Kukësi i këtij sezoni është shumë larg pritshmërive. Verilindorët për fatin e keq të tyre e shikojnë vetën në luftën për mbijetesë, teksa aktualisht mbajnë vendin e 7-të me 36 pikë, +1 nga vendi i 8-të që të dërgon në “Play-Out”.
Një nga pikat e dobëta të kësaj skuadre në këtë sezon ka qenë edhe sulmi, ku janë shënuar vetëm 25 gola në 29 javë. Për disa javë Barbosa u shndërrua në një pikë referimi, por forma e mirë e Rashitit dhe golat që ky i fundit ka arritur të shënojë “detyruan” Rraman Hallaçin të ulë në stol brazilianin.
23-vjeçari nuk duket gjëkundi, ndërsa klubi nuk ka raportuar për ndonjë dëmtim të sulmuesit, duke u kthyer kështu në një “mister” vetëm 7 ndeshje larg fundit të kampionatit.
Mungesa e tij ra në sy në duelin me Vllazninë e zhvilluar në “Kukës Arena” ku Barbosa nuk ishte as në stolin e rezervave. Pas largimit të Juan David Martinez nga skuadra verilindore, braziliani mund të konsiderohet i radhës, por gjithsesi deri në një deklaratë të klubit 23-vjeçari vazhdon të mbetet një “mister”.
Kujtojmë se Barbosa zbarkoi në merkaton e verës në Kukës i huazuar për një vit nga skuadra greke e APO Levadiakos, ndërsa me fanelën e verilindorëve ka luajtur 22 ndeshje në kampionat, ku ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 2 asiste, ndërsa në Kupën e Shqipërisë ka luajtur 5 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola.