Çelja e aplikimeve për skemën kombëtare mbështetëse të fermerëve, blegtorëve e bletarëve që është hartuar nga ministria e Bujqësisë dhe kap vlerën e 3.3 miliardë lekëve, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet subvencioneve për naftën, ka krijuar radhë të gjata në Drejtoritë Bujqësore dhe Agro-Pikat në qarqe.
Në orët e para të çeljes së aplikimeve, është kryer një numër rekord prej 13 mijë aplikimesh të fermerëve në shkallë vendi. Kjo është një shifër tejet e lartë krahasuar me vitin e kaluar dhe faktori kryesor duket se është bërë diversifikimi i masave të mbështetjes, pasi për të dytin vit radhazi subvencionet po jepen edhe për në blegtori, në bletari e pemëtari, por edhe prej mundësisë për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë.
Deri tani 3600 aplikime janë shënuar për skemën e naftës pa taksa për bujqësinë. Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj.
Fermerët kanë afat të aplikojnë për mbështetje në Skemën Kombëtare 2023, deri në datën 11 prill të këtij viti. Ata mund të aplikojnë online në portalin e-Albania, por edhe në 20 agropika dhe 35 zyra të AREB-ve në të gjithë vendin.
Korçë – Situata ka qenë më e nderë pranë drejtorisë së Bujqësisë në Korçë, aty ku fermerët janë rreshtuar në radhë të gjatë prej orës 7 të mëngjesit dhe ka nga ata që prej 6-7 orësh, deri në mesditë, janë ende në pritje për të mbyllur aplikimin.
Ndonëse është dita e parë e aplikimeve, fermerët janë shprehur se janë paraqitur në ambientet e drejtorisë sepse vitin e kaluar nuk kanë mundur të përfitojnë, pasi u kishte kaluar afati.
“Kam që në 7 të mëngjesit që rri në këmbë këtu. Çfarë t’u them unë”, tha një nga fermerët.
“Vjet nuk morëm, erdhëm këtu dhe asgjë. Edhe këtë vit doli prapë, por po bëjmë shumë orë këtu dhe asgjë nuk kemi marrë. Në këtë moshë që jemi ne, nuk marrim vesh nga ato që kanë thënë apo aplikime me telefona”, tha një tjetër qytetar.
Për radhët e gjata ka reaguar edhe drejtori i Bujqësisë, Vullnet Gjolla i cili ka bërë të ditur se shkak i radhëve ka qenë një problem në sistem mëngjesin e sotëm por që tashmë ka marrë zgjidhje dhe zyra e tyre vijon të presë fermerët.
Sipas tij në ditën e parë të aplikimeve gjithmonë ka radhë. Ai ju ka bërë thirrje fermerëve për të aplikuar edhe online nëpërmjet e-albania, po ashtu dhe në 4 agropikat e qarkut.
Gjolla është shprehur për mediat se sipas afateve të caktuara nga Ministria e Bujqësisë aplikimet do të zgjasin edhe 20 ditë ndaj nuk është nevoja të krijohen radhë të gjata.
Por, shumë fermerë, sidomos moshat e treta thonë se nuk mund ta kryejnë këtë proces online pasi nuk janë adapt me risitë teknologjike dhe ndaj mundësinë e vetme kanë paraqitjen fizikisht pranë kësaj drejtorie.
Ndërkohë shumë të tjerë kanë frikë se do të mbeten jashtë skemës prej afateve, pasi e kanë pësuar vitin e kaluar duke mos arritur të kryejnë aplikimin në kohë.
“Aplikuam vjen dhe nuk morëm dot se kaloi afati. Tani kemi ardhur që në pesë të mëngjesit. 70-80 vjeç burri këtu rri e pret. Tani të shohim çdo të bëhet, po nuk na gënjyem do të marrim, nëse na gënjejmë nuk marrim gjë. U futëm njëherë atje, por dolëm jashtë sepse nuk rrimë dot në këmbë”, tha një fermer.
Fier- E njëjta situatë paraqitet edhe pranë Agro-Pikës në Fier, ku fermerët dhe blegtorët janë në pritje prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, për të kryer aplikimin, në mënyrë që të përfitojnë nga skema kombëtare prej 3.3 miliardë lekësh e akorduar nga Ministria e Bujqësisë për subvencionimin e naftës.
Dy pikat e aplikimit , pranë Agro-Pikës dhe pranë zyrave të ekstensionit bujqësor kanë shënuar radhe të gjata aplikuesish. Fermerët shprehen njëzëri se është e vështirë të aplikosh edhe pse gjatë viteve të mëparshme kane qenë përfitues.
Përveç vështirësive për të aplikuar online përmes e-Albania, fermerët tregojnë se mungesa e internetit dhe rënia e sistemit janë bërë të zakonshme, ndaj krijohen dyndje të tyre pranë këtyre pikave.
“Di unë ca bëjnë këta brenda, njëherë thonë s’ka internet, njëherë nuk ka sistem. Shikojeni vet kallaballëk. Ne bëjmë bereqaves për aq. Duhet të kishte pika më të afërta, mos të lodheshin njerëzit deri këtu, të bllokohen këtu”, u shpreh një fermer.
Lushnje – Me radhë të gjata ka nisur dita e parë e subvencioneve në bujqësi edhe në Lushnje.
Të paktën mbi 300 persona kanë kërkuar shërbim për 1 orë në dy pikat e hapura për të aplikuar. Pavarësisht se aplikimi bëhet i aksesueshëm përmes portalit e-albania , pjesa më madhe e tyre nuk e bëjnë për shkak se nuk dinë të përdorin teknologjinë.
Sistemi online gjithashtu ka qenë i mbingarkuar për shkak të vrullit të kërkesave në ditën e parë. Numri i lartë i aplikimeve ka shkaktuar ngadalësimin e e-albania.
Ndërkohë duket se e njëjta situata është edhe në Shkodër, ku gjatë ditës së sotme ka pasur radhë të gjata fermerësh, sa i takon përfitimit të subvencionit të naftës.
Vlorë- Aplikimet për skemën mbështetëse të fermerëve, blegtorale, bletarëve e peshkatarëve kanë krijuar radhë të gjata edhe në Vlorë, pasi shumë prej tyre janë konfuz për mënyrën e aplikimit online, duke u paraqitur në Drejtorinë Rajonale.
Një fermer nga Vlora, i cili ka 10 vite që merret me mbarështimin e bletëve u shpreh se nuk mundet të aplikojë online.
“Kam ardhur për bletari, për të aplikuar. Kam 120 koshere, aplikova dhe po pres. Nuk di, kam ngelur këtu tani. Po pres këtu nëse mund të më ndihmojnë me procesin”, u shpreh bletërritësi për mediat.
Një tjetër fermer i angazhuar me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore u shpreh se edhe pse nuk i plotëson të gjitha kushtet e aplikimit, e ka provuar njëherë skemën me shpresën se mund t’a fitojë.
“Kam ardhur për aplikimin për tokën dhe blegtori. Disa i plotësoj disa të tjera jo. Aplikimin e kam bërë, i kam të gjitha dokumentat, shpresoj … ça do bëhet pastaj nuk e di”, tha fermeri.
Ndërkohë, drejtori Rajonal i Bujqësisë për Vlorën, Adila Kojdheli mohoi që të ketë vonesa në process, ndërsa kërkoi nga fermerët që të ndërgjegjësohen më tepër dhe ta realizojnë procesin e aplikimit për subvencionet online, pasi është tepër i thjeshtuar dhe efikas.
“Ka një interesim shumë të madh të fermerëve që nuk ka qenë më parë. Përsa i përket proceseve, Vlora zakonisht njihet për rritjen e bagëtive të imta, por së fundmi ka filluar edhe një interes shumë I madh edhe për kultivimin e grurit, pasi të gjithë që kanë aplikuar për mbjelljen e grurit, në fund janë rimbursuar me nga 30 mijë lekë të reja për hektar. Përsa i përket vonesave nuk ka pasur pasi aplikim për blegtorët aplikimi është pa letra dhe kur vjen puna për verifikimin në terren duhet regjistri i fermës te zyrat tona dhe pagesa e sigurimeve. AMTP-ja është për ata që e përfitojnë naftën pa akcizë, por është thjeshtuar procedura përsa i përket vërtetimit të tokës me aktin noterial”, u shpreh Kojdheli për mediat.