Mësuesi Urim Halili, i shkarkuar nga gjimnazi “Ibrahim Rugova”, denoncon drejtoreshën e shkollës dhe atë të Zyrës Arsimore në Kamzë se kanë përdorur personalitetin e tij, kanë manipuluar nxënësit dhe nuk kanë respektuar procedurat ligjore për shkarkimin e tij
Ish-mësuesi i gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamzë rrëfen për “Shekulli”-n, padrejtësitë e shkarkimit nga puna dhe për këtë akuzon drejtoreshën e shkollës znj.Luljeta Prençi, për shpifje kundrejt personalitetit të tij, si dhe bashkëpunimin e saj me drejtoreshën e Zyrës Arsimore Kamzë. “Të dyja zyrat kanë pasur qëllim që të më largojnë nga puna për arsye politike dhe përfitime financiare, duke përdorur akuza të padrejta dhe manipuluar nxënësit”, tha ai. Ndërsa pohon, se një përfaqësi prej 300 nxënësish të shkollës “Ibrahim Rugova”, kanë shkuar në Drejtorinë Arsimore për të kuptuar arsyet e shkarkimit të mësuesit, por drejtoresha është munduar t’i manipulojë, duke argumentuar arsye të tjera që nuk kanë lidhje me konfliktin që mësuesi kishte me djalin, i njohur me sjellje problematike në shkollë. Në mesin e kësaj turme ishte dhe nxënësi me inicialet F.C, për të cilin akuzohet mësuesi, me qëllim për të bindur drejtoreshën se nuk është e vërtetë akuza e dhunës intensive kundrejt tij, pohon mësuesi.
Z.Halili, cilat janë arsyet që jeni shkarkuar nga puna pas përvojës tuaj 30-vjeçare në gjimnazin “Ibrahim Rugova”?
Kam 30 vite punë dhe me 14 shkurt të 2017-ës jam shkarkuar. Gjatë kohës që po mbyllja temat dhe mungesat, dëgjoj një zhurmë muzikë në klasë. Ishte një nxënës, i cili kishte vendosur kapuçin në kokë dhe dëgjonte muzikë në kupë të qiellit. Unë i them: Fatjon, hiqe telefonin, por ai u përgjigj në mënyrë arrogante; “nuk dua, kanë të gjithë telefon”. Ngaqë është me aftësi të kufizuara fizike, unë e toleroja gjithmonë, dil jashtë, qetësohu. Ai thoshte, se më ka thënë doktori që ta mbaj telefonin.
Çfarë thoshte psikologja për rastin e nxënësit me të cilin keni pasur konflikt, si e komentonte sjelljen e tij?
Atë ditë nuk tha asgjë. Gjatë kësaj kohë ndërhyn psikologja për t’i qetësuar, por prisnim nëndrejtorin për të sqaruar situatën në prezencë të tij, pasi në shkollën 9-vjeçare e ka pasur nxënës Fatjonin. Atë ditë e mbyllëm me aq. Kur fola me nëndrejtorin, më tha se është tip i vështirë dhe gjaknxehtë. Ndërsa drejtoresha më thotë, se ka ardhur për t’u ankuar. Unë kam qenë Kryetar i Këshillit të Etikës në shkollë dhe e drejta e ankimimit është ligjore, por respektohet një procedurë; vihet te mësuesi kujdestar, më pas te drejtoresha e cila të orienton për te Këshilli i Etikës, ky i fundit thërret palët dhe i drejtohet drejtoreshës së shkollës, dhe nëse gjykon për një masë drejtoresha ja dërgon Këshillit të Disiplinës, si për mësuesit dhe nxënësit. Pra, kjo është rruga ligjore për ta ndjekur.
E ka respektuar drejtoresha rrugën ligjore të ankimimit?
Ajo thotë se: Nuk mbush Urimi dhe e shoqëron personalisht për në Zyrën Arsimore. Nuk i kushton rëndësi faktit që u cenua procesi mësimor, por e dërgon djalin, të ëmën dhe motrën e tij për në Zyrën Arsimore.
Cila ka qenë sjellja juaj kundrejt nxënësit?
Unë kam dëshminë e nxënësve në gjyq. Ngjarja ka ndodhur në 30 janar 2017. Pa ditur asgjë për këto që të thashë, me datë 6 shkurt më thërret drejtoresha për rastin e Fatjonit, por nuk sqaron arsyet. Unë e pyes, nëse do merrni masë ndaj meje, por ajo thotë; “më shumë se aq, do të jap një njoftim për masë disiplinore, njoftim për ndërprerjen e punës, ndërsa me datë 9 shkurt do të bëjmë mbledhje në drejtori”.
Çfarë vendimesh u morën në mbledhjen e organizuar me datë 9 shkurt?
Më thotë, se me datë 9 shkurt kemi mbledhje për shkelje etike, sepse ke dhunuar në mënyrë sistematike një nxënës me aftësi të kufizuar. Dhe e dyta ke shitur libra pa pullë. Ndërkohë, unë shkoj të takoj familjen e Fatjonit dhe i pyes nëse e kam rrahur apo fyer djalin tuaj. Ata më thonë jo, nuk ke bërë asgjë, vetëm për telefonin. Unë ju them; ju duket e drejtë që të largohem nga puna për këtë lloj rasti? Jo, dhe nxorri stilolapsin për të shkruar një deklaratë; “unë filani deklaroj, se incidenti midis djalit tim dhe mësuesit Halili është mbyllur me mirëkuptimin tonë dhe nuk kemi asnjë problem me Halilin. Me këtë deklaratë shkoj në drejtori, por znj.Prençi më thotë; “Ehu, mbaje ta kesh për gjyq, sepse nuk më hyn në punë”.
Çfarë vendosi Zyra Arsimore për rastin tuaj?
Unë interesohem dhe në ZA Kamzë, pasi doja të dija nëse janë në dijeni të kësaj situate. Takoj drejtoreshën e ZA, Emirioni Cekani, e cila është një mjeshtre e vërtetë. Nuk do ta harroj kurrë gishtin me të cilin mu drejtua dhe më tha: Ti do të më falënderosh që të kam pushuar nga puna, sepse për ty ka probleme të tjera. Të njëjtën përgjigje që më tha drejtoresha me datë 6 shkurt, të njëjtën e mora dhe nga drejtoresha e ZA. Nuk më dha asnjë sqarim tjetër. Ika shumë i revoltuar.
Keni bërë ankimim për këto mbledhje?
Po, kam ankimuar në drejtorinë e shkollës, në Zyrën Arsimore dhe në Zyrën e Qarkut dhe ka një jurist të përbashkët për të dy zyrat, por nuk më ka kthyer përgjigje. Ndërsa, sipas Drejtorisë Arsimore dhe ZA është i drejtë largimi im. Pasi merret vendimi për largimin nga puna, më takon Fatjoni, më përqafon dhe më thotë: “Më ka thënë drejtoresha a je i kënaqur që po e heqim mësuesin”. Nxënësit e shkollës më duan shumë.
Rreth 300 nxënës maturantë kanë lënë mësimin dhe kanë protestuar me datë 13 dhe 14 shkurt, një ditë para se te më jepej masa. Ka foto dhe video për këto që them dhe të publikuara. Me datë 13 shkurt një përfaqësi e nxënësve shkon dhe takon drejtoreshën e shkollës, të cilës i kërkojnë motivin e largimit tim, ajo ju thotë se; “ka disa gjëra që nuk i dini për mësuesin, ka shitur libra dhe ka dhunuar nxënësin”, por ata i thonë, se nxënësi është në protestë me ne sot.