Sezoni bujqësor po troket për mbjelljet e pranverës, por tregu i plehrave bujqësore po shfaq problematika në drejtim të çmimeve.
Në tregjet ndërkombëtare çmimet e uresë një produkt që përdoret gjerësisht në bujqësi ka shënuar rënie me 65% që nga kulmi kur arritën gjatë luftës në Ukrainë, duke rënë në nivele edhe më të ulëta se para luftës. Por në tregun tonë ashtu si edhe në artikuj të tjetër të konsumit masiv reflektimi i rënies nuk ndodh me të njëjtën shpejtësi.
Në tregjet ndërkombëtare një ton ure po shitet me 387 dollarë për tonë nga mbi 1000 dollarë që u shit në muajt mars dhe prill 2022.
Që nga nisja e luftës deri dje çmimi i Uresë ka rënë me rreth 65 për qind (shiko grafikun bashkëngjitur).
Në Fier dhe Berat një kuintal ure aktualisht po shitet 8500 lekë për kuintal ose rreth 800 dollarë për ton. Vitin e kaluar fermerët në këto zona pohuan se blenë një kuintal Ure me 13,000 lekë për kuintal. Çmimi i uresë ne tregun tonë ka rënë me rreth 35 për qind, ndërsa në tregon ndërkombëtar mbi 65 për qind.
Alban Çakalli një fermer me njohuri të thelluara mbi sektorin e bujqësisë tha se, për disa lëndë të para për bujqësinë çmimet janë edhe më të ulëta se në janar 2021, por në Shqipëri kjo ulje nuk po reflektohet tha ai.
Sipas tij fermerët shqiptare janë të penalizuar në krahasim me homologët e tjerë në Rajon dhe Europë, pasi nuk ka asnjë politike mbështetëse për subvencione te lendeve të para, por për më tepër duhet të përballojnë edhe spekulimet me çmimet.
Çmimet në rënie të plehrave për bujqësinë me bazë azotin dhe nitrogjenin po vijnë në ulje për disa arsye. E para oferta për këto produkte po qëndron në nivele më të larta se kërkesa, duke ushtruar presion në çmimet.
Gjithashtu çmimi i lirë i gazit në Europë ndihmoi prodhuesit të mbanin kostot në kontroll, ndërkohë që bujqit frenuan blerjet në pritje të rënies së mëtejshme të çmimeve.
Stoqet që u krijuan në magazina vitin e kaluar nga çmimet e larta të mars prillit 2022 u ndihmuan edhe nga prodhimi konstant kanë sjellë mbifurnizim në tregje, duke bërë që çmimet të shënojnë rënie.
Fermerët shqiptarë nuk po përfitojnë në mënyrë të drejtë nga ndryshimi i çmimeve. Çmimet e lëndëve të para në bujqësi karakterizohen nga nivele të larta të spekulimit, për shkak të njohurive të mangëta që kanë fermerët dhe mungesës së organizimit në shoqata.
Vitin e kaluar importi i plehrave bujqësore shënoi rënie me mbi 60 për qind për shkak se fermerët shqiptare ulen ndjeshëm kërkesën për këto produkte. një pjesë e madhe e plehrave që kompanitë kishin në magazinat e tyre u rieksportuan në Kosovë. Kostot e lendeve të para u rriten më tej në vendin tonë edhe nga heqja e diferencimit të TVSH me 10%./Monitor