Analisti Neritan Sejamini ka komentuar hetimet e SPAK për aferën e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Sejamini tha se koncesionin 100 milionë euro e mori një person krejt i panjohur në fushën ku operonte, ndërkohë që e gjithë administrata u shërben interesave dhe urdhërave të politikës.
Sejamini ngriti pikëpyetje për hetimet e stërgjatura të SPAK, duke thënë se ato u zvarritën edhe për ish ministrin Beqaj.
“Si ka mundësi që prokuroria heton katër vjet dhe pas katër vjetësh, thotë gjëra që diheshin që në fillim? E ka zvarritur. Si ka mundësi prokuroria vajti herën e parë në gjykatë dhe nuk kishte përfshirë zotin Beqaj, kur të dhënat që dalin sot tregojnë se ka qenë i përfshirë? Si ka mundësi, që një njeri nga rruga, që nuk është fare i kësaj fushe, nuk ka asnjë lloj ekspertize, nuk ka asgjë, me 1500 euro, vjen dhe merr koncesion 100 milionë euro? Këtë nuk na e ka shpjeguar ne prokuroria.
Prokuroria edhe në këtë rast, merret me dëme të vogla dhe gjëra anësore, por nuk po zbërthen thelbin.
Dua të theksoj një temë që e theksoj vazhdimisht. Është një shembull që tregon se administrata jonë publike, punonjësit civilë, të cilët nuk janë punonjës partiakë dhe kanë për detyrë të zbatojnë ligjin, janë kthyer në shërbëtor të politikës, jep urdhër shefi me telefon dhe ata bëjnë letrat. Administrata publike në vend të zbatojë ligjin bën letrat. Kemi juristë, ekonomistë, ekspertë, financierë, ekspertë shëndetësie, të cilët bëjën letrat me urdhër të ministrit. Administrata publike ka një rol të rëndësishëm, të zbatojë ligjin dhe që politikbërja të jetë në shinat e ligjit dhe efikase.
Si ka mundësi, që me qindra, mijëra, punonjës publikë marrin urdhër të bëjnë letrat, bëjnë letrat dhe askush nuk ankohet dhe nuk ngre shqetësime? Ky është nje problem që nuk e themi, administrata jonë publike është e shkatërruar, shërbëtore e madhe e politikës.
E dyta, është rasti i dytë kur vjen një privat nga hiçi, me një propozim, i jep letrat qeverisë. Një person pa ekspertizë, njësoj si inceneratorët, i lind një ide, takon një ministër apo qeveritar, i thotë idenë e vetë dhe pas pak muajsh ky person merr monopol në një fushë të caktuar. Kjo është një qasje që po e ndeshim shpeshherë.
Tjetra, standarti i drejtësisë. Kemi fragmentim, copëtim, zvarritje. Kaq e vështirë është që të gjithë këto hetime të ishin kryer për 2-3 vjet? Kaq e vështirë është të kishte një akuzë përmbledhëse?”, tha Sejamini per MCN TV.