Kryetari i PD-së, Sali Berisha u rikthye të flasë këtë të enjte për vizitat misterioze të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Iran.
Berisha tha se në “Opinion” se Veliaj “është marrë në pyetje” për vizitat në Iran. Nuk përcaktoi nga cili organ ligjzbatues, por ngriti dyshime se kanë qenë ente partnere të huaja. Po ashtu, dha detaje edhe për lidhjen sipas tij të ish-komandos së grupi Pasdaran – që nga BE dhe SHBA cilësohet terrorist.
Ky i fundit, sipas Berishës, është ortak në një kompani me pronarin e inceneratorit të Tiranës Bruno Presezzi. Më tej, u shpreh se sipas kontratës me autoritetet shqiptare, kompania koncesionare e inceneratorit duhet të investojë një shumë parash, por që nuk i ka. Para që sipas Berishës, po sigurohen pikërisht nga ish-drejtuesi i grupit terrorist iranian.
“Veliaj është marrë dhe në pyetje. Shkuarja e tij në Iran ka ngjallur shqetësim të ata që e kanë diktuar dhe na kanë njoftuar ne. Në 2008 ma sollën lajmin shërbimet, është pyetur për vizitën e tij në Iran. Problem është se pas këtyre viteve dalin Bruno Presezzi, pronari 80 përqind i inceneratorit të Tiranës i lidhur me Ali Aliahbadin, ish-komandon e Pasdaranit”, tha.
Berisha shtoi se “Miliadi (Lopa) është inxhinier elektronik po që bën shoferin e Bruno Presezzi-t, udhëton dhe me Erionin në Teheran”.
“A është paruke apo i ka flokët e veta”, pyeti teksa tregoi foton e Veliajt.
“Ish komando i Pasdaran është ortak i Bruno Presezzi-t, tani ka kompaninë që ka ortakllëk me Bruno Presezzi-n, MAPNA. Me të cilën ka bashkëpunim me këtë tonin. Ndërsa për dijeni paratë e Iranit po hyjnë në Shqipëri”, deklaroi.
Duke u kthyer për vizitat e Veliajt në Iran, për të cilat saktësoi se kanë nisur në vitet 2007 dhe 2008, tha se “ka shkuar strikt për qëllime personale”.
“Ato t’ju u thotë shqiptarëve se një lidhje e fortë e ka çuar në iran në mënyrë të përsëritur. E paralajmëroi se mirë është të bëj transparencë. Problemi është që na u kthye djegësi në Tehran tani dhe italiani nga Dubai (ish-ortaku i Bruno Presezzi-t) informoi shqiptarët se hekurishtja që ishte ble në Konstacë, djegësi i Fierit, po paguhet me pare të Iranit”, shtoi.
“Ata që firmosën kontratën për Tiranën ,ata deklaruar se do investonin 130 mln euro. Ata s’kishin asgjë. Tani ata kanë gjetur si rrugë kryesore për të kërkuara para te MAPNA e Iranit. Është një kompani nën sanksione, e fuqishme se presidenti i saj është ish-komandat i Pasdaranit dhe i lidhur me shtetin. Dyshimet e atyre që e ndjekin problemin është se po hyjnë paratë e Iranit se ata që ndërtuan djegësin s’kanë para. Unë di një histori të mëparshme të Veliajt me tehranin. Di që pronari aktual i incenratorit të Tiranës, Presezzi, është i fotografuar me pronarin e MAPNA-s. Di që një anëtar i grupit të Presezzi-t që është në Dubai (ish-ortaku i Bruno Presezzi-t) deklaroi se hekurishtja që çmontuam në Kostancë do blihet me pare të tehranit. Ekzistojnë të dhëna se para të Iranit po hyjnë në Shqipëri”, deklaroi kreu i opozitës.
Ai përsëriti se Veliaj “shkonte dhe vinte në Tehran në vitet 2007-2008 dhe ne na njoftuan që po ndodh”.
“Se pse nuk e di. Shkoi dhe Rama por në funksion të kongresit të internacionales. Ky (Veliaj) shkonte incognito (fshehtas). Tani që del afera e Presezzi-t dhe Presezzi i lidhur me Aliahbadin. Kompania ka në kontratë se do investojë 130 mln euro, bankat si japin kredi dhe ata i janë drejtuar Iranit. Para 1 jave (Veliaj) angazhoi shërbimet iraniane për të falsifikuar lajmet që e kanë bërë disa herë, por merren vesh shumë kollaj. Shërbimet sekrete iraniane vihen në lëvizje për interesa të teokracisë iraniane”, u shpreh më tej Berisha.