Lidhja Demokratike e Gruas organizoi sot një protestë me rastin e 8 Marsit. Gratë dhe vajzat e PD-së protestuan fillimisht në disa pika të ndryshme, ndërsa më vonë u bashkuan përpara selisë së qeverisë.
Deputetja dhe drejtuesja e LGSH, Albana Vokshi, gjatë fjalës së saj përpara të pranishmeve në protestë tha se gratë dhe vajzat vriten, abuzohen, dhunohen, por shteti i Edi Ramës nuk bën asgjë për të parandaluar këtë të keqe.
Më tej, Vokshi shton se 135 gra janë vrarë gjatë qeverisjes së Edi Ramës e vazhdojnë të vriten cdo ditë. Vokshi shprehet se “Edi Rama nuk do t’ia dijë për gratë. Nuk e thotë publikisht, por të jeni të sigurta që mendon “kokat ngrënshin”, sa herë dëgjon për dhunën në familje. Sepse Edi Rama është njeri i dhunshëm për vete dhe është nxitësi kryesor i dhunës në familje.”
Në fjalën e saj, Vokshi deklaron se Edi Rama i ka mohuar më shumë se gjysmës së grave dhe vajzave një vend pune.
“Në Shqipëri ka shumë profesioniste të mira, por nuk ka punë për to, sepse në këtë vend prej gati 10 vitesh nuk ka asnjë program punësimi që ndihmon gratë dhe vajzat. Rreth 70% është norma e papunësisë për gratë në tregun e punës. Shkalla e papunësisë është dyfishi i vendeve të BE.
Por edhe për punë të barabartë, gratë paguhen 15% më pak se burrat. Jo se burrat vuajnë më pak nën regjimin e Edi Ramës, por sot është dita jonë dhe sot zërin do ta ngremë për vete.“- thotë Vokshi.
Të dashura nëna, të dashura gra dhe vajza që sot keni lënë gjithçka për të ngritur zërin përballë zyrës së kryeministrit më armik ndaj të drejtave të grave!
Prania jonë sot këtu do të thotë që ne refuzojmë ta pranojmë këtë realitet. Ne refuzojmë që një kryeministër i korruptuar të shkelë me këmbë të drejtat tona! Ne refuzojmë të bëhemi fasada e një demokracie që nuk ekziston!
Ne jemi sot këtu për të thënë disa të vërteta.
Një e vërtetë e tmerrshme është se gratë dhe vajzat vriten, abuzohen, dhunohen, por shteti i Edi Ramës nuk bën asgjë për të parandaluar këtë të keqe.
-135 gra të vrara në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, shumica me urdhër mbrojtje, edhe gjykatëse mes tyre.
-Rreth 1900 raste dhune të evidentuara nga policia (se ka edhe shume e shumë më tepër se kaq por nuk deklarojnë nga turpi ose nga frika).
-Mbi 1400 urdhra mbrojtje më shumë… por që nuk i mbrojnë gratë nga dhuna.
-3 gra u vranë pak ditë dhe 3 te tjera u plagosën nga një njeri që qeveria e dinte se ishte i dhunshëm, por nuk mori asnjë masë. Për turp të Zotit, megjithëse nuk besoj se Edi Rama ka zot, ai nuk foli një fjalë. Shqipëria ishte nën shok, por Edi Rama heshti për gratë dhe vajzat e vrara në mes të ditës ndërkohë që festonte diku në Itali.
135 gra janë vrarë gjatë qeverisjes së Edi Ramës… e vazhdojnë të vriten cdo ditë, se ky, Edi Rama nuk do t’ia dijë për gratë. Nuk e thotë publikisht, por të jeni të sigurta që mendon “kokat ngrënshin”, sa herë dëgjon për dhunën në familje. Sepse Edi Rama është njeri i dhunshëm për vete dhe është nxitësi kryesor i dhunës në familje.
E vërteta e dytë është se ky kryeministër i ka mohuar më shumë se gjysmës së grave dhe vajzave një vend pune. Në Shqipëri ka shumë profesioniste të mira, por nuk ka punë për to, sepse në këtë vend prej gati 10 vitesh nuk ka asnjë program punësimi që ndihmon gratë dhe vajzat. Rreth 70% është norma e papunësisë për gratë në tregun e punës. Shkalla e papunësisë është dyfishi i vendeve të BE.
Por edhe për punë të barabartë, gratë paguhen 15% më pak se burrat. Jo se burrat vuajnë më pak nën regjimin e Edi Ramës, por sot është dita jonë dhe sot zërin do ta ngremë për vete.
Barazia më e madhe gjinore çon në rritjen e numrit të të punësuarve, rritje e PBB/frymë me rreth 10% deri në 2050 (thotë një studim i BE).
E vërteta tjetër është se Edi Rama po e shkreton Shqipërinë edhe nga gratë. Më parë, shumica e emigrantëve ishin burra dhe djem, por vitet e fundit gratë dhe vajzat përbëjnë një numër shqetësues në shpopullimin e Shqipërisë. Pjesa më vitale e shoqërisë po largohet, sepse vendi udhëhiqet nga armiku i grave dhe i vajzave.
1 milion shqiptarë janë larguar që nga 2014 në vendet e BE, e rreth gjysma e tyre janë gra.
Kam një pyetje për ju. A ka këtu ndonjë grua apo vajzë që nuk është e prekur nga emigracioni? Të ngrejë dorën kush nuk ka jashtë një familjar, një të afërt, një mik. Kjo është një tjetër e vërtetë ulëritëse. Edi Rama na ka kthyer në një popull në eksod. Një vajzë infermiere më tregoi pak ditë më parë se kishte mbetur e vetme. 3 shoqe ishin larguar. Kudo dëgjon vetëm për ikje. Një nënë më tregoi që të tre fëmijët i ishin larguar për në Gjermani. Ne duhet të jemi vendi i vetëm në Europë ku nënat mendojnë të largojnë fëmijët, sepse në Shqipëri nuk kanë të ardhme. Kjo është vepra më e tmerrshme që Edi Rama ka bërë në këto 10 vjet dhe për këtë ai duhet të paguajë!
Ka edhe një tjetër të vërtetën që dua të ndalem, pasi e konsideroj më të rëndësishmen nga të gjitha. Është burimi i çdo të drejte tjetër, që na përcakton ne si qytetarë me të ardhme apo si kavje eksperimentale. Kjo e vërtetë ka të bëjë me të drejtën për të votuar. Për të votuar të lirë nga çdo presion. Kjo është një e drejtë që Edi Rama na e ka sekuestruar. Sa herë ka zgjedhje, lukunitë e tij të patronazhistëve, të kriminelëve, të oligarkëve përdorin çdo mjet për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve. Edi Rama e blen pushtetin me mjetet më brutale të mundshme duke arritur deri tek kërcënimi me heqjen e bukës së gojës për fëmijët tuaj.
Ky është themeli i të keqes që ka mbërthyer sot Shqipërinë. Pa rivendosjen e të drejtës së votës së lirë për çdo grua e për çdo burrë, çdo e drejtë tjetër është iluzion.
Të flasësh sot për barazi gjinore është tallje për gratë. Kur nuk ke punë ose kur punon me frikën e represionit të pushtetit, kur fëmijën mendon ta largosh nga vetja, sepse këtu nuk ka të ardhme për shkak të korrupsionit të qeverisë, kur arsimimi i fëmijëve e të rinjve nuk është cilësor dhe i barabartë, kur shërbimet shëndetësore janë mollë e ndalueme, kur prona jote nuk është e sigurt, kur vota jote nuk ka vlerë, kur jeta jote nuk është e sigurt, atëherë këtu gratë janë në rrezik. Dhe kur gratë janë në rrezik, e gjithë shoqëria është në rrezik!
Ne sot jemi këtu si garante për çdo grua dhe vajzë që nuk flet dot hapur për një mijë e një arsye.
Jemi sot këtu për çdo grua të dhunuar, për çdo nënë që i qan shpirti.
Zëri ynë sot është zëri juaj!
Ne kurrë nuk do të ndalemi derisa çdo grua shqiptare të jetojë krenare, me dinjitet, e pavarur dhe e lirë në atdheun tonë të përbashkët.
Do jemi në këmbë për të protestuar, për të mbrojtur familjen tonë të përbashkët, për t’i dalë zot fëmijëve, familjes!
T’i dalim zot Shqipërisë!
E nëse guxojmë, nëse reagojmë, nëse protestojmë, nëse marrim fatin në duart tona, do ja dalim që Shqipërinë ta bëjmë vendin ku fëmijët tanë të ngrenë të ardhmen e tyre.