Është zbardhur dosja e plotë hetimore për grupin e narkotrafikut nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, goditur së fundmi nga SPAK, ku në pranga ranë disa persona, mes tyre zyrtarë dhe ish zyrtarë policie. Ndërsa në kërkim u shpall djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani dhe Ervin Mata, një personazh i njohur për drejtësinë.
Sipas dosjes së siguruar nga emisioni “Në ‘Shënjestër” Ervin Mata duket se ka pasur rolin e ndërlidhësit në trafikun e drogës midis bashkëpunëtorëve të tij në Amerikën e Jugut dhe Eralbi Breçanit, djalit të madh të ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, të cilit i kishte dhënë motrën për grua. I gjithë aktiviteti i tyre nis dhe zbulohet pas sekuestrimit të disa sasive me lëndë narkotike të kapura në portet e Evropës dhe që vinin nga Amerika e Jugut.
“Në muajin maj të vitit 2023 SPAK ka kërkuar informacione nga Brazili përmes letërporosisë për tentativën për trafikimin e një sasie prej 69 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar më datë 18 maj 2021, me nisje nga Sao Paolo Brazil dhe destinacion portin e Valencias, në Spanjë. Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion edhe Kolumbisë, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë prej 1 100 kg, ngarkesë e cila është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e doganës në portin Santa Marta në muajin Mars 2021”, thuhet në dosje.
Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lëndë narkotike të llojit kokainë, dërguar nga vendet e Amerikës së Jugut me konteinerin me numër SUDU8014835 me destinacion Antëerp dhe destinacion final shkarkimin në një magazine në Hollandë. Konteiner që rezulton se është transportuar nga Antëerp drejt Hollandës me kamion. Menjëherë pasi SPAK mori informacione lidhur mbi këto ngarkesa me drogë që po pushtonin ndërkohë Evropën dhe grupin kriminal shqiptar që dilte të ishte i përfshirë, kërkoi nga homologët e tij francezë, informacione mbi bisedat që ata kishin kryer në platformën e komunikimit Sky ECC. Aty nga ku nisi të zbardhej roli i ‘Bolit’, nofka me të cilën thirret Ervin Mata dhe të burrit të motrës së tij, Eralbi Breçani.
“Në ngjarjen e datës 5 janar 2021, ku rezulton se është sekuestruar një sasi prej 446 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Holandë, rezulton se informacioni i ardhur nga Oficeri i Kontaktit pranë Ambasadës së Mbretërisë së Holandës është si më poshtë: Ai ka informuar se ishte kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur ‘Maasvlakte’ në portin detar të Roterdamit, Holandë. Gjatë kontrollit në kontenier u zbulua një sasi droge si edhe u arresuar dy shtetas holandezë. Kontejneri rezulton se ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador. Gjatë analizimit të bisedave në Sky Eç, mes Ismail Zenelit me nofkën ‘Daja’, apo ‘Dajloki’ dhe “Transporter”, Eralbi Breçani me nofkën ‘Boli’ ose ‘Toni’, Besmir Murtati me nofkën ‘Kukësi” dhe përdoruesit të paidentifikuar me nofkën ‘Elb’ ose ‘Elb Nissan’, del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre shtetasve dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Po kështu evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antëerpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Hollandë”, thuhet në dosje.
Bazuar në punët për të cilat ata ishin ngarkuar të kryenin, gjithsecili prej shqiptarëve të përfshirë në këtë aktivitet kishte një detyrë të posaçme për të çuar deri në fund. Kështu, sipas grupit hetues, Ismail Zeneli mbante rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës si edhe të sigurimit të daljes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Eralbi Breçani kishte rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po kështu për shkak të lidhjeve të tij, kryesisht në Amerikën e Jugut, ai kishte krijuar kontakte edhe me anëtarë të tjerë të grupit që kishin udhëtuar në këto shtete, me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të lëndëve narkotike.
Në lidhje me Besmir Murtati, ky i fundit del se ishte porositësi dhe financuesi për blerjen e lëndës narkotike në Brazil. Por pjesa më interesante e të gjithë hetimit, janë bisedat tashmë të çkoduara midis grupit, por veçanërisht midis Ismail Zenelit dhe Eralbi Breçanit. Ku këta të dy diskutojnë rreth dërgimit të një ngarkese prej 500 kg të llojit kokainë nga Amerika e Jugut drejt Valencias.
