Gjykata e kantonit të Zyrihut në Zvicër ka dënuar me 27 vite burg në total një çift shqiptaro-zviceran, të cilët u arrestuan pasi akuzoheshin se për dy vite me radhë kanë torturuar dy nga shtatë fëmijët e tyre.
Babai me origjinë kosovare dhe nëna zvicerane i kanë mbyllur dy prej fëmijëve në dhomë dhe në bodrumin e ftohtë dhe sipas aktakuzës për vite me radhë ata ushqeheshin shumë dobët ndaj ishin nënpeshë kur u zbuluan nga autoritetet.
Atyre u duhej të vidhnin ushqim nga fëmijët e tjerë në shkollë ose të kontrollonin tinëzisht për ushqim në shtëpi. Në moshën nën 9-vjeçare, djali peshonte vetëm 18.5 kilogramë, ndërsa vajza një vit më e madhe më pak se 22 kilogramë.
Prindërit nuk i kushtonin vëmendje as higjienës personale dhe as shëndetit të fëmijëve. Fëmijët kishin këpucë shumë të vogla, kështu që u shkaktoheshin kallo në këmbë dhe nuk u lejohej të merrnin pjesë në ekskursione shkollore e kampe klase.
Atyre gjithashtu u ndalohej të kontaktonin shokët e klasës duke i lënë të izoluar nga bota e jashtme.
Sipas aktakuzës, nëna ka arritur deri aty sa u ka kërkuar fëmijëve të hanë të vjellat e tyre, duke shtyrë kokën e vajzës drejt të vjellave të saj. Ndërkohë, djalin e kishte detyruar të hante jashtëqitjen e tij. Në një rast, fëmijët ishin detyruar të vinin pelenat e tyre të lagura me urinë në kokë dhe të qëndronin ashtu të heshtur, nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Edhe babai ishte pjesë e torturave teksa në një rast i kishte shtyrë vajzës kokën në tualet dhe e kishte lëshuar ujin.
Shuplakat dhe goditjet me shkop bambuje gjithashtu ishin të rregullta për dy fëmijët, aq sa edhe mësuesit në shkollë kishin vënë re njolla dhe shenja goditjesh te ata.
Sipas aktakuzës, babai ka goditur fëmijët dhe i ka tërhequr për flokësh pothuajse çdo ditë, por fatmirësisht vuajtjet përfunduan kur djali dhe vajza u vendosën në sektorin e urgjencës të shtëpisë së fëmijëve në fund të vitit 2010 për shkak të abuzimit psikologjik dhe fizik.
Fëmijët ishin traumatizuar rëndë dhe kështu, kishin shenja të zhvillimit të vonuar. Ata kanë marrë terapi javore me vite, por gjithashtu duhet të mbështeten nga sigurimi për personat me aftësi të kufizuar, në moshën e rritur.
Sakaq, çifti kishte apeluar vendimin e dhënë nga gjykata e qarkut në Apel. Sipas vendimit të gjykatës së Apelit nëna do të mbahet në burg për 10.5 vite ndërsa më parë ishte dënuar me 12 vite burg.
Dënimi me burg i babait do të mbetet 16.5 vite pra i njëjtë me atë të dhënë nga Gjykata e Qarkut, ndërsa kryetari i trupit gjykues Sebastian Aeppli i cilësoi torturat e prindërve ndaj fëmijëve të tyre si “regjim terrorist”.