Policia e Durrësit ka dalë me një komunikatë për shtyp në lidhje me krimin e regjistruar në Shënavlash të Durrësit, ku u ekzekutua me armë zjarri 50-vjeçari, Pëllumb Meta dhe ishte groposur pranë banesës së tij.
Autoritetet bëjnë me dije se janë arrestuar tre fëmijët e viktimës, Hygerta Meta 19 vjeçe, Hysen Meta 25 vjeç dhe Amarildo Meta 22 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ndërkohë që është vënë nën hetim edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita raportoi se nga hetimet ka rezultuar se në rolin e ekzekutorit ka qenë djali i madh i viktimës, Hysen Meta, i cili e denoncoi të atin të zhdukur në Polici. Shkaku i krimit, sipas Policisë kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare, si dhe nxitja e babait që vajza e tij të fejohej me një person pa dëshirën e saj.
Sipas Policisë, vrasja ka qenë e planifikuar dhe jo si pasojë e një konflikti të çastit. Në banesë është gjetur edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën ishte kryer krimi. Po ashtu është sekuestruar edhe një kallashnikov, si dhe arma e krimit dhe disa veshje, të cilat do t’i nënshtrohen analizave.
Vrasja e paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe më pas tre fëmijët e kanë transportuar trupin e pajetë të babait të tyre duke e varrosur pranë një kasolleje në oborr.
“Në datën 22 shkurt u arrit të zbulohej se nuk kishim të bënim me një zhdukje personi, por me një krim. U gjet trupi i viktimës, i cili ishte i varrosur në ambientet e brendshme të banesës. Viktima u zhvarros dhe pas ekspertizës rezultoi se ishte vrarë me armë zjarri. U gjetën provat dhe u arrestuan në flagrancë anëtarët e familjes, vajza dhe dy djemtë. Rezultoi se vrasja ka ndodhur në ambientet e brendshme të banesës, në një prej dhomave. Më pas trupi është varrosur në kasollen që ndodhej afër. Gjatë këtyre veprimeve është gjetur edhe një predhe armë zjarri me të cilën është kryer krimi. Janë gjetur pjesë të tjera të armëve të zjarrit, është sekuestruar kallashnikov, tesha të tjera të cilat do ti nënshtrohen analizave. Në tërësinë e hetimeve, u arrit që të gjendej edhe arma e krimit, pistoleta, në një zonë moçalore. Shtetasit e përfshirë në krim kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet familjare dhe nxitja prej babait që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj. Materialet janë dërguar pranë Prokurorisë Durrës dhe vazhdojnë veprimet e tjera me qëllim që të përcaktojmë persona të tjerë nëse ka të përfshirë”, tha Skënder Hita, Drejtori i Policisë Durrës.]
Sipas autoriteteve Policore, dyshohet se krimi ka ndodhur rreth mesditës së 13 Shkurtit. Uniformat blu kanë gjetur shenjat e gishtërinjëve të djalit të madh të viktimës, si në plastmasin me të cilin ishte mbështjellë 50-vjeçari i vrarë, po ashtu edhe tek arma e krimit.
Vlen të theksohet fakti se Hysen Meta, djali i madh i viktimës, ishte paraqitur në komisariatin e Durrësit rreth orës 22:30 të së martës së 13 Shkurtit, për të denoncuar zhdukjen pa gjurmë të të atit. I riu kishte deklaruar para uniformave blu se babai ishte larguar nga banesa dhe se familja (nëna, vëllai dhe dy motrat) kishte humbur kontaktet me të.
Pas këtij kallëzimi, efektivët nisur kërkimet dhe tre ditë më vonë (17 Shkurt) kanë gjetur automjetin e të parkuar të 49-vjeçarit në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Pas rreth 10 ditësh u zbardh edhe krimi i rëndë.
Fillimisht, vrasjen e Pëllumb Metës e mori përsipër vajza e tij, Hygerta Meta, e cila ka thënë se e ka vrarë të atin në kasollen e lopës me pistoletën që 49-vjeçari mbante për arsye të punës si roje nate dhe pasi e ka mbështjellë me qese, e ka groposur në oborr.
E reja nuk shprehu pendesë për vrasjen e të atit, të qëlluar 4 herë me armë zjarri, duke deklaruar se ai i “kishte nxirë jetën” asaj dhe familjarëve të tjerë. Sipas saj, ai donte ta fejonte me një emigrant shqiptar në Itali, pa dëshirën e saj.
“Nuk pendohem që e kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nenës time. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është me e madhja, është e martuar janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë. Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë ne familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfarë dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. Mu mblodh një urrejtje për një kohe te gjate. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armen qe babi përdorte kur shkonte ne pune si roje dhe e qëllova brenda kasolles se bagëtive. Pas krimit e kam mbështjelle me një çarçaf, pastaj me fasho e ne fund me qese. Armen e hodha buzë detit”, mësohet të jetë shprehur e reja.
Trupi i Pëllumb Metës me peshë 90 kg u gjet i varrosur 70 metra në distancë nga banesa në oborr, i mbështjellë me plasmas dhe varrosur 1.5 metra thellë.
Gruaja e viktimës, Blerina Meta është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se burri i saj ishte autoritar dhe ndonjëherë i dhunshëm, kur e kundërshtonin ne familje, por ka thënë se s’kishte dijeni për krimin.
Ndërkohë trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
Familja ishte me origjinë nga fshati Shën Mëri i Krujës përbëhej prej 6 anëtarësh, burri, gruaja, 2 djem e 2 vajza. Viktima punonte si roje tek tregu i makinave.