Katër vajza të moshës nga 21 deri në 28 vjeçe, janë arrestuar nga policia në Tiranë brenda një qendre masazhesh, të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni.
Sipas një njoftimi nga uniformat blu vajzat janë arrestuar në flagrancë, ndërsa procedimi në gjendje të lirë ka nisur për 4 klientë të tyre, të cilët gjithashtu janë gjendur brenda ambienteve në momentin e operacionit policor.
Njëra prej vajzave, një 28-vjeçare dyshohet se është edhe administratorja e kësaj qendre masazhesh, e cila kishte dijeni të plotë për aktivitetin e paligjshëm që ushtrohej aty.
Qendra e kamufluar e masazheve promovonte shërbimet ekstra që ofronte edhe në rrjetet sociale Instagram dhe “Tik Tok”, duke përshkruar në detaje edhe look-un e karakteristikat e vajzave, të cilat ushtronin prostitucionin aty.
Njoftimi i policisë:
Kishin përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, vihen në pranga 4 shtetase, njëra prej tyre administratorja e qendrës.
Procedohen në gjendje të lirë 1 shtetase e punësuar në qendrën e masazheve dhe 4 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Inside”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve:
– Xh. K., 28 vjeçe, B. K., 23 vjeçe, A. P., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.
Shtetasja Xh.K. administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Margarita Tutulani”, në të cilën, përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. R., 31 vjeçe, punonjëse në këtë qendër masazhesh, si dhe për shtetasit E. A., 27 vjeç, E. C., 34 vjeç, S. M., 32 vjeç dhe A. P., 28 vjeç, klientë në këtë qendër masazhesh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 aparate celulare, shumat 351.000 lekë të rinj dhe 550 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.