Deputetë të Kuvendit të Serbisë janë përleshur fizikisht gjatë seancës ku po diskutohet plani evropian lidhur me marrëdhëniet me Kosovën, ku ka qenë i pranishëm edhe presidenti Aleksandër Vuçiç, duke detyruar sigurimin të ndërhyjnë që ta qetësojnë situatën.
Ishte opozita që me parrullat ku shkruhej “Tradhti, tradhti” nervozuan presidentin serb dhe deputetët e mazhorancës.
“Mund ta paramendoni çfarë çmendurie janë këto sjellje dhe ovacione. Ju e keni dhënë Kosovën, ne po e mbrojmë. Gënjeshtar jeni. Pasi që tashmë e keni dhënë Kosovën, unë dua ta shpjegoj si do ta trajtojmë këtë çështje. Populli duhet të shoh këto sjellje tona prej huligani”, tha Vuçiç në foltoren e Parlamentit të Serbisë.
Në këtë moment nisi të tensionohet situata dhe menjëherë u ngritën në këmbë pothuajse të gjithë deputetët, ndërsa kryetari i Partisë SNS kërkonte vazhdimisht nga deputetët të ulen nëpër vendet e tyre.
— OvoOno (@OvoOnoX) February 2, 2023
Kujtojmë që nga fillimi i seancës, Vuçiçi është pritur nga deputetët e opozitës me parrulla që i bënin akuza nga më të ndryshmet. Në anën tjetër, presidenti serb duke luajtur rolin e viktimës, bënte thirrje që të mos reagojë askush dhe se duhet lënë të tjerët të shprehen.
Incidenti ndodhi pas fjalimit të liderit të Dverit, Boshko Obradoviç, i cili i bëri thirrje Vuçiçit që të deklarohet qartë nëse është pro nënshkrimit të ultimatumit për Kosovën apo jo dhe nëse e njeh “shtetin e rremë të Kosovës”.
Deputetët e opozitës shoqëruan fjalimin e Presidenti serb me thirrje “Nuk do ta japim Kosovën” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.