Në Shqipëri 8.4% e atyre që kanë arsim të lartë janë në rrezik varfërie, thonë shifrat e Agjencisë Europiane të Statistikave. Në rrezik për të qenë të varfër klasifikohen ata individë të cilët jetojnë me një nivel të ardhurash të disponueshme, pra pas taksave, nën 60% të medianës kombëtare, ku janë të përfshira edhe përfitimet nga mbështetja sociale. Ndërkohë, si arsim i lartë klasifikohen ciklet nga 5-8 të standardit ndërkombëtar, pra që nga arsimi i lartë dy-vjeçar e më lart. Të dhënat më të fundit për Shqipërinë i referohen vitit 2020.
Sipas këtyre shifrave, të analizuara dhe përpunuara rezulton se, Shqipëria pozicionohet e 9-ta në Europë ndër shtetet me normën më të lartë. Por, ajo që bie në sy është fakti se më keq se Shqipëria janë vende si: Danimarka, Gjermania, Austria, Suedia, Holanda apo Spanja. Ndërkohë, Estonia dhe Letonia janë dy vendet me normën më të lartë në kontinentin e vjetër sa i përket rrezikut për të qenë i varfër mes atyre me arsim të lartë. Madje, vendet më pak problematike në Europë në këtë drejtim janë: Hungaria, Çekia dhe Rumania, me këtë të fundit që raporton se vetëm 1.4% e atyre me arsim të lartë janë në rrezik varfërie.
Por, ajo që bie më shumë në sy nga këto shifra është fakti se në Shqipëri, ata me arsim të lartë duket se janë gjithmonë e më shumë në rrezik varfërie. Kjo pasi norma është rritur në mënyrë progresive nga viti në vit. Në vitin 2017 kjo normë në Shqipëri ka qenë pranë 7.3%, për t`u ngjitur në 8.2% në 2018-tën, po kaq në 2019-ën dhe 8.4% në 2020-ën. Pra, kemi të bëjmë me një rritje prej 1.1 pikësh përqindje në harkun e 3 viteve. Kjo është rritje e 7-të më e lartë në Europë. Më keq se Shqipëria janë: Estonia, Turqia, Letonia, Malta, Franca dhe Bullgaria, me një normë rritje mes 1.3 dhe 2.4 pikësh përqindje, sinjalizojnë shifrat e analizuara. Nga krahu i kundërt i tabelës, si shtetet europiane me uljen më të madhe të rrezikut për të qenë i varfër gjatë periudhës 2017-2020 janë: Greqia me -2.3%, Serbia me -2.7% dhe Hungaria me -4.7%.
Por, krejt e kundërta ka ndodhur për ata me arsim të ulët dhe të mesëm. Për ata me arsim të ulët norma e rrezikut për të qenë i varfër fiksohet pranë 26.3%, nga 29.3% që ishte në vitin 2017, pra në rënie me plot 3 pikë përqindje, Për ata me arsim të mesëm kjo normë fiksohet në 16.8%, nga 17.8% që ishte në vitin 2017, në rënie me 1 pikë përqindje.
/ SCAN /