Me rritjen e ekonomisë për të tretin vit radhazi, pas “tkurrjes” së shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, punonjësit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë në Greqi, pritet të marrin paga më të larta.
Ritmet më të larta të rritjes, të cilat në raste të caktuara e kalojnë edhe 30%, shënohen në sektorët ku mbizotërojnë pagat e ulëta. Por, rritje të ndjeshme priten edhe në shkallët më të larta të pagave, veçanërisht në sektorët që konsiderohen ‘kyç’ për zhvillim si teknologjia, turizëm, energji, ndërtim.
Aktualisht, disa biznese si supermarketet dhe dyqanet e mëdha të shitjes me pakicë kanë zgjedhur të rrisin ndjeshëm pagat, ku paga e parë për një pozicion me aftësi të ulëta ka shkuar në 900-1000 euro, ndërkohë që nuk i ka kaluar 800 euro gjatë periudhës së mëparshme.
Në turizëm dhe hotelieri, pagat janë rritur ndjeshëm falë nënshkrimit të kontratave kolektive për punëtorët e sektorit, të cilat parashikuan një rritje të parë prej 5.5% në 1 janar 2023 dhe 5% shtesë nga 1 janari 2024, duke arritur në 877 – 956 euro në rolet më të ulëta hierarkike. Rritja totale e shkaktuar nga marrëveshja kolektive në pagat bazë vlerësohet në 30%.
Megjithatë, në sektorin e turizmit dhe hotelierisë pagat tashmë fillojnë nga 1100 euro bruto për pozicionin më të ulët në hierarki, duke shënuar një rritje prej 46% nga viti 2022. Kontratat kolektive të punës mbulojnë vetëm 24% të punëtorëve në Greqi, ndërsa në pjesën tjetër të Europës kjo përqindje arrin në 80%.
Megjithatë, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë pritet të shohin rritje në 2024 pasi kërkesa për punëtorë mbetet e lartë, me shumicën e punëdhënësve që raportojnë vështirësi të konsiderueshme në gjetjen e talenteve. Indikative, në supermarkete mungesat llogariten në rreth 8000 -10000.
Rritjet më të mëdha të pagave pritet të regjistrohen në sektorë të veçantë me kërkesë të lartë, si shërbimet e komunikimit, ku synimi për të punësuar tregon një rritje prej 33% në tremujorin e parë të 2024.
Synimi që ka vendosur qeveria për një pagë mesatare prej 1500 euro në vitin 2027 duket ende i largët. Por, po të merret parasysh edhe fakti se deri atëherë pritet të investohen rreth 90 miliardë euro në ekonomi, arritja e tij duket më e mundshme.