Titulli “The Special One” që media dhe bota e futbollit i ka vendosur, i shkon më së miri Jose Mourinho-s.
Arsyen përse e mban këtë titull tekniku portugez e tregoi më së miri mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku për të “ndihmuar” Partizanin theu të gjithë rregullat e shkruar dhe të pashkruar të futbollit.
Ndeshja miqësore që u luajt në “Air Albania” dhe u fitua nga ekipi italian me rezultatin 2-1, u mbyll me nga 10 futbollistë për secilin ekip por jo për shkak kartonësh.
Në të vërtetë në momentin që Preka i Partizanit u dëmtua, trajneri Zekiç nuk kishte më futbollistë në pankinë për të aktivizuar dhe kërkoi të rikthente në lojë Bilalin, i cili ishte zëvendësuar pak më pare.
Por, arbitrat nuk pranuan këtë zëvendësim sepse konsiderohet gabim teknik.
Në situatën e krijuar, ku Roma do të luante rreth 20 minuta me një lojtar më shumë, Jose Mourinho ndërhyri duke nxjerrë nga loja një futbollist të vetin.
Mesfushori francez Aouar me shumë modesti pranoi kërkesën e teknikut të tij, duke dalë nga loja dhe kështu të dy ekipet e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë.