Ndryshe nga nëntori i vitit 1996, pak muaj përpara shpërthimit të krizës së firmave piramidale, misioni dyjavor i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) foli shumë qartë dy ditë më parë. Tha se si vend dhe ekonomi kemi boll rreziqe përpara. Sidomos me kostot e kontratave të Partneriteteve Publik-Privat, që mendohet të nënshkruhen gjatë këtij viti, në nivel deri 1 miliard euro (pesë boshte rrugore dhe spitali shtetëror i Fierit). Ndërsa kryetari i opozitës kryesore të vendit theksoi nivelin rekord të borxhit tonë publik. Në fakt, ai është ndalur në rritjen e tij në këto dy vitet e fundit, në sajë të disiplinimit të financave publike dhe ky duhet konsideruar sukses. Po devijues u tregua dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë në kundërthënien e tij ndaj drejtuesit të opozitës, në një përgjigje në rrjetet sociale. Ministri përmendi sfidat e pamohueshme që kishte renditur FMN. Në fakt, kjo strukturë ndërkombëtare vrojtimi dhe këshillimi nuk foli thjesht për sfida të pamohueshme.
Në deklaratën përmbyllëse të misionit të vet në Tiranë, FMN i mëshoi fort nevojës për pakësimin e vendimmarrjeve të fragmentuara për partneritetet (bashkëpunimin) publik-privat, të mbiquajtura PPP. Tha se praktika e tanishme e propozimeve të pakërkuara (vetë biznesi i ofrohet qeverisë për një ndërtim apo shërbim publik, pa dalë kjo e fundit në tender, në ankand) duhet të eliminohet. Këto kërkesa janë më shumë se renditje sfidash të pamohueshme. Janë shqetësime serioze, që rrezikojnë të kthejnë qasjen e Partneriteteve Publik-Privat në një aventurë të rrezikshme për Buxhetin e Shtetit, me humbje nga dhjetëra në qindra milionë euro, e ngjashme me kuturisjen me rrugën e kombit 10 vite më parë, e cila doli tri herë më e shtrenjtë se parashikimi.
Të paktën aty ishin para thjesht të Buxhetit të Shtetit dhe jo detyrime të shtrira në kohë ndaj privatit. Këto kontrata të sotme ose të një të ardhmeje të afërt për PPP-të mund të jenë me pasoja afatgjata negative për ne dhe brezat që do të na pasojnë. “Këshilla” e përmendur nga përfaqësuesi i FMN në Shqipëri për qeverinë, vetëm pak ditë më parë në një intervistë televizive, që të marrë një pushim të shkurtër dhe të pezullojë përkohësisht dhënien me vërtik të koncesioneve dhe Partneriteteve Publik-Privat është po ashtu kërkesë shumë e fortë. Paraqet një kambanë alarmi. Nëse këto do t’i thoshte kryetari i opozitës, qeveria do të vendosej përpara një përgjegjësie të dyfishtë. Përpara forcës politike që do t’i kërkojë pushtetin dy vite e gjysmë më vonë dhe llogari nëse 3 P-të ecin keq, si dhe përpara një institucioni ndërkombëtar me emër (FMN), të cilit, edhe pse tani nuk ia ka më nevojën për para sikurse ia kishte katër vjet më parë, sërish interesohet të mos i dalë përballë në kundërshti. Mungon përgjegjësia përpara qytetarit, ajo kryesorja, pasi për fat të keq, për rreziqet e Partneriteteve Publik-Privat qeveria nuk është se ka organizuar ndonjë dëgjesë publike.
Nga ana tjetër, shoqërinë civile e kemi ende të përgjumur për kësi nismash, ngaqë ose nuk di shumë nga ekonomia, ose nuk ka para donatorësh të huaj në treg për to. Misioni i FMN-së e tha shqeto se “nevojitet… fuqizimi i proceseve të vlerësimit të rrezikut brenda Ministrisë së Financave, …po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara, që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve”. Pra, FMN shpreson që Ministria e Financave të bëjë oponencën e duhur teknike për rreziqet nga koncesionet dhe PPP-të. Mirëpo ne e dimë fort mirë se të gjitha dikasteret tona janë të politizuara deri në rrënjë të flokëve. Si zor të dalë prej tyre përballje e bazuar në interesat thjesht ekonomikë të qytetarëve dhe të vendit. Si gjithmonë, do të mbizotërojnë interesat afatshkurtra partiake të forcës politike në pushtet. Prandaj dhe duhet një nismë nga Kuvendi që të ndryshohet ligji për koncesionet dhe PPP-të, për ta nxjerrë oponencën profesionale jashtë duarve të qeverisë, si njësi vlerësuese e pavarur. Për t’ia lënë Kuvendit ta mbikëqyrë, t’i caktojë buxhetin dhe njerëzit.
Mund të niset edhe me 2-3 koordinatorë, të cilët të kontraktojnë ekspertë të fushës me para të Kuvendit, por kurrsesi jo të qeverisë! E pamë seç ndodhi me kompaninë shfrytëzuese të koncesionit të naftës, Bankers, e cila kontraktoi me paratë e saj një kompani ndërkombëtare vlerësimi (auditimi) për financat e saj në Shqipëri, për të cilat Agjencia jonë Kombëtare e Burimeve Natyrore pretendonte me të drejtë se në vitin 2011 kishin rritur artificialisht shpenzimet prodhuese për të mos paguar tatimin mbi fitimin. Gabimi fatal ishte që audituesi ndërkombëtar bëri vlerësimin e tij vetëm me paratë e “Bankers”. Kjo na solli një humbje prej 57 milionë dollarësh në Buxhetin e Shtetit. Ka ardhur koha të mos bëjmë më kësi lloj gabimesh. Ka ardhur koha të funksionojë realisht oponenca e pavarur dhe profesionale që kërkon edhe FMN. Nëse nismën nuk e merr Kuvendi, duhet që ne si qytetarë të provojmë me anë të rrjeteve sociale për të organizuar punën të mblidhen 20 mijë firma për të çuar këtë sprovë ligjore në Kuvend, krijimin e një strukture oponence profesionale të pavarur nga qeveria për koncesionet dhe PPP-të. Ndryshe do ta paguajë si gjithmonë, e ardhmja e fëmijëve tanë.