Vetëm 24 orë pasi në Kongresin e Parë të Shëndetësisë në Tiranë atakoi studentët e Universitetit të Mjekësisë, duke u ndalur tek fenomeni i braktisjes së sistemit shëndetësor nga mjekët dhe infermierët, të cilët emigrojnë në Gjermani, Edi Rama e shtroi problemin edhe në Berlin.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama i kërkoi Scholz që të gjejnë një zgjidhje që Shqipëria të balancojë atë që humbet pas ikjes së mjekëve nga sistemi shëndetësor shqiptar.
“Kemi diskutuar edhe këtë çështje. Ne nuk mund ti kërkojmë Gjermanisë dhe asnjë vendi të BE-së, që të ndalojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor dhe të ndalojë lëvizjen e lirë të atyre që nga Shqipëria duan të provojnë jetën në profesionin e tyre. Kemi diskutuar me Kancelarin se si duhet të gjejmë mënyra që faktikisht Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. i kam shpjeguar Kancelarit që studentët tanë të mjekësisë paguajnë 1/16 të kostos, ndërkohë që pjesën tjetër e paguan Qeveria. Është shumë e rëndësishme që të gjejmë një rrugë, që të jetë një rrugë europiane për të balancuar atë që Shqipëria humbet në këtë fazë kaq të rëndësishme”, tha Rama.
Por kancelari gjerman u përgjigj me shumë diplomaci, duke i “mbyllur gojën” Ramës për kërkesat e tij absurde me kthim investimesh, pasi i kujtoi se lëvizja e lirë është një nga themelet e Bashkimit Europian që i lejon njerëzve të emigrojnë dhe të punojnë atje ku gjejnë alternativa më të vlefshme ekonomikisht dhe profesionalisht.
“Ne folëm për këtë çështje. Është një sfidë e madhe. Lëvizja e lirë është arritje e madhe e BE-së. U ka dhënë ndjesinë qytetarëve që nuk mund të udhëtosh vetëm si turist. Me këtë liri sot janë lidhur edhe shumë sfida. Është shumë e rëndësishme që vendi ynë ndihet përgjegjës që nevojën e madhe për vende pune të mos e mbulojë vetëm nga vendet e BE-së, por edhe jashtë saj”, tha Scholz në sy të Ramës.
Ndërkohë, kujtojmë se Rama iu rikthye dje kërcënimeve ndaj mjekëve dhe infermierëve teksa i referohej “hemorragjisë” në sistemin shëndetësor vendas, duke u shprehur se ka ardhur koha që të adresohen problematikat, pasi shteti nuk mbulon dot financimet për sistemin shëndetësor gjerman.
Rama u shpreh se shteti shpenzon miliona euro për shkollimin dhe më pas praktikën e një studenti në Tiranë, i cili sapo merr diplomën i hipën avionit dhe largohet.
“Sot një student i mjekësisë paguan 1 të 16-ën e ksotos reale. Në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesi, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuar, dhe shërbimet nuk vihen në diskutim, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Shteti dhe taksapaguesit nuk e bëjnë këtë që ditën që mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata të cilët financohen nga ky buxhet, të ikin dhe të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është një problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha ta adresojmë”, tha Rama ditën e djeshme.
Por kryeministri harroi të përmendte se arsimi i lartë në Shqipëri nuk është falas dhe kostot mbulohen nga xhepi i studentëve, teksa ai në vazhdimësi e ka trajtuar problemin për të dalë në përfundimin se kostot bien mbi qeverinë dhe taksapaguesit shqiptarë, në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e BE, të cilëve më 18 tetor 2022 guxoi t’u kërkonte edhe kthijm mbrapsht të investimit.
Kryeministri po në këtë ditë “kërcënoi” hapur studentët duke thënë se diplomat e tyre nuk do t’i marrin menjëherë pas përfundimit të studimeve, pro vetëm pasi të kenë kthyer “borxhin” ndaj Shqipërisë duke punuar për disa vite në sistemin shëndetësor vendas.
“Paguajmë ne, ua bëjmë gati, vjen gjermani kur thonin filmat, edhe na i merr. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Kështu që e para, diplomën e mjekët nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do shkosh një herë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty, pastaj do marrësh dhe diplomën e pastaj shko ku të duash, sipas afateve të caktuara. Për më tepër, e dimë shumë mirë se si në shumë vende, mjekët që janë standardi më i lartë i shërbimit human, nuk i marrin diplomat menjëherë por duhet të tregojnë dhe që janë të zotë tu shërbejnë njerëzve përveç se të japin provime, se nuk mund të vazhdojë kjo histori kështu”, u shpreh Rama në tetorin e vitit të shkuar.