Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt qytetit të Fierit pas ankesës së ardhur nga qytetari Fran Ukcamaj. Bashkëshortja e tij Liljana Ukcamaj është me statusin e para e tetraplegjikut.
Zonja e ka fituar këtë status në Korrik 2022. Por nga Korriku e deri në Dhjetor 2022, Frani nuk ka mundur të tërheqë as pagesën e paraplegjikut e as të kujdestarit, për shkak të kleçkave që i nxjerr banka.
Nga Janari pagesa i kaloi në postë normalisht, por problemi janë 6 muajt e kaluar ose mbi 2 milionë Lekë të vjetra që nuk ka mundur t’i tërheqë.
“Nga Korriku i vitit 2022 deri në Dhjetor ishin muajt për t’u marrë, 6 muaj për t’u marrë. Unë shkova në bankë me prokurë duke menduar që do merret se jam kujdestar zyrtarisht. Thanë do ta biesh këtu. Ajo është me barrelë, as në karrocë nuk është. Nuk shikon edhe duart nuk i punojnë. Unë do mundohesha ta çoja, por kur më thanë që dhe karta e identitetit kishte skaduar dhe nuk e bëjnë këtë veprim. Nuk pranojmë as certifikatë, nuk pranojmë as prokurën tënde. U detyrova ngelën lekët. Bashkia duke parë këto fenomenet e tjera e ndërpreu kontratën. Dhe më thanë mua meqë ndërpritet kontrata, në Janar do i marrësh s’është problem, siç i marr tani normal në postë. Ngelën 2 milionë e gjysmë pa marrë, 8 muaj pagesë kujdestarie. 4-5 orë vijnë sanitaret, gjithë ditën merrem unë. Nuk ka sakrificë më të madhe, edhe armikut nuk ja dua këtë diagnozë”, thotë bashkëshorti Fran Ukcamaj.
Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Eleni Gjikondi, flet për një pengesë që kanë hasur pas kthimit të lekëve nga banka, pasi bashkia e ka të pamundur t’i përdorë pa miratimin nga Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë.
“Ne jemi në fazën kur fondet janë kthyer nga banka, janë kthyer në bllok në llogarinë e të ardhurave jotatimore, por duke qenë se janë kthyer në bllok, ne këto të ardhura nuk mund t’i përdorim. Do kërkojmë një asistencë nga Drejtoria e Shërbimit Social, nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Ministria e Financave se si mund të veprojmë, si do të jetë procedura për të vepruar për këto raste. Në rast se ne do kemi vonesa, deri në mbledhjen e ardhshme të këshillit ne do ta shqyrtojmë dhe do të shikojmë vendimin që do të marrim që besoj do zgjidhet ky problem shumë shpejt”, shprehet nënkryetarja e Bashkisë së Fierit.
Gjikondi premtoi se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të përpiqen t’i japin zgjidhje problemit të zotit Fran Ukcamaj.
Marrë nga Tv Klan