Tre muaj pasi grabiti 30 mijë eurove në një exchange në zonën e Astirit në Tiranë, Artan Tafani ka rënë në prangat e policisë. 39-vjeçari, i cili rezulton të jetë pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut në Lushnjë, ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbërthyer disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre dhe 6 vrasje. Dy prej vrasjeve të zbardhura kanë ndodhur në Greqi ndërsa të tjerat kanë ndodhur brenda vendit. Kjo ka nxitur dhe vijimin e një operacioni arrestimesh i nisur prej mesditës së të mërkurës, 27 shtator 2023, dhe i shtrirë në disa qytete të vendit. Raportohet se deri tani janë firmosur 16 urdhër-arreste me vendim gjykate, nga të cilat janë ekzekutuar disa prej tyre.
Që prej identifikimit, policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitet të theksuar kriminal. 39-vjeçari eshtë mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin në Lushnje. Por, kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve, por dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale. Këtë të mërkurë, i është komunikuar masa e sigurisë në Tiranë dhe në vijim pritet t’i komunikohen edhe 2 masa të tjera. Ndërkohë, prej mesditës së djeshme, një operacion i gjerë policor ka nisur në disa qytete të vendit për ekzekutimin e 16 urdhër-arresteve të firmosura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë. Në mesin e të arrestuarve është edhe një vajzë – Klea Gjata, e dashura e Laert Haxhiut, drejtuesit të grupit ku bënte pjesë Tafani.
Në dëshmi, Artan Tafani flet për rreth 20 ngjarje kriminale. Bëhet fjalë edhe për ngjarje të rënda kriminale si shpërthime me tritol, tentativë vrasje, grabitje,etj. Tafani ka rrëfyer këto ngjarje kriminale, ndërsa në mesin e personave që ka përmendur si autorë vrasjesh janë edhe emra të njohur të botës së krimit. Mes tyre mësohet se ka përmendur edhe emrin e Laert Haxhiut, i cili ndodhet i arrestuar në shtetin grek, që nuk ka pranuar ekstradimin e tij.
Vrasja e Alban Semakut në Peqin, 17 Tetor 2021
Tafani ka folur për vrasjen e Alban Semakut, i njohur edhe si “kinezi”, i cili u gjet i vrarë me armë më 17 Tetor 2021 pranë Lumit Shkumbin në Peqin. Ai përdorte edhe emrin Elton Mermali. 38-vjeçari ka qenë anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes të Aldo Bares dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale. Alban Semaku, u ekzekutua me 4 plumba nga pas. Semaku u rrëmbye në qytetin e Lushnjes ku kishte vetëm 5 muaj që ishte liruar nga burgu dhe më pas është ekzekutuar në Peqin pranë lumit të Shkumbinit ku u gjet dhe trupi i pajetë. Emri i Semakut lidhet me një sërë ngjarjesh kriminale, ku rezulton i dënuar më parë për vrasje, kanosje e trafik droge.
Vrasja e Albi Bashaliut
Dëshmia e Artan Tafanit ka zbardhur dhe vrasjen e Albi Bashaliut të ndodhur më 27 dhjetor 2021. Atëherë 35 vjeçari u vra në një nga lokalet në fshatin Gjoçaj të Peqinit dhe ku banonte. Mësohet se viktima para se të qëllohej për vdekje ishte thirrur në emër nga autorët. Albi ishte vëllai i Leonard Bashaliut, cili në qershor të 2021 vrau Ylber Xhahysën për një konflikt që kishte ndodhur 5 vite më parë pasi viktima i kishte gërvishur makinën.
Vrasjet në Greqi
Po ashtu janë zbardhur dhe vrasjet e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, të ndodhura në shtetin grek.
Lulzim Qorri, 44 vjeç, u ekzekutua në Athinë në një atentat mafioz në Dhjetor të vitit 2018. Policia greke njoftoi asokohe se viktima ishte duke pirë kafe në një lokal shumë afër sheshit qendror “Omonia”. Pak para orës 23:00 dy persona ndaluan me një motoçikletë përpara kafesë ku mblidheshin shqiptarët dhe në atë orë ishte plot pasi po ndiqnin një ndeshje futbolli. Njëri nga ekzekutorët zbriti, shkoi pranë Qorrit dhe e qëlloi atë nga një distancë e afërt. 44-vjeçari humbi jetën si pasojë e 3 plumbave në kokë. Qorri ishte arrestuar në Shqipëri në vitin 2016 si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Ballkan, ku në pranga ranë disa biznesmenë ndërtimi.
Dikens Halili u ekzekutua më 3 Tetor 2021 në Athinë. 39-vjeçari u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon”. Dikens Halili nga Tepelena ka qenë person me precedent të mëparshëm penalë dhe i njohur për autoritetet greke. Në vitin 2010, atij i ishte bërë atentat me tritol në makinë. Shpërthimi ishte aq i fortë saqë theu edhe xhamat e dyqaneve aty pranë, por Halili dhe një grua që ishte me të në sediljen e pasagjerit mundën të shpëtonin. Në periudhën 2011-2012, Dikens Halili ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, anëtarët e së cilës kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” (siç njihen në Greqi) në Athinë për t’u zhvatur para. Nëse pronarët nuk shantazhoheshin, ai u vendoste zjarrin bordellove. I njohur edhe me emrin Keli, 39-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe në rastet e trafikut të drogës në shtetin fqinj. Shqiptari ka qenë në lokalin e tij pasditen e 3 Tetorit 2021 duke folur në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë. 39-vjeçari u dërgua i plagosur në spital, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Ai kishte 1 plumb në kokë, 2 në bark dhe 1 në shpatull.
Vrasja e Fridman Xhaferrajt
Dëshmia e Tafani ka hedhur dritë edhe mbi vrasjen e Fridman Xhaferrajt. Në vitin 2021, i riu nga Lushnja u gjet në ujërat e rezervuarit të Gjançit në Vithkuq të Korçës. 25-vjeçari është gjetur i lidhur nga duart, ndërkohë që ka pasur shenja të shumta në trup dhe kokë. Më herët, hetuesit kishin vënë në listën e të dyshuarve dy persona.
Vrasja e Çajup Selimit
Tafani ka dëshmuar edhe për vrasjen e tregëtarit Çajup Selimi në Tepelenë në 2021. 52 vjeç, u ekzekutua në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen “15 Shtatori” më 1 Qershor të 2021. Selimi doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte. 52-vjeçari ndërroi jetë menjëherë për shkak të plagëve të marra. Nga informacionet e asaj kohe, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona.
Koka e grupit Laert Haxhiu
Laert Haxhiu i cili drejton grupin pjesë e të cilit ishte Artan Tafani kërkohet nga autoritetet shqiptare për disa ngjarje kriminale. E para është për kryerjen e një dënimi të dhënë në vitin 2017 për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Po ashtu, prokuroria shqiptare e kërkon Laert Haxhiun edhe për vrasjen e 2017-ës të së ashtuquajturës “Masakra e Lushnjës” ku mbetën të vrarë gabimisht Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Në këtë ngjarje, Laert Haxhiu dhe bashkëpunëtorët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili tentuan të eliminojnë nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurtin, por shënjestra mundi t’u shpëtoj plumbave të kallashnikovëve. Për këtë ngjarje, të dënuar më burgim të përjetshëm janë të dy, si Anterio Kaloshi ashtu edhe Orgest Bilbili.