Policia greke ka dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me arrestimin e Laert Haxhiut në qytetin e Janinës.
Policia bën me dije se i shumëkërkuari shqiptar ra rastësisht në rrjetën e policisë, pas nisjes së një hetimi për një rast të emigracionit të paligjshëm. Policia ishte në ndjekje të një 22-vjeçari i cili dyshohej se ishte pa leje qëndrimi në Greqi. 22-vjeçari po udhëtonte në një mjet luksoz me dy persona, në të cilin pasagjer ishte Laert Haxhiu dhe shofer një 35-vjeçar.
Pasi ndjekjes policore, mjeti lukzos u ndalua dhe pas verifikimeve u konstatua se një prej personave ishte Laert Haxhiu, i cili paraqiti një dokument të falsifikuar tek autoritetet.
“Më datë 22-05-2023, në orët e mbrëmjes në Janinë janë arrestuar nga efektivët 3- të huaj, në kuadër të hetimeve për një rast të emigracionit të paligjshëm.
Bëhet fjalë për një 31-vjeçar, një 35-vjeçar dhe një 22-vjeçar, ndaj të cilëve është ngritur dosje për shkelje të legjislacionit për të huajt, falsifikim dokumentesh dhe dëshmi të rreme.
Në veçanti, lidhur me dinamikën e ngjarjes, të huajt hipnin në makinën që drejtohej nga 35-vjeçari dhe fillimisht tentuan të shmangnin kontrollin e policisë.
Siç rezultoi, 35-vjeçari dhe 31-vjeçari po transportonin me makinën e sipërpërmendur 22-vjeçarin, të cilit i mungonin dokumentet për hyrjen dhe qëndrimin e ligjshëm në vend.
Më tej, 31-vjeçari ka treguar një kartë identiteti greke, e cila posedohej në mënyrë të paligjshme dhe nga hetimet që pasuan me asistencën e Departamentit të Hetimit Kriminal të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Qarkut Epir, u zbulua se dokumentet ishin të rreme.
Në vazhdim të hetimeve të çështjes, u konstatua se 31-vjeçari ishte në kërkim nga INTERPOL Albania për vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy personave dhe armëmbajtje pa leje.
Më tej, rezultoi se 22-vjeçari ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare, në shkallë vendi, për veprën penale të ndihmës dhe nxitjes së plagosjes së rëndë me dashje.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar: Makina e mësipërme, karta e identitetit e falsifikuar, një shumë parash prej 1400 euro dhe 4 celulare. Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Janinës z”, njoftoi policia greke.
Laert Haxhiu ra rastësisht në pranga, jo falë një operacioni ndërkombëtar në bashkëpunim të policisë greke dhe asaj shqiptare, siç e shesin autoritet në vendin tonë.
Sipas njoftimit të djeshëm të policisë shqiptare, autori i “Masakrës së Lushnjes” u arrestua “falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë”.
Njoftimi i policisë shqiptare:
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni policor i koduar “Eksponenti”, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit.
Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim.
Me leje qendrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu.
Në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qendrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë. Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fusha të ndryshme, si dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale në lidhje me veprimtaritë kriminale ndërkufitare, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë këto veprimtari.