Kontrollet e ushtruara ditën e djeshme në tre banesa të Ervis Martinaj dhe xhaxhallarëve të tij në Fushë-Kuqe të Kurbinit çuan në zbulimin e një arsenali të madh armësh, por FNSH e RENEA nuk arritën të binin në gjurmët e të shumëkërkuarit të drejtësisë, fati i të cilit mbetet ende mister.
Ajo çka ra në sy nga aksioni i djeshëm i policisë ishte që “baza” e Martinajt ishte e fortifikuar me mure deri në 3 metra lartësi dhe të rrethuar me kangjella prej hekuri si në rrethimin e burgjeve, por edhe e ruajtur me kamera sigurie dhe sensorë që ishin vendosur deri në kryqëzimin e Patokut.
Sakaq, Neës24 ka zbuluar edhe arsyet që “ngritën në këmbë” policinë e shtetit dhe shtyn drejtuesit që të jepnin urdhrin për kontrollin e shtëpisë së Vis Martinajt.
Përveç kërkesës së Prokurorisë së Kurbinit në bazë të hetimeve në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, duket se ka qenë një telefonatë nga burgi i Peqinit që ka alarmuar forcat e rendit.
Telefonata nga burgu i Peqinit, është zhvilluar midis një të dënuari për vrasje dhe një prej familjarëve të Martinajt.
I dënuari ka bërë kërkesë për të regjistruar në numër në listën e telefonatave. Administrata e burgut ka ndjekur procedurën duke e marrë në pyetje për të dhënat e kontaktit dh ai ka thënë se numri që ka kërkuar të regjistrohej ishte i një të afërmi.
Por pas hetimeve rezultoi se informacioni i dhënë ishte i pavërtetë dhe numri nuk i përkiste një të afërmi të tij.
Për këtë arsye autoritetet kanë nisur përgjimin e telefonatës dhe rezultoi se në krahun tjetër të telefonit ishte një i afërm i “mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Pas përgjimit të telefonatës janë zbuluar detaje të rëndësishme dhe menjëherë është bërë kërkesë që të kryhen kontrolle në banesën e Ervis Martinajt dhe të të dy xhaxhallarëve të tij.