Transmetuesi publik raportoi për zhvillimet e fundit në Bruksel, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Korrespondentja Gjeraqina Tuhina tha se nuk është miratuar propozimi i presidencës çeke, shtet ky që mban presidencën e radhës së BE-së, e sipas të cilit liberalizimi i vizave për Kosovën, të hyjë në fuqi me funksionalizimin e sistemit të sigurisë, ETIAS-it, apo më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023.
Tuhina deklaroi se kjo ka ndodhur për shkak se kanë reaguar së paku dy shtete, si Spanja në njërën anë dhe Suedia në anën tjetër .
“Meqë kishim të bëjmë me procedurë të heshtur, apo procedurë të shkruar, ishte kjo ku shteteve anëtare iu dorëzohet teksti në fjalë dhe ato kanë afat në një kohë të caktuar, në këtë rasat deri me 16 nëntor në orën 14:00, për të paraqitur vërejtjet”, shpjegoi ajo.
“Në rast të mos reagimit nga ndonjë shtet, atëherë do të konsiderohej se teksti është i miratuar. Mirëpo meqë tani ka reagim, atëherë i bie se është thyer kjo procedurë e heshtur dhe teksti në fjalë nuk është miratuar”, tha korrespondentja e RTK-së nga Brukseli.
Siç ajo ka kuptuar nga disa burime në Bruksel, të dy shtetet kanë probleme të cilat kanë të bëjnë me vendet e tyre, e jo drejtpërsëdrejti me Kosovën.
“Spanja kishte problem me faktin se përmendet 1 dhjetori i vitit 2023, ndërkohë që në atë periudhë, Spanja kryeson me Bashkimin Evropian dhe duke marrë parasysh se është shtet që nuk e njeh Kosovën, nuk e konsideron të favorshme faktin që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të ndodhë pikërisht në kohen kur ajo kryeson me BE-në”, shpjegoi Tuhina.
Kurse Suedia, sipas korrespondentes së RTK-së në Bruksel, ka reaguar sepse ka nevojë që të konsultohet më shumë me parlamentin e vet.
Më tej Tuhina tha se megjithatë, Republika Çeke vazhdon konsultimet bilaterale me vendet anëtare dhe insiston se nuk është gjithçka e humbuar.
“Çekia do të vazhdojë që t’i bindë këto shtete sa i përket miratimit të tekstit. Teksti i tillë nuk shkon prapë me procedurë të shkruar, por mëtohet që disi të hyjë në agjendë në nivel më të lartë”, tha ajo.
Niveli më i lartë kësaj radhe janë ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të cilët në rastin më ideal, në fund të nëntorit në takimin e tyre, do të kenë një tekst kompromisi sërish në lidhje me vizat për Kosovën.
Në pyetjen nëse është viti 2023 viti i humbur për Kosovën sa i takon kosovarëve për liberalizimin e vizave, Tuhina tha se nuk është gjithçka e humbur sepse ende po vazhdohet që të ndërmerren të gjitha procedurat relevante.
“Ajo që na bën me dije është se gjërat po komplikohen është fakti se këtë procedurë e kanë shtyrë dy shtete të cilat në vitin që vjen, do e marrin përsipër presidencën e radhës së BE-së”, tha Tuhina.
Grafika nga Radios Evropa e Lirë e cila shpjegon në tërësi hapat deri në liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kështu, në gjysmën e parë të vitit 2023 është Suedia, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2023 është Spanja.
“Tani meqë Spanja ka problem me datë, nuk përjashtohet mundësia që në tekstin e radhës përsëri të lëvizë data, ndoshta në janar 2024 “, shpjegoi korespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina.
Sipas saj, data e re ka të bëjë me momentin kur Spanja nuk kryeson më me Bashkimin Evropian.
“Atëherë i bie që momenti më i hershëm do të mund të jetë 1 janari i vitit 2024,pasi më 31 dhjetor të vitit 2023, përfundon mandati i Spanjës në nivel të BE-së “, u shpreh ajo.
Megjithatë, Tuhina rithekson se përderisa presidenca çeke e BE-së, nuk ka hequr dorë dhe nuk thotë se ka dështuar procesi, akoma ka shpresë që procedurat së paku të përfundojnë në muajt në vijim dhe se tani kemi të bëjmë me lëvizje të datave.
“Ironikisht nëse mbetet kushtëzimi i ETIAS-it, e i njëjti do të hyjë në fuqi më 1 nëntor, apo më herët, atëherë mund të ndodhë liberalizimi i vizave. Shpresat nuk janë të humbura, por po komplikohen gjërat”.