Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit Genci Mane i Prokurorisë së Fierit.
Vendimi për Manen u mor unanimisht nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Mane u përball të mërkurën më 7 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime dhe kundërshtoi konstatimin për pamundësi të prindërve për t’i paguar atij pjesën takuese të një banese në Berat, vlerë që subjekti e ka deklaruar si një prej burimeve për blerjen e një apartamenti në Fier. Mane mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe dha shpjegime për një çështje në kriterin profesional.
Genci Mane e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe prej vitit 2005 ai e ushtron funksionin si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Aktualisht ai ushtron funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie.