Dan Hutra, autori i vrasjes së tre grave një ditë më parë dhe plagosjes së tre të tjerave, nuk ka shprehur pendesë për krimet.
40-vjeçari ka deklaruar para uniformave blu se krimet i kishte planifikuar edhe pse sipas dëshmisë, del se ka vrarë persona që nuk i ka pasur objektiv. Ndërsa të tjera vrasje të planifikuara, nuk i ka realizuar.
Hutra është shprehur se kishte në plan të ekzekutonte 40-vjeçaren që plagosi në Astir, si dhe persona të tjerë.
“Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40-vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera”, mësohet të jetë shprehur ai.
Lidhur me vrasjen e dyfishtë në Kodër-Kamëz, ai ka deklaruar se donte të ekzekutonte ish-vjehrrin.
“Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin por duke qenë se nuk e gjeta në shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë. Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh”.
“Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: a ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja”, ka thënë ai.
Lidhur me motivin e këtij krimi, ka deklaruar se “vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar”.
“Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie të cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjeve unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg”, ka shtuar më tej.
Në një njoftim për mediat një ditë më parë, kreu i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, ndërtoj dinamikën e krimeve të kryera nga Dan Hutra.
Vocaj tha se në orën 12 e 15 minuta, Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M.G., 40 vjeçe, banuese në Astir.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.
Masakra në Kodër-Kamzë
Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Një nga viktimat ishte shtatzënë.
Vrasja tjetër
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.
12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarr, tha Vocaj.
E kaluara
Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.
Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023, pas përfundimit të dënimit.
Rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, Dan Hutra u prangos. Aty, sipas dëshmisë, priste të ekzekutonte personin që ai e akuzonte se i kishte dhënë armën, autorit që shumë vite më parë i ka vrarë babain. Po ashtu, u sekuestrua arma e krimit të tipit kallashnikov, që Hutra kishte me vete.