Që nga muajt e parë në detyrë, administrata e Presidentit Biden mori një vendim të veçantë për politikën e saj në Lindjen e Mesme: për të mos i dhënë përparësi një gjysmë shekulli përpjekjesh nga presidentët e kaluar amerikan, veçanërisht ata demokratë, për të ndërmjetësuar një marrëveshje të gjerë dhe të qëndrueshme paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve.
Që nga Presidenti Richard Nixon, administratat e njëpasnjëshme amerikane janë përpjekur për të nxitur udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë për të zgjidhur mosmarrëveshjet që qëndrojnë në themel të tensioneve 75-vjeçare në Lindjen e Mesme.
Ndryshe nga presidentët e fundit amerikan, zoti Joe Biden nuk e ka bërë këtë.
Në vend të kësaj, zyrtarët e administratës skicuan që në fillim atë që e quajtën politikën e diplomacisë së qetë të zotit Biden. Ata bënë përpjekje për më shumë përmirësime modeste në liritë dhe kushtet e jetesës për palestinezët, nën qeverinë e vijës së ashpër të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila ka vazhduar me ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Zoti Netanyahu ka përfshirë në koalicionin e tij qeverisës, partnerë që kundërshtojnë zgjidhjen paqësore me krijimin e dy shteteve, një zgjidhje që mbështetet edhe nga Uashingtoni.
Qasja më pak ambicioze përshtatet me vendosmërinë e Presidentit Biden për të zhvendosur politikën e tij të jashtme nga pikat e nxehta të Lindjes së Mesme në drejtim të Kinës.
Por rreziqet afatgjata të anashkalimit të konfliktit izraelito-palestinez u shfaqën përsëri me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe bombardimin e rëndë të Gazës nga Izraeli si kundërpërgjigje. Partnerët e zemëruar arabë të Shteteve të Bashkuara po vënë në dukje dështimin e Amerikës për t’u angazhuar në mënyrë aktive ndërsa dhuna izraelito-palestineze po kthehet në qendër të vëmëndjes.
Sulmi i përgjakshëm i militantëve të Hamasit nga Gaza dhe reagimi i përshkallëzuar ushtarak i Izraelit, që kanë vrarë mijëra civilë në Izrael dhe Gaza, kanë shtyrë zotin Biden të çojë dy aeroplanmbajtëse në rajon. Situata tani kërcënon të përhapë konfliktin dhe flukset e refugjatëve palestinezë përtej kufijve.
Në Kajro këtë fundjavë, Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi ishte një nga udhëheqësit arabë që paralajmëroi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, se lufta Izrael-Hamas kërcënon stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme.
Presidenti Biden ka të ngjarë të dëgjojë të njëjtën gjë teksa takohet me udhëheqësit e Jordanisë, Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez në Jordani të mërkurën, pas vizitës në Izrael.
Presidenti Sissi, i cili druhet se ofensiva ushtarake izraelite do të nxisë 2.3 milionë banorët e Gazës të kalojnë kufirin, drejt Egjiptit, fajësoi trysninë pothuaj të pandjeshme ndërkombëtare mbi qeverinë e Kryeministrit izraelit Netanyahu dhe palestinezët, për t’u kthyer tek negociatat.
Ai foli rreth asaj që e quajti “grumbullim i zemërimit dhe urrejtjes për më shumë se 40 vjet” dhe mungesën e çfarëdo “shprese për të zgjidhur çështjen palestineze; një zgjidhje që u jep shpresë palestinezëve”, për një shtet me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Arabia Saudite, ndërkohë, vuri në dukje “paralajmërimet e përsëritura të tyre për rrezikun e shpërthimit” të një konflikti.
Udhëheqësit arabë “janë shumë të vetëdijshëm se situata mund të përkeqsohet ndërsa mendojnë njëkohësisht se mund t’ia hedhin edhe këtë herë apo herën tjetër, siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha Yezid Sayigh, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën e Lindjes së Mesme “Malcolm H. Kerr Carnegie” në Bejrut të Libanit.
“Por ky nuk është një pozicion i rehatshëm me të cilin ta mund të jetonin pafundësisht”, me cikle të pafundme luftërash izraelite dhe palestineze. që kërcënojnë paqen dhe ekonomitë e rajonit, tha zoti Sayigh. Ky i fundit akuzoi SHBA-në se ka inkurajuar Kryeministrin Netanyahu të mendojë se nuk ka qenë e nevojshme për të trajtuar shqetësimet palestineze.
Thirrja e Presidentit Biden drejtuar Presidentit palestinez Mahmoud Abbas fundjavën e kaluar, në mes të tensionimit të situatës në Gazë, ishte e para e udhëheqësit amerikan që nga marrja e detyrës, gjë që nënvizon theksin e zvogëluar të administratës së tij tek konflikti izraelito-palestinez.
Në vitin 1973, sulmi i befasishëm i kombeve arabe ndaj Izraelit dhe embargoja e naftës e arabëve ndaj SHBA-së dhe vendeve të tjera për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit në atë luftë, i bindi udhëheqësit amerikanë se një zgjidhje e qëndrueshme ndaj kërkesave palestineze për shtetësi ishte në interesin strategjik të Amerikës.
Por pas disa sukseseve të hershme, dhuna e përsëritur, zhgënjimet e përpjekjeve të dështuara të ndërmjetësimit në të kaluarën dhe shkalla e mosmarrëveshjeve ndihmuan në dëmtimin e përpjekjeve amerikane për paqe. Në kohën kur zoti Biden, një mbështetës i fortë i shtetit të Izraelit, mori detyrën, mbështetja e izraelitëve për negociata ishte e dobët.
Sekretari Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë vënë në dukje hapat e ndërmarra nga administrata që ata thonë se kishin për qëllim përmirësimin e kushteve përpara se të ushtronin ndonjë formë trysnie për një kthim në bisedime për një zgjidhje politike të konfliktit afatgjatë. Kjo përfshin rikthimin e ndihmës amerikane për palestinezët pasi Presidenti i mëparshëm Donald Trump e ndërpreu pothuajse të gjithën. Më pas ishte edhe udhëtimi i zotit Blinken në janar në qytetin e pushtuar të Ramallahut, në Bregun Perëndimor, ku ai tha se Presidenti Biden mbetet i përkushtuar ndaj kërkesës palestineze për shtetësi.
Ka pak gjasa të thuhet se një angazhim më ambicioz i Presidentit Biden për çështjen izraelito-palestineze do të kishte shërbyer për të shënuar përparim të menjëhershëm, ose do të kishte bërë ndonjë gjë, për të shkurajuar sulmin e Hamasit, i cili kërkon shkatërrimin e Izraelit.
Edhe pas një shpërthimi luftimesh në vitin 2021 midis Hamasit dhe Izraelit, pjesëtarë të administratës argumentuan se një shtytje e madhe në përpjekjet për paqe do të minonte qëllimet tjera që arrihen më lehtë, si marrëveshjet për armëpushim që ishin arritur me Hamasin.
Në vend të kësaj, zoti Biden ka ndjekur me entuziazëm rrugën e re që zoti Trump kishte shtruar për krijimin e paqes në Lindjen e Mesme: lobimin për të ashtuquajturat marrëveshje normalizimi me vendet arabe, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje izraelito-palestineze.
Nën Presidentin Trump, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku nënshkruan marrëveshje normalizimi duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Deri më 7 tetor, Presidenti Biden dukej se po afrohej me shpejtësi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje normalizimi me vendin më të rëndësishëm nga të gjithë, Arabinë Saudite, shtet që ka peshën më të madhe në rajon.
Më pas, sulmi i Hamasit nga Rripi i Gazës shkatërroi atë që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan e kishte cilësuar si një periudhë qetësie në Lindjen e Mesme. Dhuna ka qenë më e përgjakshmja nga pesë luftërat midis Hamasit dhe Izraelit, duke vrarë më shumë se 1,400 njerëz në Izrael dhe afro 2,800 në Gazë.
Aktualisht nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me përpjekjet për normalizim të Presidentit Biden. Pavarësisht komenteve të mbushura me zemërim dhe shkallës së ndryshme të mbështetjes popullore në mesin e publikut për kauzën palestineze, partnerët arabë të Amerikës janë pragmatistë dhe njësoj si SHBA-të dhe Izraeli, janë kundërshtare të Hamasit dhe grupeve të tjera të mbështetura nga Irani.
Për më tepër, shumë analistë argumentojnë se përkrahja e menjëhershme dhe e gjithanshme e administratës së zotit Biden për mbrojtjen e Izraelit pas masakrave të Hamasit më 7 tetor, vetëm sa mund të rrisë dëshirën e Princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman për të fuziquar aleancën e sigurisë me SHBA-në për mbretërinë.
“Mendoj se shtetet partnere të Gjirit po shikojnë reagimin e shpejtë dhe vendimtar që SHBA-ja ka dhënë për Izraelin dhe janë tepër xhelozë”, tha Jonathan Lord, drejtor i programit të sigurisë në Lindjen e Mesme në institutin kërkimor për Sigurinë e Re Amerikane.
Ndërmjetësimi i këtyre aleancave do të stabilizonte Lindjen e Mesme në vetvete, pa pasur nevojë për një marrëveshje paqeje izraelito-palestineze, kanë argumentuar mbështetësit e idesë.
Kritikët thonë se makthi që shpaloset tani për civilët izraelitë dhe palestinezë nënkupton të kundërtën, kur bëhet fjalë për qasjen e Presidentit Biden.
“Për sa kohë që çështjet thelbësore mbeten të pazgjidhura, injorimi i tyre nuk i bën ato të zhduken”, tha Yousef Munayyer, i cili drejton programin Palestinë-Izrael në Qendrën Arabe, një institut kërkimi në Uashington. “Mendoj se ky është një mësim për të gjithë”./ VOA