Familjet e rreth 240 pengjeve që besohet se po mbahen nga Hamasi në Gazë kanë filluar një marshim pesë ditor nga Tel Avivi në Jerusalem. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Tel Aviv Linda Gradstein, familjarët e pengjeve kërkojnë që qeveria izraelite të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre.
Për familjet e pengjeve këto ishin javë plot vuajtje – javë të tëra pa asnjë lajm nëse të dashurit e tyre janë gjallë. Tani ata po marshojnë drejt Jerusalemit.
Yuval Aran i mbijetoi masakrës në vendbanimin Be’eri, por shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë tre fëmijë, u morën peng nga Hamasi.
“Jam i shqetësuar gjatë gjithë kohës. Jam gjithnjë duke vuajtur dhe nuk mund të rri më ulur në shtëpi. Më duhet të bëjë diçka dhe po i bashkohen këtij marshimi me të gjitha familjet e pengjeve tjera dhe me tërë vendin”, thotë zoti Aran.
Në një video të Hamasit, të postuar në rrjete sociale, mbesa e zotit Shaul Levy, Naama, shihet teksa rrëmbehet nga militantët. Zoti Levy thotë se ai po marshon për t’i dërguar qeverisë një mesazh.
“Po fillojmë marshin nga muzeu i Tel Avivit për në Jerusalem. Shpresojmë të takojmë qeverinë, kryeministrin, për të theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç t’i kthejmë të gjithë në shtëpi,” thotë ai.
Forumi i familjeve të pengjeve dhe të të pagjeturve ka kërkuar që vëmendje e posaçme t’u kushtohet mbi 30 fëmijëve që janë rrëmbyer pa prindërit e tyre. Ata besojnë se njëra nga gratë e rrëmbyera ka lindur ndërkohë që po mbahet peng.
“Kërkoj nga Benjamin Netanyahu dhe nga i tërë kabineti qeveritar të na japin përgjigje dhe vepra. Nuk na ka mbetur më forcë. Ktheni fëmijët tanë dhe ktheni familjet tona në shtëpi,” tha nëna e pengut, Shelly Shem Tov.
Izraeli beson se Hamasi dhe Xhihadi Islamik po i mbajnë pengjet në tunelet poshtë ndërtesave në Gazë, përfshirë spitalet, akuzë që Hamasi e mohon.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tregon një tunel që çon drejt asaj që ai e quan labirinth dhomash nëntokësore nën spitalin e fëmijëve Rantisi në Gazë.
“Tani po hyni në dhomën ku dyshojmë se po mbaheshin pengjet. Dua ta shikoni këtë dhomë. Kanë vendosur perde me asgjë tjetër prapa, vetëm mur. Nuk ka arsye për të vendosur një perde këtu përpos nëse dëshiron të xhirosh pengjet dhe të bësh video,” thotë zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.
Hamasi dhe grupi Xhihadi Islamik kanë postuar xhirime të pengjeve duke bërë deklarata në kanalet e tyre në rrjetet sociale, të cilat analistët izraelitë besojnë se janë të bëra me detyrim. Një xhirim i ri tregon një zëdhënës të Hamasit duket thënë se grupi është i gatshëm të lirojë deri në 70 pengje – si duket gra, fëmijë dhe të moshuar – në këmbim të një armëpushimi pesë ditor dhe lirimit të grave dhe të miturve palestinezë, që jane duke vuajtur dënime në burgjet izraelite.
“Armëpushimi duhet të përfshijë ndërprerjen e luftimeve dhe lejimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Por armiku po e zvarit dhe po i dredhon pagesës së çmimit të kësaj marrëveshjeje,” tha zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit Abu Obeida.
Zyrtarët izraelitë thonë se kanë frikë që armëpushimi pesë ditor do t’i japë kohë Hamasit të riarmatoset dhe të vazhdojë luftën kundër Izraelit. Po ashtu ata shtojnë se trysni ndërkombëtare ndaj Izraelit do të shtohej për të vazhduar armëpushimin.
Familjet e pengjeve frikësohen se koha po skadon për të dashurit e tyre. Ata shpresojnë se marshimi i tyre do të vazhdojë t’i mbajë pengjet dhe përpjekjet për të siguruar lirimin e tyre, në qendër të vëmendjes së Izraelit dhe të botës./VOA