Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti denoncoi publikisht mbrëmjen e djeshme një rast të tentativës së blerjes së votave nga kundërshtari i Partisë Socialiste.
Në një lidhje video me emisionin “Çim Peka Live”, ai bëri me dije se bashkë me persona të tjerë kishin ndaluar furgonin e djalit të kandidatit të PS, Halit Muja, e më pas ishte njoftuar policia. Mjeti, sipas Dautit, kishte ndihma që do të shpërndaheshin për banorët si një formë e blerjes së votës për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Miftar Dauti shpjegoi: “Ne po rrinim në qytet dhe furgoni i djalit të kandidatit të PS ishte mbushur me ndihma. E kemi ndaluar furgonin. Kemi njoftuar policinë dhe janë këtu. I kemi kërkuar policisë që ta hapë furgonin, por ende nuk është hapur. Po presim të vijnë edhe mediat. Me këto ndihma, kandidati i PS po tenton të blejë votat në Has, po përdor të gjitha mjetet. Përveç ndihmave, po shpërndan shtylla elektrike. sepse ka vajzën drejtoreshë të elektrikut, po u bën presion qytetarëve me energjinë elektrike. Duke u thënë edhe se ‘jeni të lirë të vidhni energjinë elektrike deri më datë 14, sepse e kemi pushtetin dhe gjithçka do e shfrytëzojmë për fushatë. Shfrytëzon postin edhe duke shkuar nëpër shtëpitë e familjarëve duke blerë vota. Bën sikur punon dhe futet shtëpi më shtëpi duke blerë vota”, tha Dauti.
Lidhur me rastin ka reaguar dhe një nga gazetarët që ka qenë në terren pas denoncimit publik. Bekim Lekica, në një postim në rrjetet sociale, teksa sjell pamje, shkruan se pakot “janë marrë nga magazinat shtetërore te Rezervës së Shtetit dhe janë ngarkuar në automjetin personal nga punonjësi i këtij institucioni, magazinier, (më vonë policia saktësoi se është punonjës i bashkisë), dhe nga dy djemtë e kandidatit të maxhorancës”.
Më tej, ai shton se policia nuk i hapi kutitë me logon e institucionit të Rezervave Materiale të Shtetit në vendngjarje duke shmangur transparencën, si dhe ndaloi filmimet nga media.
Duke u nisur dhe nga një reagim i kryebashkiakut socialist Halit Mulaj, i cili pranon se po shpërndaheshin pako, por “për Natën e Kadrit”, ai ngre disa pikëpyetje.
“A mund ti kujtojë dikush kandidatit se, në fushatë zgjedhore, tashmë jemi në ditën e katërt të saj, nuk lejohen dhurata, pako ushqimore, bamirësi e deri te investimet publike e private, pasi ndikojnë direkt në devijimin e votës? A mund të na shpjegojë se, pse këto pako nuk janë blerë në subjekte private nga ana juaj apo djemve të tu (edhe kjo formë është në shkelje ligjore)? Pse në orën 21:00 shkojnë djemtë e tu në magazinat shtetërore në bashkëpunim me magazinierin e shtetit ngarkojnë ndihmat e emergjencave civile në automjetin privat? A mos është vjedhje e rezervave të shtetit i nderuar institucion ligjzbatues i vendit tim kjo formë”, shkruan gazetari në rrjetet sociale.
Policia, nga ana tjetër – që akuzohet si e përfshirë në këtë rast të dyshimtë shit-blerje votash, konfirmoi nisjen e një hetimi për çështjen, por nuk raportoi të ketë ngritur akuza penale ndaj ndonjë individi.
Pakot sipas bluve, u ngarkuan në magazinën e bashkisë. Në mjet, sipas të njëjtave burime, u gjetën 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”.