Rrethi Çiklistik i Shqipërisë ose siç njihet ndryshe Turi i Shqipërisë, ka ngritur dje siparin e edicionit të 80-të, një kompeticion që për të pestin vit është pjesë e Kalendarit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), duke bërë që të jetë edhe kualifikues për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Turi Shqipërisë, që është gara e tretë më e vjetër çiklistike në Europë, këtë edicion do të përshkojë plot 754 km gjatë 5 etapave të saj, ndërsa numri i skuadrave pjesëmarrëse është 15, nga të cilat 12 janë ndërkombëtare. Gjithçka nisi dje në mesditë me ceremoninë e hapjes të zhvilluar në Sheshin Italia, nga ku u bë prezantimi i ekipeve, si dhe starti i garës.
Më tej ishte radha për të pedaluar në etapën e parë, një etapë 142.3 kilometra e gjatë, me itinerar: TiranëTuneli i Elbasanit-PeqinRrogozhinë-Dushk-Krrabë. Një garë tepër e vështirë, me malore të fortë, e shoqëruar në pjesën më të madhe të kohës edhe nga reshjet e shiut. I pari që e preu finishin në fshatin Gracen në Krrabë ishte Maximilian Stedman.
Britaniku i skuadrës, Velo Shcils, regjistroi kohën 3:20:05, duke mposhtur në sprintin final rumunin e skuadrës CSASTEAUA, Christian Raileanu. Stedman rrëmben kështu fanellën e verdhë të liderit, duke hedhur kandidaturën për triumfin e këtij edicioni. Ndërkohë podiumi u plotësua nga greku Periklis Ilias, i cili mbërriti 2 sekonda pas dy të parëve, duke plotësuar kështu treshen. Ndërkohë, menjëherë pas tyre, me vetëm +3 sekonda diferencë nga kreu, mbërriti Mikel Demiri i Kombëtares së Shqipërisë, i cili u klasifikua në vend të katërt, duke regjistruar rezultatin më të mirë të kuqezinjve në etapën e parë. Me grupin e parë mbërriti në finish edhe greku Miltiadis Giannoutsos i vendit të pestë.
Më tej “top-10” u plotësua nga Musa Mikayilzade (Azerbajxhan), Samet Bulut (Turqi), Lawrence Schotte (ASFRA Racing), Burak Abay (Turqi) dhe Ali Egin (Turqi), të gjithë këta të shkëputur me diferencë mbi 1 minutë nga pesëshja e parë. Sot do të jetë radha e etapës së dytë me itinerar Tiranë-Lushnjë-Elbasan, 157 km e gjatë. Nesër do të vijohet me etapën e tretë Elbasan-Vlorë me gjatësi 143 km. Etapa e katërt Vlorë-Mbrostar-Përmet, me gjatësi 185 km, do të mbahet më datë 25 maj. Ndërsa më 26 maj Rrethi i 80-të Çiklistik do të ulë siparin me etapën e pestë dhe të fundit, Përmet-Fier, 123 km.