Fushata elektorale dhe metoda që po ndjek Edi Rama duke mbushur rrugët e qyteteve me billborde të fytyrës së tij ku shkruhet “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”, për Fatos Lubonjën është një mesazh nga kryeministri që partia-shtet nuk ka ndërmend të lëshojë pushtetin.
Lubonja tha në “Open” se kundër forcës në pushtet nuk mund të ketë zgjedhje të lira më 14 maj dhe gjasat janë që demokracia të vijojë të mbetet në rrezik.
“Nuk gjykoj se ka gjë të keqe që të jetë politike fushata. Mendoj se më shumë se problemi i ca shërbimeve është ai i demokracisë që rrezikohet nga një parti shtet. Opozita ka përballë partinë shtet. Këto KAS marrin dhe vendimet, kush do jetë kryetar i koalicionit, etj. Ka administratën me patronazhistë, ka policinë. Kjo fushatë duhej shfrytëzuar sepse janë të destinuara kur je përballë një regjimi dhe partie shtet nuk ka zgjedhje të lira”, u shpreh ai.
Lubonja shtoi më tej se vota për zgjedhjet do vendoset nga paratë e harxhuara nga forcat politike, ku sipas tij mazhoranca e di sa para ka investuar në këtë drejtim, ku “gjysma e tyre janë të fshehta”.
Sipas tij me posterat në rrugë Rama do të tregojë se ai del e tepron për Shqipërinë dhe PS-në, kur në të vërtetë këto zgjedhje lokale duhet të prodhonin debat për problemet reale të qytetarëve, si infrastruktura rrugore, mungesa e shkollave, çerdheve apo qendrave kulturore.
“Shikoni foton e posterave. Çfarë tregon ajo? Këtu kemi një individ që është me ngjyra lart dhe thotë unë i mjaftoj PS-së dhe Shqipërisë. Ndërsa poshtë janë dy figurat që janë e kaluara. Këtu është thjeshtëzuar mesazhi në mënyrë të frikshme për popullin. Vetëm modesti që nuk ka aty. Ju jeni një zero mbrapa njëshit. Në zgjedhjet lokale në gjithë botën, ka debat mbi problemet e qyteteve. Rama thotë jam unë pastaj të tjerët. Kjo ka ndodhur sepse fatin e zgjedhjeve nuk e vendosin mitingjet, por paratë e harxhuara. Këta e dinë sa para kanë e sa kanë harxhuar. Ato janë gjysmë të fshehta, aty sigurohet vota. Jo me mitingje dhe me program. Pjesa tjetër është përçarja që i ka bërë opozitës. Çështja e parave duhet me shifra, jo me mitingje e flamuj. A ka thënë gjë nuk do bëjmë tendera 4 muajt e fundit? Nuk e tha. Po i jep vazhdimisht. Ka thënë gjë që nuk do përdorim gjykatën për të vendosur kreun e opozitës. Sipas Ramës opozita që ka ai është Alibeaj. Ajo është PD për të”, deklaroi Lubonja.