Deputeti demokrat Luan Baçi, takimin e grupit parlamentar demokrat të thirrur nga Gazment Bardhi me praninë e Sali Berishës dhe në total 43 deputetësh, e sheh të mirëpritur por të vonuar.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Baçi deklaroi se grupi parlamentar është një dhe brenda tij mund të ketë diskutime dhe mendime ndryshe.
“Takimi i sotëm është i shumëpritur, i shumë vonuar dhe nuk duhet të kemi si triumfalizëm se kush të marrë flamurin. Ne jemi në borxh me demokratët, duhet tu kërkojmë ndjesë atyre qindra mijërave që na kanë votuar dhe jo ta shpërndajmë si lajm që u ulëm bashkë. Le të përplasemi por në fund axhenda jonë duhet të jetë e përbashkët kundër Edi Ramës. Takimi i sotëm është i vonuar pas dy vitesh, por ndihem i kënaqur që u realizua dhe kështu duhet të vazhdojmë dhe të mbajmë frymën fort, se kam atë merakun e diversioneve që bëhen herë pas here mes deputetëve të ndryshëm dhe lënë në mes gjithë kauzën e madhe.
Ka një realitet të ri politik. Shkaku kryesor nuk është non grata që i mban ndarë. Ajo është një masë e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk ka lidhje me deputetët e PD. Shkaku kryesor janë vendimmarrjet e padrejta të Lulzim Bashës, kur ishte në krye të PD, si vendimi për përjashtimin e Sali Berishës apo deputetëve të tjerë. Për mua non grata nuk ka luajtur rol që në fillim dhe nuk luan as sot. Janë vendime politike që mund të merren nga cilido shtet. Besoj se do të ketë një opozitë ndryshe pas mbledhjes”.
Deputeti demokrat shtoi se takimi vjen për të koordinuar jetën parlamentare me aksionin opozitar dhe nuk mund të jetë e ndarë dhe se së bashku do të caktohen objektivat dhe detyrat dhe se do të ketë në mënyrë të përjavshme nga një takim.
Baçi tha se i duhet dalë përballë kësaj mazhorance edhe e paligjshme siç është dhe duhet t’u jepet shpresë qytetarëve.
“Basha ka një mision edhe i vetëm trim në luftë. Flasim për një Bashë që para një viti kishte një grup të madh deputetësh dhe sot një grup i madh i kanë thënë se nuk je më kreu i PD, por ai vazhdon dhe bën një farsë. Parlamenti do vazhdojë dhe njohë çdo shkresë që i çon Lulzim Basha. Nuk gjej arsye se si do e justifikojnë pranimin e Lulzim Bashës si kreun e grupit parlamentar, kur kryetarin e grupit e zgjedhin deputetët dhe jo Kryesia”.
Ai tha se gjatë mbledhjes u morën vendime për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, për vjedhjen e fondeve të bujqësisë, për sterilizimin dhe për gjithë problematikat e tjera, si dhe një vëmendje e veçantë e grupit të opozitës do të jetë për reformën zgjedhore.