Nisma “Thurje”, Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Agrare Ambientaliste kanë nisur një fushatë për të ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri përmes mbajtjes së një referendumi. Në fokus të propozimeve është aplikimi i një Sistemi Zgjedhor Proporcional me katër ose më pak zona zgjedhore. 4 partitë kërkojnë gjithashtu ndryshimin e formulës së shpërndarjes së mandateve me qëllim që të garantohet një përfaqësim më i drejtë i vullnetit të zgjedhësve. Lista të hapura dhe garantimi i votës së diasporës janë pjesë gjithashtu e një pakete prej 12 pikash.
Për këtë temë u diskutua këtë të martë në emisionin “Debat” në A2News, ku Dashamir Shehi, Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, u shpreh se sistemi aktual nuk i lë asnjë hapësirë opozitës, e aq më tepër partive të vogla për ndryshim.
“Ne kemi kërkuar prej vitesh të ndryshojë sistemi zgjedhor. Këto 12 pika mund të projektohet ndryshimi i sistemit. Ato mund të ndryshojnë. Kryesorja është qëllimi politik. Ky ligj ka 15 vjet dhe jo vetëm opozita e ka thuajse të pamundur me këtë ligj, por e kanë forcat e reja, ndryshimi që kemi pritur. Qytetarit shqiptar i janë mohuar shumë të drejta me këtë ligj, pasi nuk janë të barabarta zonat. Ne kemi 12 zona. Tirana 35 deputetë, Kukësi 3, Gjirokastra 4. Ka mungesë përfaqësimi. Është e pamundur të futesh në zonat e vogla elektorale për forca që mendojnë ndryshe politikisht. I mungojnë një sërë elementësh këtij ligji, që unë prej vitesh e kam cilësuar si një ligj reaksionar që e ndan Shqipërinë sikur jemi Kina, në 12 zona. Ka ardhur dita ta korrigjojmë këtë gabim që është bërë në vitin 2008. Partitë e mëdha, se këto kanë bërë dhe marrëveshje, nëse nuk iu pëlqen, ne do t’iu drejtohemi qytetarëve”, tha Dashamir Shehi.