Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar në Leeds të Britanisë së Madhe pasi akuzohet për grabitje.
Aventura e Fatmir Limanit në ishull nuk ka nisur aspak mirë, pasi i riu fillimisht, pasi erdhi në Britani u kap me dokumente false dhe u dënua me 9 muaj burg.
Prej asaj kohe Limani ka kërkuar azil dhe sipas avokatit të tij për këtë arsye e ka të pamundur të punojë derisa të vendoset se çfarë do të bëhet me aplikimin e tij.
Ky argument u përdor nga avokati edhe për të justifikuar grabitjen që 23-vjeçari ka tentuar të kryejë së bashku me një azilant tjetër, i cili arriti t’i shpëtojë policisë.
Siç shkruajnë mediat angleze, së bashku ata përmes dritares hynë në një banesë, në rrugën Prince Henry në Otley, rreth orës 17:00 më 10 mars, për të vjedhur gjëra me vlerë.
Ata plaçkitën pronën në kërkim të sendeve me vlerë, duke nxjerrë sirtarët nga vendi dhe duke lënë sende të shpërndara në dysheme.
Limani dhe bashkëpunëtori i tij gjetën një orë xhepi të florinjtë që i përkiste stërgjyshit të pronarit, sende të tjera me vlerë, para dhe portofolet e fëmijëve.
Prokurori në Gjykatën e Leeds u shpreh se pronari kishte udhëtuar së bashku me familjen atë pasdite. Por në celular u lajmërua se kamerat e derës kishin pikasur lëvizje jashtë pronës.
Ai mundi të shihte dy njerëz që ecnin drejt pronës së tij dhe kontaktoi disa fqinj për t’u siguruar nëse kishte drita që lëviznin në shtëpi. Pas kësaj, u lajmërua policia e cila arriti menjëherë. Limani dhe personi tjetër dolën nga pjesa e pasme e banesës dhe shkuan deri në një shkollë.
E teksa personi i paidentifikuar u zhduk, 23-vjeçarit shqiptar i vunë prangat. Gjatë dëshmisë së parë e mohoi veprën penale, por më vonë e pranoi akuzën për vjedhje duke marrë përgjegjësi për të gjithë organizimin. Por gjykatësi u shpreh se kjo nuk ishte e vërtetë pasi në kamera janë filmuar dy persona.
Avokati i Limanit, tha se i riu shqiptar kishte hyrë në Britani me gomone, 19 muaj më parë.
Ai tha se 23-vjeçari kishte pranuar t’i paguante trafikuesve të tij 25.000 paund dhe u urdhërua që t’i paguante paratë duke punuar.
Duke punuar në ndërtim dhe lavazh, shqiptari arriti t’i dërgojë vëllait në Shqipëri 5.000 Paund, por nuk shleu asnjë pjesë të borxhit që pretendon se i ka trafikantëve.
Ndërkohë, gjykata e dënoi 23-vjeçarin me 18 muaj burg dhe pas kësaj ai me shumë gjasë do të deportohet.
Sakaq, gjykatësi kur dha vendimin për shqiptarin tha: “Më kanë thënë se keni kërkuar azil, por nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me këtë. Unë pres që ju të ndaloheni në fund të këtij dënimi nga Home Office për t’u deportuar. Fatkeqësisht, Britania e Madhe ka shumë kriminelë të vetët, aq sa nuk kemi nevojë të na vijnë nga Shqipëria”.