Grupi “Alibeaj” pas disa muajve inekzistent zhvilloi ditën e djeshme një mbledhje që zgjati prej paradites deri në mbrëmje në një nga hotelet e Tiranës, ku edhe u diskutua vendimi i Gjykatës së Apelit që dërgoi për rigjykim në Shkallën e Parë çështjen e vulës së PD.
Gjithashtu temë e diskutimit ishte regjistrimi në KQZ për zgjedhjet e 14 Majit me një autorizim të firmosur nga Lulzim Basha, i cili pas një viti i dorëhequr dhe në “arrati” umbi mbi letra sërish si kryetari i Partisë Demokratike.
E teksa deputetët e këtij grupimi e cilësuan Bashën si e shkuara e PD dhe vetë Alibeaj u shpreh se ndihet dhe e sheh veten si kryetar të selisë blu, në fund të kësaj mbledhje grupi është dorëzuar dhe me bindje të plotë kanë vendosur të rinisin negociatat për bashkim me Sali Berishën.
Në mbledhjen e Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, që u thirr nga Alibeaj është rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh të cilët janë mandatuar për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.
Ky grup do të përbëhet nga Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxha. Gjithashtu forumet e PD vendosen si afat të këtij komunikimi deri ditën e premte.
Sakaq, teksa e shohin veten si Partia Demokratike me vulë dhe logo, grupimi në fjalë duket se nuk ka në plan të rikthehet në selinë blu që ndodhet në bulevardin “Zhan Dark”.
Mbrëmjen e djeshme në “Top Story” u zbulua se grupi i Alibeajt ka marrë një ambient në zonën e ish-Bllokut dhe aty priten të zhvillohen takimet dhe mbledhjet e ardhshme të tyre.
“Duke përdorur dhe avantazhet që ky grupim ka si një grupim i financuar nga buxheti i shtetit, ka marrë një ambient privat në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, ku do të zhvillojnë aktivitetin e tyre politik nga sot e në vazhdim”, zbuloi gazetari Juxhin Mustafaraj.