Vendimi i Gjykatës së Apelit për të rikthyer për gjykim në Shkallën e Parë çështjen e Vulës së PD, ka krijuar një situatë të paprecedentë para zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Teksa në PD e Berishës mbetet ende e paqartë sesi do të regjistrohen në KQZ, nga grupi i Alibeajt prej momentit që u vendos fati i “Vulës” kanë ardhur mesazhe të forta për t’u ulur në tryezë bisedimesh dhe për të dalë me kandidatë të përbashkët.
Me kuriozitet të madh priten dy mbledhjet e grupimeve respektive, me Berishën që ka thirrur Këshillin Kombëtar për të vendosur mënyrën si do të garojnë në zgjedhje kandidatët e dalë nga “Primaret”, ndërkohë që edhe Alibeaj ka paralajmëruar takim me Grupin Parlamentar.
Sakaq për këto çështje sensitive në PD, ka folur në emisionin “Kjo Javë” deputeti Oerd Bylykbashi.
Lidhur me mënyrën sesi PD e Berishës do të regjistrohet në zgjedhje ai tha se ky është një vendim që do të merret nga organet kolegjiale të partisë, ndërsa shtoi se kryeministri Rama ka bërë përpjekje për mos lejuar regjistrimin e PD në KQZ, përpjekje kjo që kulmoi me vendimin e djeshëm në Apel.
Bylykbashi ka komentuar edhe në lidhje me alternativat për një bashkim me Alibeajn, i cili u kërkua hapur sot nga deputetë që bëjnë pjesë në grupin e këtij të fundit si Dashnor Sula apo Kreshnik Çollaku, apo me konkurrimin në zgjedhje nën siglën e Partisë së Lirisë.
“Vendime që i marrin organet kolegjiale të partisë, nesër mblidhet Këshilli Kombëtar. Diskutuam një seri çështjesh që do diskutohen me forumet. Nuk ka ekuivok që ne hyjmë në zgjedhje. Nuk mund t’jau them mekanizmin që do përdorim. Ka disa alternativa. Në marrëveshjen politike me Partinë e Lirisë nuk thuhet do të jemi në koalicion. Këto janë deklarime që janë bërë më herët. Ne hyjmë në zgjedhje për të fituar. Sistemi që ka ngritur Rama është si të pengojë PD të hyjë në zgjedhje e ta zëvendësojë me një surrogate”, u shpreh Bylykbashi.
Ndërkohë që në sqarimin e mëtejshëm të situatës, si një nga resurset më të njohura të PD sa i përket njohjes së legjislacionit, Bylykbashi shpjegoi se në këtë moment Enkelejd Alibeaj nuk çon dot kandidatë në KQZ, pasi nuk është kryetar partie.
“Nuk ka asnjë vule, Kuvendi i 11 dhjetorit nuk është zhbërë. Nuk u prish vendimi e u pushua çështja, çështja u kthye në rigjykim për arsye procedurale. 11 dhjetori është sërish për tu rishqyrtuar”, u shpreh Bylykbashi.
Sa i përket kandidatëve të përbashkët me grupin Alibeaj, deputeti demokra nënvizoi se familja e demokratëve është në një sulm të Ramës për ta shpërbërë, dhe për këtë kryeministri ka përdorur instrumente të brendshme.
“Të gjithë duhet të bashkohemi. Thirrje edhe për deputetët. Alibeaj dhe Basha nuk kanë asnjë tagër dhe nuk mund të bëjnë ftesë për deputetët e t’u thonë ejani se ju marrim ne nën sqetull, kandidatëve të Primareve. Kandidatët e Primareve do hyjnë në zgjedhje, janë kandidatë të PD”, tha ai.