Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi me armë ndaj fasadës së televizionit Top Channel, ku mbeti i vrarë 60-vjeçari nga Puka, Pal Kola, i cili prej gjashtë muajsh ishte punësuar si roje e sigurisë me shërbim pranë godinës.
Teksa breshëri e kallashnikovit, me mbi 25 plumba të gjuajtur në drejtim të televizionit kombëtar ka ngritur alarmin për kërcënimin e medias dhe ka shokuar opinionin publik, policia është vendosur në gatishmëri për të zbardhur ngjarjen.
Mësohet se dy të shoqëruarit si persona të dyshuar për sulmin me armë, për të cilët fillimisht u raportua vetëm se janë nga qyteti i Shkodrës, mësohet të jenë Roberto Papçi (ish-dhëndri i viktimës) dhe miku i tij Agostin Tonaj.
Dy personat në fjalë po lëviznin me një automjet tip “Benz”, të marrë me qira në Shkodër, kur u ndaluan në Vlorë, pasi krijuan bindjen te efektivët e “Shqiponjave” se po fshihnin diçka.
Papçi dhe Tonaj janë ndaluar në orën 03:00 pas mesnate, dy orë pasi kishte ndodhur ngjarja e rëndë në ambientet e “Top-Channel” në Mëzez.
Ndalimi i tyre është kryer në ikje e sipër nga një patrullë, pasi ishin pikasur nga kamerat e sigurisë teksa hidhnin diçka në hyrje të Vlorës dhe policia, me dyshimet se bëhej fjalë për armë zjarri, i ka shoqëruar në komisariat.
Për shkak se dy personat nga qyteti i Shkodrës kanë dhënë dëshmi kontradiktore, ata janë shoqëruar në ambientet e policisë, por vetëm në mëngjes policia kriminale ka zbuluar se njëri nga personat e ndaluar rastësisht në orët e mesnatës në Vlorë, është ish-dhëndri i viktimës Pal Kola.
Ndalimi i tyre është kryer vetëm për verifikim, por në orët e drekës policia kriminale ka urdhëruar transferimin e Roberto Papçit dhe shokut të tij në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Pas shoqërimit ata janë marrë në pyetje shkurtimisht në Vlorë, ndërsa më pas për veprime të mëtejshme janë transportuar drejt Policisë së Tiranës, ku pasi janë pyetur nga hetuesit janë lënë të lirë.
Gjatë komunikimit Robert Papçi mësohet se ka thënë për policinë e Vlorës se po shkonte në qytetin bregdetar për të blerë një makinë. Ai dhe miku i tij kanë mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë.
Një ndër pistat që dyshohet se hetuesit kanë vendosur fokusin është edhe ajo e problemeve mes familjes së rojës së vrarë dhe Roberto Papçit, pasi dy vite më parë ky i fundit është divorcuar nga vajza e Kolës dhe çifti kanë pasur konflikte për ndarjen dhe kujdestarinë e fëmijës së tyre.
Ndërkohë, Papçit dhe Tonajt u është bërë testi i faktorëve plotësues, me qëllim gjetjen e grimcave të barutit të djegur në duar dhe rrobat e tyre. Po ashtu u janë marrë edhe shenjat e gishtave, ndaj priten përgjigje më konkrete lidhur me rolin e tyre në këtë ngjarje, pas përfundimit të analizave.
Nëse konfirmohet se ata të dy janë autorët e sulmit me armë ndaj Top Channel, me qëllim për t’i marrë jetën Pal Kolës, kjo do të shënonte një kthesë të fortë për ngjarjen, duke arritur në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me ‘atentat’ ndaj fjalës së lirë, por nëj vrasje prej konfliktit personal.
Sakaq, mësohet se pasi janë marrë në pyetje nga hetuesit, Papçi dhe Tonaj janë lënë të lirë.
LEXO EDHE:
Detaje/ Policia ndaloi ish-dhëndrin e Pal Kolës, shkodrani u kap 2 orë pas sulmit në TCH