Edi Rama ka njoftuar se blogerja britanike Alice Taylor do të jetë e ftuara radhës në episodin e dytë të podkastit “Flasim”. Kreu i qeverisë në spotin e emisionit që ka publikuar, bën lojën e zakonshme të bashkëbisedimit me një kritike. Ai dëgjohet t’i thotë Taylor, që do e stigmatizojnë duke i thënë “Takove djallin, a e mendon tani edhe më shumë, që mund të thonë “të bleu, të korruptoi, të bëri për vete, të bëri magji, nuk është më e jona”!
Natyrisht në përgjigjen e anglezes të ardhur nga anonimiteti “ngjyrë gri” i vendit të saj, lexohet një gati eksitim që po dialogon me një kryeministër. Por në këtë fabul problemi nuk është te ajo. Madje as te kritika që i bëjnë ata që pretendojnë se, kush merr pjesë në këtë spektakël fallco, e humb legjitimitetin për ta quajtur veten kritik të Ramës.
Këtu thelbi i problemit qëndron tek dy standartet e propagandës së Rilindjes. Sepse, para se Alice Taylor ta kthente pllakën, gjë që është në të drejtën e saj të plotë (kur e kanë bërë aktorë të stërnjohur me emër në këtë vend, apo politikanë të votuar, s’ka pse mos e bëjë një e huaj krejtësisht pa rrënjë këtu), makineria e dizinformacionit të Rilindjes e ka masakruar shkruesen angleze. Ata i hynë deri në shtrat duke i kujtuar se jetonte me një njeri të afërt të Lulzim Bashës, e sulmuan si agjente të Rusisë që punonte për media si Rusia Today, i kujtuan artikuj të veçantë ku ajo nxinte imazhin e Shqipërisë duke thënë se, për policen Ina Nuka, që humbi gishtat gjatë protestave të opozitës, fajtorë ishin drejtuesit e uniformave blu që çonin në demostrata efektivë të papërgatitur. Këtu nuk kishte asgjë të re. Në kohën kur PD dogji mandatet akuza “agjentë të Moskës”, përdorej për këdo që nuk mbronte Edi Ramën.
Kjo i ndodhi edhe blogeres britanike. Pas kësaj fushate të egër mediatike, qeveria shqiptare vendosi ta përzinte nga vendi shkruesen e artikujve në anglisht, ndonëse ajo qe gjashtë muaj shtatzanë. Kolegët e saj akuzuan për këtë vendim të paprecedentë shpifjet se ajo qe një vegël e Kremlinit.
Vetë Taylor shkruajti atëhere: “Qeveria shqiptare, pasi më ka sulmuar mua dhe partnerin tim për shkak të punës sime si gazetar dhe kritikat e mia ndaj tyre, tani kanë anuluar rinovimin e lejes sime të qëndrimit”.
Kështu që tani jam këtu në mënyrë të paligjshme dhe kërkohet të largohem, pavarësisht se kam një certifikatë mjekësore duke thënë se nuk mund të udhëtoj për shkak të komplikimeve që dalin nga të qenit gati 6 muaj shtatzënë. Me një fëmijë shqiptar”, – shkruajti Taylor në mars të 2019.
Që atëherë rrodhi shumë ujë. Mbajtësja e blogut Balkanista kaloi një krizë në marrëdhëniet me partneriin e saj që e etiketonin si të afërm me Bashën, fitoi gjyqin dhe rimori lejen e qëndrimit, i zbuti tonet kritike ndaj qeverisë dhe së fundi u përfshi, me mish e me shpirt, për të zbatuar një ide të Edi Ramës për një dialog ndërkombëtar për rregullimin e gjendjes së mediave në Shqipëri, i cili u rrëzua nga të gjithë organizatat e mbrojtjes së lirisë së shtypit.
Pasi ndodhën të gjitha këto, kryeministri vendosi ta ftojë si kritike në episodin e dytë të podcastit të tij që do transmetohet të shtunën. Natyrisht, askush nuk do e akuzojë Alice Taylor se u shit apo tradhëtoi, ashtu siç ironizoi Rama gjatë bisedës. Por ama shembulli i saj për një gjë mund të shërbejë, për të kuptuar se sa fallco është propaganda e Rilindjes për paratë ruse dhe spiunët e Kremlinit.
Së fundi, të njëjtat media që i marrin shkrimet të gatshme nga drejtoria e shtypit në kryeministri, i kushtuan një hapësirë të veçantë podcastit të britanikes me Ramën. Ato i kanë fshirë një pjesë të shkrimeve me akuzat e dikurshme. Ndërsa vetë shefi i qeverisë, që dikur i hoqi lejen e qëndrimit, e ftoi në studio për të bashkëbiseduar si me një kritike.
Pjesë nga biseda Rama Taylor
Rama: Ti e bërë këtë hap erdhe këtu, takove djallin a e mendon tani edhe më shumë që mund të thonë te bleu të korruptoi të bëri për vete të bëri magji, nuk është më e jona!
Taylor: Isha kureshtare nga ftesa juaj më pëlqeu fakti që deshët të përballeshit me disa nga gjërat kritike që kisha shkruar dhe do të ishte budallallëk të të thoja jo.
Rama: Sa vite tu bënë këtu?
Taylor: 5 vite e gjysmë
Rama: Erdhët këtu vetëm për pak ditë dhe vijoni akoma…
Taylor: Është pushimi më i gjatë tre ditor… 5 vite e gjysmë! Ka patur jashtë mase ndryshime, disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre… Shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale në qoftë se shikoj diçka që më mërzit thellësisht! Dua të rris vajzën time këtu, dua të plakem këtu.
Rama: E keni dashur ndonjëherë Anglinë?
Taylor: Jo… Nëse mendon për Anglinë mendoj ngjyrën gri, Kur mendoj për Shqipërinë mendoj të kuqen, të gjelbrën blunë!
/Lapsi.al/