Partizani ka një skuadër të plotë dhe në këtë merkato nuk ka ndër mend të bëjë ndërhyrje të mëdha. Megjithatë, të kuqtë janë vigjilentë ndaj lojtarëve që spikasin, veçanërisht brenda kufijve tanë dhe së fundmi ata kanë pikasur një mbrojtës të talentuar.
Bëhet fjalë për Xheferson Pereiran e Orikut, i cili zhvilloi paraqitje shumë të mira ndaj “demave”, veçanërisht në sfidën e parë, kur ishte i pagabueshëm dhe rezultoi të shndërrohej në një “mur” për sulmuesit e kuq.
Vetëm 22 vjeç, braziliani shihet si një lojtar i vlefshëm për Partizanin dhe pëlqehet shumë nga drejtuesit. Këta të fundit kanë nisur tratativat me Orikun dhe me lojtarin.
Misioni nuk është i lehtë, pasi Xheferson ka kontratë me Orikun, por gjithçka mund të finalizohet me një shifër parash dhe mbajtjen e një përqindje kartoni nga ana e klubit jugor.
Lojtari nga ana e tij po shtyn për të kaluar te Partizani, që e konsideron si një shans të madh për të zbarkuar më pas në arena më të mëdha të futbollit europian.
Xheferson është një lojtar, që përveç forcës dhe gjatësisë, ka një kontroll të mirë të topit, si dhe e njeh portën.
Në nëntë ndeshje të luajtura në këtë sezon me fanellën e Orikut, ai ka mundur të shënojë dy gola. Në ditët në vijim pritet që gjithçka mes palëve të konkretizohet.
ENEO BITRI – Braziliani mund të ndjekë pikërisht rrugën e beratasit, i cili nga Tomori zbarkoi te kryeqytetasit dhe është shndërruar në një nga më të mirët e Superiores, duke zgjuar interes nga klube të shumta.
Madje Xheferson mund të zëvendësoje beratasin. Në verë Partizani refuzoi disa oferta për Bitrin, i cili ka kontratë deri në fund të sezonit me të kuqtë.
Gjithsesi, ka shanse që ai të largohet që në janar. Burime për gazetën bëjnë me dije për interes të një klubi të Bundesligës gjermane.
Fakti që Bitri e ka treguar veten në Kazakistan me Astanën, së fundmi debutoi me Kombëtaren, si dhe është shtyllë e Partizanit, ka zgjuar interes nga Gjermania, teksa emri i klubit mbetet sekret.
Në ditët në vijim pritet të ketë më shumë zhvillime, me të kuqtë, që pritet të këmbëngulin për ta mbajtur, por vështirë të rezistojnë. Së shpejti gjermanët pritet të paraqesin një propozim konkret.
FABIAN SHAHAJ – Ndërkohë që tri klube të Serisë A këmbëngulin për Skukën, Partizani është pranë firmës me një sulmues, me repartin ofensiv që kërkon më shumë alternativa.
Fabian Shahaj, aktualisht pjesë e ADO Den Hag në Holandë, do të zbarkojë së shpejti në Tiranë për të firmosur një kontratë huazimi me Partizanin.
Shahaj është qendërsulmues tipik, vetëm 20 vjeç. Ai shihet si një lojtar mjaft i talentuar dhe te Partizani do të kishte shansin të luante në një ligë profesioniste dhe të tregonte aftësitë e tij.
Shahaj ka luajtur vetëm 46 minuta me Den Hag në sezonin e shkuar.
Ardhja e tij do të shtonte ndjeshëm forcën e sulmit. I riu njihet si një lojtar i shpejtë dhe i rrezikshëm në zona të ngushta, çka mund ta bëjë një alternativë shumë të vyer për Carën dhe Skukën, nëse dibrani qëndron.
/Panorama Sport/