Ngjarja e rëndë e ndodhur në qytetin e Belshit, ku dy pronarë të agjencive të ndryshme të udhëtimit u konfliktuan me fjalë dhe më pas sherri degjeneroi në përdorimin e armës së zjarrit, është arritur të zbardhet e plotë nga policia.
Sipas një njoftimi për mediat, policia lokale në bashkëpunim me efektivët e repartit “Shqiponja” të Elbasanit kanë arritur të vënë në pranga pas 1 orë ndjekjeje, 35-vjeçarin me iniciale A.D., i cili zbrazi armën mbi autobusin në pronësi të konkurentit të tij A.T.
Mësohet se konflikti mes tyre ka ndodhur pikërisht për shkak të konkurencës, për pasagjerët dhe fitimet nga biznesi i transportit ndërkombëtar të udhëtarëve.
NJOFTIMI I POLICISË:
Qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasit A. T., për arsye konkurrence, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë dhe veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga, pas 1 orë ndekjeje, 35-vjeçari.
Si pasojë e të shtënave janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtonte shtetasi A. T.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një shtetasi tjetër, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të stacionit të Policisë Belsh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, pas një orë ndjekjeje, është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 35 vjeç, banues në Belsh.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të autobusit që po drejtohej nga shtetasi A. T., për motive konkurrence (të ardhurat nga transportimi i pasagjerëve, me autobus).
Vijojnë veprimet hetimore, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.