Ish-prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, viktima më e pafajshme e kësaj historie.
Një dosje voluminoze e publikuar nga emisioni “Në Shënjestër”, hedh dritë jo vetëm për mënyrën se si u krye atentati ndaj prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, por edhe se si plani për asgjësimin e tyre nisi disa muaj para se skenari të vihej në jetë.
Sipas dosjes, plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij “Rrumi”, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit “SKY”.
Organizatorët nisën të përdorin aplikacionin me qëllim që të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese.
Grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm aplikacionin në telefon, por nuk mendonin kështu hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë.
Siç del edhe nga video që e publikon emisioni “Në Shënjestër”, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.
“Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e ‘SKY’ midis datave 13 gusht 2019 dhe 23 shtator 2019, ndërmjet shtetasve Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi, del në pah sigurimi i kushteve dhe masat paraprake që janë marrë nga autorët për realizimin e vrasjes së Arian Ndojit dhe Pëllumb Muharremit (Aleksandër Lahos). Pasi për këtë qëllim, këta persona kanë shkarkuar në telefonat e tyre aplikacionin “SKY”, me qëllim për të mos u përgjuar dhe identifikuar”, thuhet në dosje.
Njeriu kyç që ishte i interesuar direkt për eliminimin e Rrumit, rezulton të jetë Plaurent Dervishaj. Ai është një personazh shumë i njohur, dikur pjesë e bandës së Durrësit, por që do të merrte pafajësinë pas një sage të gjatë gjyqësore. Në operacionin ndaj Arjan Ndojit dhe Rrumit, Dervishaj mban pseudonimet ‘Shoku’ apo ‘Plaku’.
Dervishaj, vetëm 6 muaj para atentatit ndaj prokurorit Ndoji dhe Rrumi, kishte rënë edhe vetë pre e një prite të armatosur, bashkë me dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj.
Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur më 20 qershor 2019, në fshatin Koxhas të Shijakut për të cilin ai dyshonte se ishte organizuar nga “Rrumi i Shijakut”, një rival i fortë i tij në luftën për territor dhe pushtet në qytetin e Durrësit.
Ky duket të ketë qenë edhe motivi për të cilin Dervishaj nisi të thurë planin e tij të hakmarrjes.
“Në bazë të bisedave të kryera, grupi organizator i atentatit të datës 1 nëntor 2019, ndaj prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, me shprehjen ‘Shoku’ i referohen Plaurent Dervishaj, me shprehjen ‘Fshatari’ personit nën hetim Bledar Polovina. Me shprehjen‘Bad’ Amar Shkëmbit (alias Dritan Shkëmbi). Ndërsa me ‘Doku’, bashkëbiseduesit i referohen të pandehurit Redian Rraja; me ‘XONI”, personit nën hetim Ramazan Rraja; me ‘Kili’, Genti Ndërjakut (alias Kili Ndërjaku dhe Ekil Ndërjaku); dhe me ‘Dicio’, i referohen personit nën hetim Endrit Sinanit. Ndërsa Marsel Deçkës i referohen me kodin ‘Kështjella’”, thuhet në dosjen hetimore./BW