Media opozitare serbe Nova.rs ka publikuar një artikull ku përmes burimeve anonime brenda Partisë Progresiste të Serbisë, shpalos se si Aleksandër Vuçiq terrorizon anëtarët e partisë po që se ata nuk e përkrahin publikisht, sidomos kur ka ndonjë “sulm nga mediat”.
Sa herë që lideri i progresistëve ndihet i kërcënuar nga shkrimet e mediave, fillojnë shkrimet në mbrojtje nga zyrtarë të partisë në pushtet.
Anëtarë të kësaj partie dëshmojnë se konkurrenca se kush do t’i bëjë lajka shefit më shpejt, më shumë dhe më mirë ka prapavijën e vet.
Burimet e Nova-s tregojnë se anëtarët e partisë kanë frikë se nëse nuk reagojnë, mund të kenë probleme dhe të mos avancojnë në hierarkinë partiake.
Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre kanë frikë nga shqetësimet e mundshme që do të pasonin, të përjetuara nga zyrtarë të caktuar tashmë, të cilët nuk dolën me një “reagim adekuat” dhe nuk i dhanë mbështetje presidentit.
“Shumë herë ka ndodhur që Vuçiç të telefonojë personalisht zyrtarët për t’i ‘falënderuar’ që nuk i kanë ofruar mbështetje kur ai e priste. Ato biseda janë shumë të pakëndshme. Për të shmangur situata të tilla, anëtarët e partisë fjalë për fjalë janë në garë për të parë se kush do ta shpallë më shpejt njoftimin dhe fjalët e kujt do të jenë më efektive. Sigurisht që nuk mungojnë edhe rrjetet sociale dhe vlerësohet veçanërisht nëse dikush publikon një mesazh mbështetjeje në profilin e tij privat”, thotë burimi i Nova-s.
Anëtarë të partisë së Vuçiq-it kanë sqaruar për Nova-n se daljet mediatike të zyrtarëve kontrollohen rreptësishtë dhe se “nuk tolerohen deklarata që bien ndesh me atë që thotë presidenti publikisht”.
“Dalja në media është e kushtëzuar nga favorizimi i presidentit Vuçiç. Nëse ai mendon se dikush po i shkakton dëm ose ka ndonjë arsye tjetër pse një zyrtar nuk duhet të paraqitet – ajo direktivë i dërgohet nga selia e partisë mediave të pushtetit dhe atyre u sugjerohet që të mos i ftojnë ata persona deri sa drita jeshile vjen nga partia dhe ai ndalim hiqet”, thotë burimi i Nova-s.
Gazetës një burim tjetër i ka thënë se “presidenti mendon më shumë se si do të duket në publik sesa nëse do të zgjidhë realisht një problem të caktuar”.
“Dhe skenari është gjithmonë i njëjtë – kontrolli i dëmit bëhet përmes mediave pro regjimit dhe atë duke treguar historinë se si kërcënohet Vuçiç, nën presion dhe duke barazuar presidentin me shtetin”.
“Tensionet pastaj ngrihen më tej nga historia se të gjitha “rezultatet historike” që arriti Vuçiç do të zhvlerësohen dhe se gjithçka do të bjerë në ujë nëse ‘ata që i dëshirojnë dëm Serbisë’ zbatojnë qëllimet e tyre dhe mundin presidentin që po lufton’ i vetëm kundër të gjithëve”.
Burimet e Nova-s theksojnë po ashtu se vendimet se cilat mesazhe do të dërgohen përmes mediave merren nga një ekip i drejtuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të shtetit dhe gjithmonë pas konsultimit me shefin.
“Fjalë kyçe u dërgohen mediave dhe zyrtarëve partiakë dhe atyre u kërkohet të përdorin ato fjalë”.
“Mediat e përdorin të njëjtat për faqet e tyre të para, dhe zyrtarët e përdorin për rrjetet sociale. Për shembull, problemi në Kosovë është karakterizuar si ‘tirani e Kurtit’ dhe ‘terrori i Kurtit’. Ky ishte mesazhi kryesor dhe synimi është që qytetarët ta kuptojnë kështu. Prandaj edhe ballinat janë konceptuar në atë mënyrë, si dhe të gjitha njoftimet në rrjetet sociale”, sqaron bashkëbiseduesi i Nova-s dhe vëren se të gjitha veprimet kryesisht kryhen përmes grupeve të Viberit dhe se puna e gazetarëve dhe njoftimet e zyrtarëve koordinohen përmes atyre grupeve të mbyllura.
“Kur, për shembull, në shtator përfundoi seanca e Kuvendit ku presidenti foli për situatën në Kosovë, erdhi mesazhi që të gjithë të përdorin termin e caktuar. Ishte e rëndësishme t’u sqarohej qytetarëve se Vuçiç luajti me opozitën dhe se i mposhti të gjithë. Brenda një ore ka dalë në rrjetet sociale të zyrtarëve partiakë dhe më pas e kanë marrë mediat”, pohon bashkëbiseduesi i Nova-s.
“Vetëm temat ndryshojnë – Kosova, kriza në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, arrestimi i Belivuk-ut. Në mëngjes ftesa u arrin të gjithëve – në seancën në Pallatin e Serbisë po vijnë përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, drejtorë kompanish, i gjithë kryesia ushtarake. Nëse tema është Kosova, ftesa u dërgohet edhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova. Takimet mbahen në sallën më të madhe. Vuçiç del i fundit. Heshtja është një heshtje vdekjeprurëse dhe ai fillimisht flet shumë qetë dhe ju duhet të bëni një përpjekje serioze për të dëgjuar atë që ai thotë. Fillimisht na bën me dije se pozicioni është ‘shumë i vështirë’, sepse duam të shpëtojmë popullin tonë, po luftojmë ditë e natë, por po na bëjnë presion nga të gjitha anët. Pastaj ka citate nga përfaqësuesit e BE-së dhe ai na thotë: ‘Ja, shikoni se çfarë po na bëjnë. Shihni çfarë tha ky budalla nga Brukseli…’”, i tha gazetës një anëtar i partisë së Vuçiç.
Pos Vuçiç-it në mbledhje askush nuk flet. Tashmë të gjithë e dinë se më mirë për ta është të mos kenë kundërshtime dhe të aprovojnë atë që thotë presidenti i tyre, përndryshe karrierea politike merr tatëpjetën.