Gjykata e Elbasanit ka vendosur këtë të enjte të lërë në burg 2 të arrestuarit për kërcënimin e biznesmenit Eral Myftaraj dhe familjarëve të tij. Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për Algert Alcanin, dhe Edmir Boçin ndërsa për Shaqir Alcanin, gjykata ka vendosur “arrest në shtëpi.”
Personat e përmendur më sipër u arrestuan pasi pasi kanosën administratorin e një kompanie private në Cërrik, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani në bashkinë e Tiranës.
Shaqir Alcani, i biri i tij Algert Alcani dhe 37-vjeçari Edmir Boçi që u “kontraktua” prej tyre për të bërë presion edhe nëpërmjet kërcënimeve me jetë ndaj Myftarajt, që kompania e tij AL-MEXWOOD SH.P.K, të hiqte dorë nga një tender i bashkisë së Tiranës, u njohën sot me masën e sigurisë.
Prokurori Kreshnik Ajazi e cilësoi të ligjshme masën e arrestit të tyre dhe i kërkoi trupit gjykues të caktohet për ta masa “Arrest me burg”.
Sipas prokurorit, Shaqir dhe Algert Alcani, babë e bir, janë personat të cilët kishin pajtuar Boçin me nofkën “Çupja” dhe Louis Konomin (i shpallur në kërkim) për të kërcënuar biznesmenin Myftaraj që të tërhiqej nga tenderi me vlerë mbi 830 mijë euro, të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Në garë për tenderin me objekt “blerjen e lëndëve djegëse pellet për ngrohje dhe shpërndajen në objektet arsimore”, përveç kompanisë së Myftaraj që është shpallur fituese, kanë qenë edhe dy konkurrentë të tjerë.
Njëra prej dy kompanive rivale është ‘Alcani sh.p.k.’, me 100% të aksioneve të zotëruara prej 62-vjeçarit të arrestuar, Shaqir Alcani.
Personat, të cilët janë paguar nga babë e bir, Algert dhe Shaqir Alcani, janë persona me rekorde kriminale dhe me origjinë nga Lezha dhe Burreli.
Sipas hetimeve, të akuzuarit e kishin kërcënuar Eral Myftaraj me jetën e djalit për t’u tërhequr nga tenderi.
Në dëshminë e tij, biznesmeni rrefen se fillimisht ka qenë konkurrenti i tij, Shaqir Alcani dhe i biri, që i kanë kërkuar të tërhiqej nga tenderi. Me ta ai pohon se ka patur njohje shkak të biznesit në të njëjtën fushë.
“Kur aplikova në fillim kam folur dhe jam takuar me këta shtetas dhe më kanë thënë që të tërhiqesha nga ky tender sepse donin ta fitonin ata. Unë i thashë që nuk tërhiqesha dot por të vazhdonte procedura e rregullt dhe ligjore dhe nëse fituese do shpallej kompania e Shaqirit unë nuk do ankohesha dhe le ta fitonin ata”.
Me tej Myftaraj tregon se babë e bir kishin kontraktuar Edmir Bocin dhe Louis Konomi për ta kërcënuar me qëllim tërheqjen nga gara.
“Më datë 06.04.2023 më kontaktoi Edmir Boçi të cilin nuk e njihja. E kam takuar në një lokal në zonën e Medresesë në Tiranë dhe bashkë me të ishte dhe Louis Konomi. Këta persona më thanë të tërhiqesha nga prokurimi publik që unë kisha fituar, në të kundërt do kisha problem me ta. Të nesërmen në datë 07.04.2023 kam takuar sërish Edmir Boçi i cili më kërkoi sërish të tërhiqesha. Pasi nuk pranova më ka telefonuar Louis Konomi dhe më tha tekstualisht “Me këtë që bëre që nuk u tërhoqe nga tenderi unë do të të vras djalin”.
LEXO EDHE:
DETAJE/ “Do të vrasim”, tenderi 830 mijë euro i Veliajt futi në konflikt biznesmenët
Si u kërcënua biznesmeni për t’u tërhequr nga tenderi / Dëshmia