Ismail Zeneli i shkruan Eralbi Breçanit dhe i dërgon mesazhe zanore: …Po kam fol por mi la për kët javë 100 për qind do bej 500 cop me dysheme, me çanta nuk nisi gjo, me ccyt thue ti
Eralbi Breçani: O dajlok se jam në makinë dhe nuk jam duke të shkrujt dot se edhe nuk shof mirë. Ça me të thënë, po presim këtë javë se ai tha po nisim këtë javë 500. Presim edhe kët javë ça me bo….
Në një tjetër bisedë në vazhdim Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin, ku duket se punët nuk janë edhe aq mirë dhe dikush nuk e ka mbajtur fjalën.
Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin për çështjen e drogës.
Murtati është i nxehur: ‘Tani më tha kam për Brazilin. Po leje thash ore na bëj ktë punën e Ekuadorit. Ai lekt smi ka dhënë mua mbrapa a kupton. I q…. robt mor burrë, jo sot, jo nesër, ma nxiu ftyrën.
Në një tjëtër bisedë Ismail Zeneli kujdeset me Eralbi Breçanin të ndajnë si duhet punët dhe po kështu edhe fitimet që nuk duken fort të këqija.
Ismail Zeneli bisedon me Eraldi Breçanin për ndarjen e drogës: ‘Gjithsej jemi 6 persona. Unë dhe…mbajmë nga 13.5 që bëjnë 27. Dhe ju te katërt nga 7 copë që bëjnë 28. Total unë me dy qunat e mi do paguj 27.5. Dhe ju keni, ‘Kuksi’ dhe ‘Toni’ 27.5. Kjo është them e drejta. Po jeni dakord na thuni. Duhet ti keni parasysh se tek 55 na marrin 30 %. Por duket se një situatë e papritur, e pakëndshme ua ka prishur sërish humorin, çunave. Të cilët po përballen me faktin që një pjesë e grupit që ishte angazhuar për nxjerrjen e drogës nga porti, ishte tërhequr nga kjo punë. Ismail Zeneli, personi përgjegjës për nxjerrjen e drogës nga porti, ka problematika lidhur me personat që do nxjerrin lëndën, pasi ata janë tërhequr dhe në chat grup ka nisur debati rreth kësaj situate.
Ismail Zeneli flet me Eralbi Breçanin dhe Murtatin për personat që kanë marrë përsipër nxjerrjen e drogës: ‘Daje të lutem thuj atyre sot a e boni punën, po ose jo, se janë përgjësi o daj. Un i mora punën përsipër atyre edhe grupi duhet të jet i sigurt, e bon ose se bon. Për mendimin tim ato jan tremb se nuk e bëjn dot punën mbase’.
Pas kësaj bisede Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani që janë dy kokat e grupit, shfaqin një tjetër hall. Atë se si do ta kalojnë drogën në skaner pa u vënë re. Ismail Zeneli flet ne grup me Eralbi Breçanin dhe Besmir Murtatin. Ata shprehin shqetësim se si do kalojë ngarkesa në skaner: ‘Dajlok e bëjm prove 150-200 si fillim, Ska problem pse marrin 25 %. Ta shikojm si pun…
Zeneli: E kemi me shtet…
Murtati: Nuk njofin humbje?…
Grupi flet që nëse nuk njihet humbja në Brazil këta nuk do të njohin humbjen në Valencia. Por duket se grupi dështoi në transfertën e drogës nga porti holandez dhe më tej. Kjo pasi lënda narkotike u kap nga autoritetet ligjzbatuese në këtë vend, gjë që vihet re edhe në bisedat midis tyre, të cilat janë të shqetësuara.
“Në bisedën e zhvilluar këtë datë, dyshohet se është gjetur dhe sekuestruar nga policia holandeze një sasi prej 446 kg kokainë e fshehur në dyshemenë e konteinerit. Kjo sasi, dyshohet se ka lidhje me bisedën e dates 16 dhjetor 2020 ku D…. i thotë shtetasve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani që në ngarkesë ka futur edhe 10 kg për secilin nga to. Kjo është arsyeja përse personat janë aktivë dhe interesohen se si është kapur ngarkesa e kokainës. Një tjetër episod i trafikimit të drogës nga Brazili në Evropë, është edhe ai i 69 kg kokainë në portin e Valencias. Ku edhe në këtë transport emrat e përfshirë janë ata të Eralbi Breçanit, Ismail Zenelit dhe Besmir Murtatit”.
“Më datë 18 Shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar. Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador. Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil. Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier. Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil”, thuhet në dosje.
Në një nga bisedat që lidhen me këtë transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, i ekzekutuar disa kohë më pas në Ekuador, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos Dashi, u bën ndonjë lojë.
Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin: Duke qenë se nuk kanë besim tek Ergys Dashi për shkak se po vonon nisjen e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut. Në bisedë, Ismail Zeneli thotë: ‘Ishallah s’na del dardhë’.
Por ndërkohë grupi nuk kujdesej vetëm që droga të kalonte e qetë matanë rrethimit të porteve në Evropë, por edhe të lante disa hesape të vjetra, ashtu edhe si në rastin e vëllezërve Nela, për të cilët Ismail Zeneli, besonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe. Dhe që shumë vite më pas, Ismail Zeneli mendonte se kishte ardhur koha të hakmerrej. Dhe të porosiste vrasjen e tyre.
Episodi në lidhje me sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve Edmond dhe Albert Nela: Më datë 18 Maj 2013, rezulton se në rrugën ‘Church Road’ në qytetin e Kentit në Angli, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Xhem Krasniqi me kombësi shqiptare. I cili ka mbetur i plagosur në pjesën e barkut dhe disa ditë më pas ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra.
Në momentin që u qëllua me armë zjarri, Xhem Krasniqi ishte i shoqëruar nga nipi i tij, shtetasi Kelmend Murataj dhe vëllai i tij, shtetasi Ismail Zeneli.
Autorë të dyshuar për këtë ngjarje kanë qenë shtetasi shqiptar Edmond Nela, i cili pas një gjykimi në Mbretërinë e Bashkuar, u shpall i pafajshëm, si dhe në momentet e para u kërkua nga policia e Sussex edhe vëllai i tij. Në vitin 2020, shtetasi Ismail Zeneli alias Luan Sadria, ka komunikuar me shtetasin Bujar Ajeti alias Bujar Gërmizi. Nga bisedat dyshohet se Ismail Zeneli ka qenë i interesuar në gjetjen dhe vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij Xhem Krasniqi alias Guximtar Sadria dhe për realizimin e qëllimit kriminal ka kontaktuar shtetasin Bujar Ajetin. Shtetasi Ismail Zeneli ka kryer disa takime me shtetasin Bujar Ajeti në Shqipëri dhe gjithashtu ka kryer disa veprime me qëllim identifikimin e banesës së vëllezërve Nela.
Ky është edhe momenti kur në lojë për sigurimin e informacioneve për vëllezërit Nela futet edhe Dedan Gjoni. Deri para arrestimit, shef i krimeve në komisaratin nr 6 në Tiranë.
“Bujar Gërmizi, ka krijuar nëpërmjet përdoruesit JTD0FN, kontakt me punonjësin e policisë Dedan Gjoni, identifikuar si përdorues i Sky EÇ DM16CF, me të cilin ka vënë kontakt dhe nëpërmjet tij ka arritur të gjejë adresa dhe automjete nga sistemit e Policisë së Shtetit për vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Ismail Zeneli i dërgon Bujar Gërmizit disa foto të sistemeve që përdorim agjencitë ligjzbatuese, konkretisht dy fotografi personash të ngjashme me fotografitë që paraqiten në sistemin TIMS, si dhe disa fotografi të rubrikës së hyrje-daljeve të sistemit TIMS për poseduesin e dokumentit të udhëtimit 50 7415890- GB dhe 524910311-GB po ashtu dërgon një fotografi të sistemit E-Gjoba ku evidentohet targa AA892IA dhe pronari i mjetit, Albert Beqir Nela”, thuhet në dosje.
Pasi oficeri i policisë Dedan Gjoni i siguron këto informacione Bujar Gërmizit, ky i fundit ia kalon ato Ismail Zenelit. I cili duke shfrenuar gjuhën, gati sa nuk i vjen plasja që këtë informacion nuk e kishte më herët kur njëri nga vëllezërit Nela ishte në Shqipëri.
Teksa dërgon këto fotografi, HFNERI në orën 08:15, shtetasi Ismail Zeneli i shkruan që: I pasna patur aty…. Moter…. Edhe nga Luton… Me avion….Noshta a në Kosovo….O ka dal anej e ka hy ne këmb…Dhelpra jan…Jan shumë tinzak…’. Atij të voglit me ja hup b… o mik, njanit, cilit të vije. Ky i vogli a kupton, është bash ai kryesori, tash të shofim…..
Por Ismail Zeneli nuk e le me kaq. Edhe pse vëllezërit Nela shfaqen shumë rrallë në Shqipëri dhe qëndrojnë këtu në intervale të shkurtra kohore. Ai ndërkohë interesohet te Besmir Murtati në Britaninë e Madhe, mos u gjej adresën vëllezërve.