësishme si mbrojtja më e mirë, jam i kënaqur nga mbrojtësit, mesfushorët, por edhe sulmuesit, se mbrojnë të gjithë, për ekuilibrin. Duhet të bëjmë vëzhgime. Vëzhgimi nuk është vetëm lojtari brenda fushës, shihet që kur vjen, në stërvitje, në çdo ushtrim në seance, padyshim edhe në ndeshje. Por jo që një lojtar është 30-35 minuta në fushë dhe shihet, shihet gjithçka për të kuptuar çfarë bën, që në momentin kur mbërrin të dielën. Ne shohim sjelljen e çdo lojtari. Nuk cilësohen më miqësore, të dy skuadrat janë shumë të forta, Kili ka lojtarë të rëndësishëm, është shkollë futbolli teknike, ka lojtarë si Sançez, Vargas, Diaz, ka lojtarë të rinj si Perez. Suedia është shumë e fortë, vlera individuale të çmendura, nivel i lartë, ka lojtarë të Mançester, Atalanta, Totenhem apo Volfsburg. Nuk ka miqësore, e dimë që duhet të luajmë në nivel më të lartë se përballë ka nivel më të lartë, duhet ta provojmë dhe të përmirësohemi
Lista e Europianit? Unë dhe stafi nuk mund të harrojmë rrugëtimin me lojtarët që na ndihmuan. Të gjithë marrin 25-26, ndokush 27 lojtarë, në këto miqësore është momenti të provosh diçka, të shohësh lojtarë.
Unë mendoj se vuajtjet për listën janë nga maji, sot nuk mendoj aspak këtë pikë. E vërtetë që kemi bërë një rrugëtim dhe kemi dy ndeshje, duhet vlerësuar gjithçka. Në këtë moment jemi të përqendruar te këto ndeshje. Pastaj kur të nisë prilli, në zyrë, rishihet gjithçka, që nga ndeshja e Polonisë në Varshavë dhe vlerësohet. Aty po, si ish-lojtar e di që është e vështire, por tani nuk e mendoj aspak. Tani jam i përqendruar te ndeshjet dhe te vëzhgimi.
Unë nesër do jem i pari në fushë, që në mesditë, se është puna jonë, duhet të rritim nivelin e lojës në çdo aspekt, në fazën e mbajtjes së topit dhe jo, në goditje standarde, se do të shkojmë të luajmë në një futboll të nivelit shumë të lartë. Zgjedhja është e vështirë, por t’ia lëmë këtë muajit maj.
Efekti i kthimit të Brojës e Manajt në grupin kuqezi? E lehtë të përgjigjesh, frikë kurrë. Ata e dinë që në ditën e parë se Kombëtarja është e hapur, ka qenë gjithmonë. Ne nuk jemi klub që kemi 26 lojtarë dhe presim merkaton të marrim një. Hoxhën, e ndjekim prej tre muajsh, më kujtohet ndeshja e fundit e pak ditëve më parë por që prej 15 ditësh ishte vendosur. Ne ndjekim shumë lojtarë dhe pastaj vëzhgojmë, vlerësojmë dhe ecim para, Unë jam i bindur për këtë ide, që Kombëtarja është e hapur. Kemi marrë në konsideratë të gjithë lojtarët, por në dhomat e zhveshjeve ka një raport të mirë mes të gjithëve dhe nuk mendoj se kjo situatë do të jetë ndryshe, asnjëherë.
Në fushë është në proporcion të shkosh të luash, fitosh, barazosh e humbësh. Ndodh. Kur shkojmë në fushë nuk mendoj ndonjëherë që të barazojmë. Më kujtohet ndeshja në Moldavi. “Trajner çfarë mendoni për një pikë?”. Është e pamundur, e pamundur! Pas 30 vitesh futboll nuk më kujtohet një strategji që kemi shkuar në fushë që të luajmë për të mos pësuar gol. Është e pamundur se pastaj e pëson golin. Nuk mund të shkojmë në fushë për të thënë ne do humbasim, jo, mendohet të fitojmë ndeshjen. Nuk e di a jeni të ndërgjegjshëm por Ajeti dhe Ismajli janë të dëmtuar, kemi parë situatën e tyre, kemi folur me mjekët, me Stezinen (mjekun Kombëtares), kemi folur me dy lojtarët. Nuk do rrezikojmë, janë jashtë, na vjen keq. Por kthehet Kumbulla, kemi Veselin, Mersinajn, duhet t’i shohim të gjithë. Për rezultatin pastaj punohet për të fituar, por unë nuk besoj prej shumë vitesh në fjalën miqësore”.
Lojtarët që nuk luajnë më rregullisht – Bajrami, Seferi, Kumbulla apo Broja, ju shqetëson kjo situatë? “Nuk mund të them që jo, por kështu është jeta e një futbollisti. Sa më shumë të luaj aq më mirë, por nuk i them lojtarëve të ndryshojnë apo jo skuadër. Sepse sa më shumë të luajë aq më mirë vjen në kombëtare. Por, nuk kam çfarë të bëj. Nuk them se nuk më shqetëson, më shqetëson”.
Kontrata?
Ne kemi një raport shumë të mirë me Kombëtaren. Të gjithë ne jemi të përqendruar te Evropiani, aty duhet shumë energji. Kemi një grup shumë të fortë. Kur të kthehemi nga Evropiani mund të flasim. Nuk jam aspak i shqetësuar për çështjen e kontratës.