Stuhi me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu kanë mbërthyer këtë fundjave të gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar problematika në qarkullimin e mjeteve me bllokimin e rrugëve nga inertet, kufizime të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe përmbytje të tokave bujqësore.
Nga Veriu në Jug situata paraqitet e nderë, me qarqe të caktuara ku është dashur edhe ndërhyrja e Emergjencave Civile dhe punonjësve të OSHEE-së në terren për të zgjidhur situata të caktuara.
Për të mësuar më tepër rreth panoramës së krijuar prej motit të keq në Shqipëri, si më poshtë paraqiten të dhënat e fundit për çdo qark.
Qarku Lezhë
Intensiteti i lartë i reshjeve të shiut ka rikthyer përmbytjet në qarkun e Lezhës, pasi në Njësinë Administrative Zejmen janë të përmbytura rreth 65 hektarë tokë në fushën e Treshit dhe në Spiten. Ndërkohë, në Njësinë Administrative Balldren janë të përmbytura 200 hektarë tokë.
Fatmirësisht përmbytjeve u kanë shpëtuar deri më tani zona e Blinishtit e Dajçit, por që raportohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Në Bashkinë e Mirditës ka ndërprerje energjie në Perlat, ndërsa nuk ka probleme me përmbytjet, edhe pse niveli i ujit në rezervuare është në nivele kritike. Në Rrugën e Kombit ka rrëshqitje dherash dhe gurësh në të gjithë gjatësinë, ndërsa situata paraqitet më problematike në zonën e Repsit.
Qarku Durrës
Në qarkun e Durrësit, problemet më të mëdha i ka bashkia Fushë Krujë, ku ka dalë nga shtrati lumi Ishëm në fshatrat Marqinë, Mallkuç e Bilaj dhe ka përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Gjithashtu kanë mbetur të izoluara disa familje në fshatin Murqinë, të cilat izolohen sa herë ka shi si pasojë e përmbytjes së rrugës që lidh lagjen e tyre me pjesën tjetër të vendit.
Edhe lumi Erzen në Shijak ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të larta të ujit, por nuk ka problem për banesat, sipas prefektit të qarkut.
Prefekti i Durrësit ka kërkuar nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për një komunikim me administratorët e Liqenit të Bovillës për të pasur shkarkime të kontrolluar.
Qarku Elbasan
Në qarkun e Elbasanit ka pasur reshje shiu të vazhdueshme që prej orëve të para të mbrëmjes dhe kanë qenë me intensitet mesatar e të lartë.
Si pasojë ka pasur 2 raste ndërhyrjesh për normalizimin e situatës. Tek ura e Shkumbinit në aksin Elbasan-Cerrik një biznes rrezikonte përmbytjen dhe në fshatin Mjekes, Shirgjan një banesë rrezikonte futjen e ujit në banesë.
Në dy rastet është ndërhyrë nga punonjësit e zjarrfikëseve Elbasan. Situata është ne monitorim pasi reshjet vazhdojnë.
Akset rrugore janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, por gjatë natës ka pasur prani inertesh në aksin Elbasan-Qafë Thanë, Elbasan-Gjinar, Gramsh-Moglice të cilat janë pastruar nga firmat kontraktuese.
Në furnizimin me energji elektrike ka disa ndërprerje për shkak të defekteve në Rrajcë bashkia Prrenjas, Sterblevë bashkia Librazhd, Mollas bashkia Cerrik, Shushicë bashkia Elbasan. Ne terren janë punonjësit e OSHE të cilët po punojnë për riparimin e defekteve.
Qarku Gjirokastër
Qarku i Gjirokastrës është goditur nga moti i keq, pasi reshjet e dendura të shiut nuk kanë pushuar gjatë gjithë natës. Lumenjtë Vjosa dhe Drino kanë shtuar prurjet dhe në pikë matjen e Memaliajt niveli ka shkuar 6 metër.
Rrezik për të shkaktuar përmbytje në qytet paraqet përroi i Çullos, ku është punuar gjatë gjithë natës nga emergjencat dhe bashkia Gjirokastër si dhe janë vendosur barriera mbrojtëse.
Sakaq, rruga e fshatit Golem është e bllokuar plotësisht. Problem vazhdon të mbetet edhe mungesa e energjisë elektrike në shumë njësi administrative të bashkive Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë e Memaliaj.
Nderkohe, gjysma e fshatit Lazarat ka mbetur pa energji elektrike, pasi kabina elektrike që kryen shpërndarjen e rrymës në këtë zonë është shkrumbuar nga flakët.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kabinën që ndodhet në lagjen Kordhoçë, pjesa e poshtme e fshatit Lazarat, që u dogj nga zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e PMNZSH, OSHEE dhe policisë të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe shmangien e dëmeve më të mëdha.
Shkaqet e zjarrit po hetohen ndërkohë nga grupi hetimor mësohet se dyshohet se zjarri ka ndodhur si pasoje e një falsokontakti.
Probleme në lagjet e Lazartit janë shfaqur edhe prej motit të keq për shkak të përroit të Sopotit, i cili mund të shkaktojë përmbytje dhe aty është ndërhyrë nga emergjencat.
Qarku Dibër
Në këtë qark problem mbetet qarkullimi në rrugën e Arbrit, pasi lëvizja është bllokuar në afërsi të tunelit të “Murrizit”.
Shkak është bërë shembja e një masivi të madh dheu pak metra larg hyrjes së tunelit të Murrizit, në të njëjtin vend ku është shembur edhe gjatë pranverës.
Kjo ka bërë që dhjetëra mjete që lëviznin drejt Tiranës apo Qarkut Dibër të bllokohen.
Qarku Shkodër
Shkodra, që është qarku më i goditur nga përmbytjet e dy javëve më parë fatmirësisht këtë mëngjes paraqitet në gjendje stabile, me vetëm një prej njësive administrative që ka regjistruar përmbytje të tokave bujqësore.
Situata në territorin e Bashkisë Shkodër sipas raportimeve të orës 08.00 është si më poshtë:
1.Kuota Drin 6.00 me rritje 60 cm
2.Kuota Liqen 7.95 me rritje 50cm
Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura një sipërfaqe prej 400 hektarësh.
Pa energji elektrike janë pjesa më e njësisë administrative Ana e Malit si dhe fshatrat Beltojë Mali Hebe në njësinë Berdicë.
Qarku Kukës
Qarku i Kukësit është i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë dhe i shoqëruar me erë. Pavarësisht kësaj, rrugët nacionale vijojnë janë të qarkullueshme normalisht.
Në disa rrugë ka rënie inertesh dhe gurësh si dhe bllokime tumbinosh, ndërsa subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Shumë fshatra në bashkinë Kukës janë bllokuar nga rënia e gurëve dhe dherave duke e bërë të pamundur qarkullimin e banorëve. Fshatrat e bllokuar janë: Nimçë, Carnalevë, Pakisht, Zapot, Xhaferraj, Tërshenë, Çajë, Shkinak etj.
Një kujdes të shtuar kanë marrë edhe rezervuarët, të cilat po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm në të gjithë qarkun Kukës.
Aktualisht, reshjet e shiut po bien me intensitet të lartë duke rritur frikshëm edhe prurjet në hidrocentralet e vegjël të Kukësit, prurje të cilat po rrisin me shpejtësi edhe nivelin e ujëmbledhësit më të madh hidrik në vend, atë të Fierzës.
Qarku Korçë
Moti i keq dhe reshjet e shiut kanë bërë që disa fshatra të qarkut të Korçës të mbesin pa drita.
Energjia elektrike mungon në disa fshatra të zonës malore, 15 fshatra të njësisë administrative Lozhan dhe Maliq, Dardhas në Pogradec dhe Libonik në bashkinë e Maliqit.
Gjithashtu një ndërprerje të energjisë ka pasur në fshatrat e njësisë administrative të Moglicës prej mbrëmjes së djeshme.
Nuk ka informacione nëse po punohet për ti dhënë fund kësaj problematike.
Qarku Vlorë
Moti i përkeqësuar, reshjet e dendura të shiut dhe era e fuqishme kanë shkaktuar problematika ditën e sotme në Vlorë.
Lundrimi detar vijon të jetë i pezulluar për shkak të erës me shpejtësi deri në 25 metër /sek dhe deti me fuqi dallge deri në 8 ballë.
Sipas shtabit të emergjencave pranë Prefekturës së qarkut, situata është tejet e rënduar në të gjithë qarkun e si rrjedhojë ju është bërë thirrje të gjitha Njësive vendore të njoftojnë popullatën të kujdesen për të mos u përfshirë në situata kritike për jetën dhe pronën e tyre.
Ndërkohë nga era e fuqishme gjatë mbrëmjes së shtunë, janë rrëzuar dhjetëra pemë në Pyllin e Sodës, ndërsa në zonën e Lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Brataj janë regjistruar rrëshqitje gurësh.
Po ashtu, gjithë zona nga Orikumi, Dukat, Llogora e deri në Himarë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të erërave të fuqishme.
Për shkak të motit të keq edhe në Sarandë janë pezulluar të gjitha mjetete lundrimit. Linja e lundrimit Sarandë-Korfuz është ndërprerë gjithashtu edhe varkat e peshkimit, pasi erërat e forta e kanë bërë të pamundur të lundrohet në det.
Qyteti prej 24 orësh është e mbuluar me reshje të dendura të shiut dhe erëra të forta, sipas meterologëve situata pritet të përkeqësohet në vazhdim.