Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar rritjen e mëtejshme të çmimeve të produkteve bujqësore dhe kjo sipas tij, për shkak të problematikave të shumta që ka ky sektor.
Meta tha se, sipas INSTAT, gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka pasur një rritje me 11 % të produkteve ushqimore, ku sipas tij, një kilogram fasule ka shkuar 600 lekë të reja dhe një litër vaji ulliri 1 mijë lekë të reja.
Ai kritikoi mënyrën e miratimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të buxhetit prej 7 miliardë eurosh për 20 minuta gjatë një mbledhjeje online.
“Dje Komisioni i Ekonomisë miratoi online në 22 minuta paketën e re fiskale dhe buxhetin e rim bi 7 miliardë euro. Paketa fiskale e re do të ketë vetëm efekte negative në ekonomi, sepse rrit bazën fiskale. I jepet një goditje shumë e fortë profesionistëve. Ky buxhet siç e kemi theksuar ul shpenzimet sociale. Fondi për rritjen e pensioneve do të jetë 2.1 %. Asnjë fond nuk parashikohet për mbështetjen e shtresave më të varfra. Shpenzimet për PPP-të do të rriten me 10 %, në një kohë që shumica e tyre janë nën hetim.
Do të theksoja financimin e Bujqësisë që është skandaloz, pasi përkeqësohen duke u tkurrur nga 0.7 % në 0.6 %. Dua të nënvizoj edhe rrezikun ndaj financave të konsumatorëve shqiptarë, që përbën rritja dyshifrore e çmimeve bujqësore. Këto janë në qendër të shqetësimeve të shtresave në nevojë. Ekspertët thonë se kjo rritje do të vijojë.
Vendi po përballet mungesë të fuqisë punëtore dhe problem të tjera. Në periudhën janar gusht 2023, ushqimet u rritën me 11 %, aq sa edhe produktet më bazike kanë pësuar rritje shumë të fortë, si fasulja deri në 600 lekë të reja, apo dyfishimi i vajit të ullirit deri në 1 mijë lekë të reja. Kemi të bëjmë me zhvlerëzimin e euros. Euro për 15 ditë vijon të jetë në pozita zhvlerësuese. Rritja e çmimeve pritet të jetë edhe më kritike në muajt në vijim.
Nuk është opozita që ka bllokuar Parlamentin, por qeveria që e ka kapur dhe shndërruar në një noter dhe opozita po lufton që Parlamenti të zhbllokohet. Ju e ndoqët edhe raportin e KE-së që fliste për raportin e Parlamentit me qeverinë, për kapjen që qeveria i ka bërë Parlamentit”, tha Meta.